Heronjte qe hane kohe dhe para

Heronjtë që hanë kohë dhe para

Po, ministri aktual i Kulturës, duhej t’i kishte riparë vendimet e paraardhësit, Bujar Leskaj. Vendime që kanë të bëjnë me shpalljen e një duzine konkursesh për monumente historikë. Përderisa edhe ministri Ylli Pango, e ka quajtur të drejtë ndjekjen e të quajturës strategji për të vënë në vend “borxhet ndaj memories historike”, tregon se është një frymë e tërë që shtyhet në këtë fasadë po aq monumentale. Ka një sërë arsyesh që nuk e justifikojnë serialin e konkurseve. Arsye të politikës për prioritetet në kulturë dhe arsye të mentalitetit të drejtuesve të saj.

Pastaj humbja e kohës dhe shpenzime pa kriter të buxhetit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, janë shpërdorimi material në këtë mes. Në më shumë se gjashtë monumente në harkun kohor të një viti, asnjë prej tyre nuk është një vepër arti, e kohës, e re, moderne. Kjo dëshmon për një frymë anakronike. Është edhe shpërdorim parash, sepse një konkurs i tillë kushton së paku 5 milionë lekë (të reja). Po të merrnim në total të gjitha konkurset së bashku, sot do t’i kishim pa frikë institucionet kombëtare si teatër, opera, galeri arti dhe muze kombëtar me sistem të mirë kondicionimi dhe klimatizimi, që do të thonë shërbim sipas standarteve ndaj publikut në dimër dhe në verë dhe vënie dorë në kushtet mizerabël ku ruhet trashëgimia kombëtare.

Le të bëjmë një pyetje të thjeshtë: si i shërbejnë memories dhjetë buste të qeveritarëve të parë të Vlorës, duke i futur brenda mureve të muzeut të qytetit? Për të bërë një hap të tillë do ishte mirë të dihej një herë, sa vizitorë ka në ditë ky muze ku do të hyjnë këto koka bronzi milionëshe? Është një gjoja akt politik, që nuk ka asnjë lidhje me mjedisin qytetar, me dinamikën e tij, me vendin dhe kohën. Veç të tjerash, kjo sipërmarrje nga ana e MTKRS-së lë mënjanë ato forca pushteti që në fakt u takojnë t’i zbatojnë inciativa të tilla, pushtetit vendor dhe institucioneve të kulturës në rrethe.
E ngarkuara me punë pranë disa prej këtyre konkurseve kombëtare, studiuesja e artit, skulptorja, Suzana Varvarica Kuka, shpreh rezervat dhe jep argumentet e saj se ky proces është rudiment i së kaluarës.

A është normale shpallja e konkurseve të një seriali monumentesh dhe bustesh të karakterit politik dhe historik?
Shpalljen e konkurseve e kemi të trashëguar nga e kaluara e afërt. Shqiptarëve të atyre brezave, të para ’90-ës, kjo gjë nuk u jep asnjë shqetësim, madje mund t’u duket normale, por atyre që u rritën pas kësaj epoke i shqetëson paksa, mund t’u duket një situatë e turbullt. Mendoj se edhe ky rast na dëshmon se jemi ende në një periudhë tranzicioni politik, ku kanë ndodhur dhe ndodhin shumë ngjarje, për të cilat, grupe të politikave të djathta dhe të majta, i quajnë të rëndësishme monumentet, i quajnë dëshmi të historisë së zhvillimit të shoqërisë shqiptare nënkahet e tyre politikë. Unë e mendoj të pashmangshme këtë situatë, përderisa politika shqiptare të arrij në caqe të larta të vetedukimit dhe standartet e nivelit të jetesës së popullsisë shqiptare të jenë të kënaqshme.

A nuk do duhej t’i rishikonte ministri pasardhës i Kulturës, Ylli Pango, vendimet e ish-ministrit Leskaj?
Këtu ka një problem të padukshëm për çdo njeri që do t’i duhej të jepte një përgjigje të përgjegjëshme. Për këtë arsye flas me njohuritë që kam, por edhe duke bërë pyetjen: A ekziston një Bord i Vendeve Historikë dhe i Monumenteve në Shqipëri, një bord pranë instancave të larta shtetërore të trashëgimisë sonë, (në disa vende kjo trashëgimi përfaqësohet nga një ministri e trashëgimisë kombëtare) me status ligjor të përcaktuar qartë, që funksionon si trup këshillimor pranë ministrit përkatës, që ky i fundit bëhet pastaj zëdhënës deciziv i veprimtarisë së bordit në qeveri? Nuk di të jetë ngritur ky bord i cili mendoj se duhej t’i rishikone këto vendime.

Përse duhet një bord si ky?
Ende mendoj se mund dhe duhet t’u referohen përvojave dhe arritjeve të të tjerëve që tashmë japin modele nga më të mirat përkundrejt zhvillimeve. Po ju jap vetëm një shembull që vjen nga eksperienca kanadeze mbi ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike. Është një trup institucional që emërohet Historic Sites and Monuments Bord of Canada, i miratuar si një trup këshillimor i ministrit të Mjedisit që nga viti 1919. Ky bord merr propozime për të shpallur vende historike dhe ngritur monumente historikë nga publiku apo komuniteti (vëzhgimi i viteve të fundit tregon se 80% të subjekteve të memories historike, HSMBC-ja i merr nga komuniteti apo publiku), nga këshillet bashkiake dhe të komunave si dhe nga qeveria e vendit. Këto propozime merren në konsideratë, shqyrtohen, studiohen (deri në dizenjimin që do të kenë monumentet e figurave historike në rastin tonë, dhe organizon konkurset e ngre konisionet) rastet që do të memorizohen në kulturën kombëtare dhe së fundmi i sygjeronen Ministrit, i cili merr vendimin e prerë. Pas miratimit të vendimit nga Ministri zhvillohen procedurat administrative dhe së fundi shpallet paraqitja e rëndësisë së vendit dhe mbrojtja e tij prej institucionit të trashëgimisë kombëtare. Shkurt, mendoj se Ministri i ri duhet të propozojë në qeveri ngritjen e një lloj bordi të tillë.

Artistët që do t’u hyjnë konkurse për Fishtën, Qeverinë e Vlorës, Ëilsonit, tërheqin dosjet në Galeri. A është i plotë dokumentacioi që ata duhet të kenë për këto konkurse kombëtare?
Dosjet janë përgatitur në GKA. Informacioni që artistët kanë në ndonjë rast është i mjaftueshëm e në ndonjë rast jo. Për këtë pikë dalim në një tjetër problem. Mendoj se dosjet, me të gjitha informacionet e duhura duhet të realizohen nga specialistë të atij Bordi që u shpreha më lart dhe që konkretisht, në rastin e zhvillimeve tona duhet t’i përgatisin këshilltarë apo specialistë të kësaj fushe që punojnë në MTKRS dhe aspak në GKA. Nuk është aspak detyrë e GKA të ndjekë një proces të tillë, i cili është një ndërmarrje shumë e më gjërë e tërësisht e ndryshme se misioni dhe qëllimi i ekzistencës së GKA-së. Nëse GKA ka për qëllim të grumbullojë, ruajë, mirëmbajë, ekspozojë dhe të edukojë publikun nëpërmjet pasurisë dhe trashgëimisë së saj, Bordi i lartpërmendur ka për qëllim dhe mision të përcaktojë vendin, personazhin, çastin më të rëndësishëm historik, të miratojë dizajnin e veprës, të ndjekë realizimin e tyre nëpërmjet komisioneve me karakter historik- artistik dhe urbanistik, si dhe të shpallë të dokumentuar mbrojtjen e tyre si pjesë e trashëgimisë historiko-kulturore kombëtare. Pra janë dy institucione të ndryshme me dy misione të ndryshme.

A nuk bije kështu GKA në pozitë inferiore duke qenë vetëm zbatuese e këtyre vendimeve të MTKRS-së?
GKA nuk vendoset në pozitë inferiore, duke zbatuar këto vendime, por i merret koha dhe mjedisi i saj duke u kthyer në një ent shërbimi dhe konkretisht ajo vë në dispozicion stafin njerëzor dhe sallat e saj të ekspozimit për ministrinë nga e cila varet. Shpresoj të mos gaboj, ekspozimi i boceteve dhe projekteve të këtij lloji në kohën e komunizmit totalitar nuk janë ekspozuar në sallat e GKA-së, por në salla të tjera si ajo e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Nuk kam aspak idenë se lidhja famëkeqe duhet të riekzistojë, por sallat e asaj godine mund të përdoren për këso qëllimesh dhe aspak për restaurante, disko e buzuqe.

A nuk është kohë e humbur ngritja e monumenteve vetëm me karakter historikë, kur është një zbrazëtirë e madhe me vepra arti në hapësirat publike?
Jo, nuk mendoj kështu. Monumentet historikë duhet të ngrihen, t’ju kushtohet koha e duhur për një realizim profesional dhe të arrirë që njerëzit t’i vlerësojnë. Por është kohë e humbur që ne nuk jemi të zotë të ndërtojmë dhe të ekspozojmë në mjedise të hapura publike atë vepër arti ku mbizotëron subjekti, ngjyra, trajta, volumi dhe forma e çliruar nga tipologjia e personazhit njerëzor historik e heroik e vetëm prej bronzi. Këtë situatë mund ta kuptoj në Kosovë, edhe pse nuk e justifikoj. Po këtu, në Shqipëri, nuk e kuptoj aspak që në asnjë rast nuk flitet për sponsorizime të projekteve të tilla.

A kemi potenciale njerëzor, pra skulptorë për kaq shumë monumente dhe që kërkohen për një kohë kaq të shkurtër?
Po të shohësh se sa studentë diplomohen në skulpturë çdo vit duke filluar që nga viti 1960 do të thuash menjëherë: po ka potencialë numerik të tillë, por po t’i hedhësh një sy stutujave apo busteve të krijuara, të paktën pas viteve ’90, do të shohim cilësinë e potencialeve artistike, gjë e cila në të shumtën e rasteve nuk na çon shumë larg mentalitetit frymëzues të skulpturës së realizuar në metodën e realizmit socialist. Dhe që ta përmbysësh këtë mentalitet është shumë herët dhe shumë e vështirë. Gjithsesi datat e dorëzimeve të boceteve të rreth 12 skulpturave statujë dhe bocete janë shumë afër dhe atje statistikat do të tregojnë se kemi apo nuk kemi potencialë të tillë. Personalisht mendoj ndryshe.

Konkurset, në këtë kohë që po jetojmë, disa herë nuk lejojnë të shpalosen plotësisht potencialet artistikë. Vepra monumentale historike apo heroike e artit i besohet skulptorit edhe pa konkurs. Nuk duhet të anashkalojmë asnjëherë dallueshmërinë thelbësore që ka një shkollë akademike-realiste nga një shkollë alternativë. Fenomen ky që bije ndesh me kërkesat e konkurseve që kërkojnë të memorizojnë figura të historisë dhe të heronjve, kërkesa të cilat burojnë nga parametrat edukues të një shkolle akademiko-realiste.

Elsa Demo - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama