Haxhiu largohet nga Luftetari

Haxhiu largohet nga Luftëtari

Gerd Haxhiu nuk do të jetë trajner i Luftëtarit në Kategorinë Superiore. Lajmin e konfirmoi dje për "Panorama Sport" vetë vlonjati, i cili, pasi arriti të ngjiste në elitë gjirokastritët, ka ndërprerë bashkëpunimin me klubin. gerd Haxhiu"Pas bisedës që bëra me drejtuesit, nuk do të vazhdoj të jem më në krye të ekipit. Klubi me sa duket ka plane të tjera, i uroj suksese", ka thënë shkurtimisht Haxhiu, duke mos dashur të japë detaje të këtij largimi të beftë nga pankina bluzi. Vlonjati erdhi me shumë bujë në krye të Luftëtarit gjatë muajit shkurt. Ai arriti synimin e vendosur nga drejtuesit, duke e rikthyer skuadrën në Superiore, pas katër sezonesh në Kategorinë e Parë.

Mirëpo, edhe pse i ishte premtuar se kontrata do t'i rinovohej automatikisht nëse arrinte objektivin, ka ndodhur krejt e kundërta. Tashmë nuk dihet nëse edhe ndihmësi i Haxhiut, Edmond Kodra, do të jetë apo jo pjesë e stafit teknik. Zyrtarisht klubi nuk ka dalë me një qëndrim për lëvizjen e orëve të fundit në pankinë. Megjithatë, sot ose nesër pritet të ketë zhvillime të tjera te gjirokastritët. Donatori kryesor, Grigor Tavo, mësohet se do të afrojë një trajner të huaj, i cili në të kaluarën ka drejtuar skuadra greke.

Gjithashtu, pjesë e Luftëtarit pritet të bëhen edhe gjashtë lojtarë të huaj, që mendohet se do të bëjnë diferencën. Synimi i drejtuesve është që të ndërtojnë një skuadër që të mos e diskutojë mbijetesën, por gjithashtu të riorganizojnë të gjitha strukturat e klubit, duke u fokusuar edhe tek akademia. Ndërkohë, prej disa ditësh, klubi gjirokastrit ka nisur me rinovimet e kontratave dhe 70% e titullarëve kanë firmosur marrëveshje 3-vjeçare. Ende nuk janë zyrtarizuar mesfushorët Dejvi Bregu dhe Behar Ramadani, por gjasat janë që edhe këta të fundit të rinovojnë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama