Hije skandali mbi Maturen Shteterore
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Dyshimet
Përfaqësues të kompanisë Bit-Albania, që mban të drejtën e autorit mbi programin MeP konfirmojnë se firma, që ka fituar tenderin e MASH-it për shpërndarjen e maturantëve në Institucionet e Arsimit të Lartë, nuk ka një sistem të sajin, por po imiton atë të përdorur prej tyre, duke abuzuar me të drejtën e autorit. E përveç kësaj, sipas përfaqësuesve të Bit-Albania, Matura Shtetërore 2008 ka shfaqur disa defekte deri tani pikërisht prej faktit se mungon një sistem kompjuterik origjinal, por po punohet duke kopjuar atë të MeP. Ndërkohë që, ngrenë edhe hipotezën se një grup maturantësh fitues do të shpallen në mënyrë manuale, pra me të dhëna që hidhen me dorë. Sikundër pohojnë se te të dhënat e Maturës Shtetërore është ndërhyrë, duke hedhur të dhëna me dorë edhe për ato degë fakultetesh, ku pranimi është me konkurs. Ata nuk përjashtojnë as mundësinë e "rrjedhjes" së të dhënave mes dy agjencive të Maturës, AVA-s dhe APRIAL-it.
Defektet
"Datech po imiton këtë sistem, duke u përpjekur të duket origjinal, por, të paktën deri tani, nuk ja ka arritur dot", shprehen përfaqësuesit e Bit-Albania. Ata theksojnë se Datech nuk ishte në gjendje të gjeneronte në kohë listat e kandidatëve për programet e studimit që kanë dhe konkurs suplementar, ndaj konkurset u zhvilluan në kundërshtim me udhëzimet e MASH.
APRIAL iu ka çuar listat e konkursit universiteteve (përjashto degën e Arkitekturës), pasi kishin përfunduar konkurset. Por, nëse APRIAL do të kishte përgatitur në kohë listat, mbetësit në provimet me zgjedhje nuk do të lejoheshin të konkurronin, kështu që protestat e vazhdueshme të këtyre ditëve para Ministrisë së Arsimit nuk do të ekzistonin. Gjithashtu, në dokumentet e tenderit të MASH për përzgjedhjen e firmës fituese të Maturës Shtetërore 2008 thuhet se futja e të dhënave të Formularëve A2 duhet të bëhet me lexues optik, me skanim. "Firma Datech edhe pse nuk e përmbushte teknikisht këtë detyrim, u shpall fituese", saktësojnë hartuesit e MeP. Kjo bëri që futja e të dhënave të formularit A2 në DataBase të kryhej në mënyrë manuale dhe për këtë arsye APRIAL nuk i përgatiti dot në kohë ato lista. Një pohim i tillë hedh poshtë pretendimin e Ministrisë së Arsimit se në të dhënat e Maturës Shtetërore 2008 çdo gjë funksionon në mënyrë elektronike, pasi sistemi është programuar në mënyrë të tillë që të mos lejohet hedhja e të dhënave me dorë nga specialistët.
Duke akuzuar për falsifikim të sistemit kompjuterik MeP, Bit- Albania përmend një fakt, sipas tyre, shumë komprometues, nisur dhe nga këndvështrimi i specialistëve të informatikës. Ata ngrenë hipotezën se disa lista fituesish do të përgatiten me dorë, gjë që praktikisht nuk rezulton si e vështirë. Por që edhe e rëndon së tepërmi besueshmërinë e Maturës Shtetërore 2008.
Në këtë logjikë, ata shpjegojnë se Formulari A2 ka këtë vit 200 programe studimi, ndërsa vjet ishin 196. APRIAL e disponon programin e Bit-Albania, i cili është i vlefshëm vetëm për Maturën 2007. "Por nëse APRIAL ka zbuluar apo arrin të anashkalojë me mjeshtërit e Datech-ut fjalëkalimin e sistemit, ky program mund të përdoret edhe për Maturën 2008, por me kushtin që formulari A2 të kishte 196 degë. Nëse vështroni me vëmendje Formularin A2 të këtij viti dhe e krahasoni atë më formularin A2 të vitit 2007 do të vini re se lista e degëve të universiteteve të Tiranës ndërpritet diku, rreshtohen më pas degët e universiteteve të rretheve dhe pastaj rishfaqen disa degë të Tiranës, që kanë dhe konkurs suplementar, duke u mbyllur lista me degën 200 Mësues i Edukimit Fizik. Ne dyshojmë se 4 listat e fituesve të 4 degëve të fundit do të përgatiten manualisht dhe kjo nuk është e vështirë. Më pas, maturantët fitues hiqen nga DataBase, sepse ata e kanë të gjithë preferencë të parë degën me konkurs dhe programi ynë mund të përdoret për të bërë shpërndarjen automatike të maturantëve të tjerë".
Aktualisht, pranë MASH funksionojnë dy agjenci AVA (Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve) që ka për detyrë të organizojë provimet e maturës dhe të kryejë vlerësimin e maturantëve, si dhe agjencia e krijuar këtë vit APRIAL (Agjencia Kombëtare e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë) që ka për detyrë shpërndarjen e maturantëve në universitete, sipas parimit Meritë-Preferencë. Kjo konsiderohet si një paradoks i fortë nga ana e Bit-Albania. Sipas saj, këto dy agjenci ngatërrojnë kompetencat. Rezultatet e vlerësimit të provimeve me zgjedhje janë firmosur nga drejtori i APRIAL dhe jo nga drejtori i AVA-s. Ndërsa procesi i korrigjimit të provimeve me sekretimin me bar-kode në parim është shumë i saktë dhe në pamje të parë duket i përsosur. "Nëse listat e korrespondencës barkod-emër nuk mbahen të mbyllura në kasafortë apo zarfe të dyllosur dhe vulosur deri në përfundim të korrigjimit të provimeve dhe shpalljes së rezultateve fillimisht pa emra, por me bar-kode, sekretimi nuk ka asnjë vlerë, veçse zvogëlon numrin e personave që mund të influencojnë në vlerësim, por nuk e eliminon atë", thonë specialistët e Bit-Albania. Këto lista, vijojnë ata arsyetimin, i posedon të hapura APRIAL, ndërkohë që AVA kryen korrigjimin e provimeve pa emra, por me bar-kode. "Këto dy agjenci nuk janë në dy planetë të ndryshëm që të mendosh se nuk kanë asnjë mundësi komunikimi deri në momentin që vendoset korrespondenca midis notës dhe emrit të maturantit", e mbyllin argumentimin e tyre këta specialistë.
Nga ana tjetër, ata pohojnë se sistemi MeP ka në vetvete mundësinë që në fazën e dytë të rishpërndarjes së studentëve, që imponohet nga vendet vakante të fazës së parë, të rishpërndahen vetëm të pakënaqurit. Vjet në fakt kjo gjë nuk u bë, tregojnë ata, sepse ashtu u vendos të bëhej, por është për t‘u përmendur fakti se kishte jo pak raste kur maturantët nuk donin të studionin në degën e shpallur fitues në fazën e dytë, edhe pse ajo ishte e një preference më të lartë. Nëse programi i këtij viti do të jetë origjinal, kjo e metë mund të korrigjohet.
Libri i Transparencës
Një tjetër problem i shfaqur në Maturën Shtetërore 2008 është edhe Libri i Transparencës. Ai u premtua nga APRIAL se do të ishte gati më 20 gusht 2008, por që nuk u prodhua. Libri i Transparencës, saktësojnë përfaqësuesit e Bit-Albania, është përgatitur vetëm në formë elektronike, nuk ka brenda asnjë informacion më shumë se Libri i Transparencës 2007, por ka dalë në volum 6 herë më i madh se vjet, rreth 1800 faqe, duke e lënë "transparencën" vetëm në titullin e librit që, me sa duket, nuk do të botohet kurrë.
A. Rr. Programi-pronësia
Çfarë është sistemi MeP?
Matura Shtetërore, që u realizua për herë të parë në vitin 2006, pati si mision të saj eliminimin e korrupsionit në pranimet e të rinjve në universitetet publike. Për të eliminuar këtë problem, Bit-Albania sh.p.k., i propozoi MASH-it sistemin MeP. Ai është një program kompjuterik shumë kompleks i ideuar dhe realizuar nga kjo firmë, që realizon dhe shpërndarjen automatike të maturantëve nëpër universitete, duke u mbështetur në parimin e Meritës dhe Preferencës, ose e thënë ndryshe duke u mbështetur në rezultatet e Maturës dhe dëshirat preferenciale të maturantëve për të studiuar në universitet. Në Drejtorinë e Patentave dhe Markave, MeP është një markë e regjistruar në pronësi të Bit-Albania sh.p.k. Gjithashtu, përfaqësuesit e kësaj firme pohojnë se ky sistem kompjuterik është i regjistruar si pronë intelektuale në Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit. Bit-Albania akuzon se po abuzohet me markën e tyre të regjistruar MeP. Ata shpjegojnë se logoja e programit, pronë e tyre gjendet në "Guida Matura Shtetërore 2008", botim i MASH-it. Deklarohet se procesi i shpërndarjes së maturantëve në IAL do të kryhet me sistemin MeP. Logoja MeP është vendosur gjithashtu në çdo formular A2, fotokopjen e të cilit e ka në shtëpi çdo maturant.