Bursa olimpike ishte çështja që ndezi gjakrat vetëm pak orë përpara parakalimit në ceremoninë hapëse të "Rio 2016" në përfaqësuesen shqiptare për Lojërat Olimpike. Protagonisti ishte peshëngritësi Briken Calja, i cili akuzoi presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, se "mashtron publikisht për sa i takon bursës olimpike".
Sipas tij, ishte kualifikuar dhe merrte pjesë në "Rio 2016" vetëm falë shpenzimeve të familjes dhe dashamirësve. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Agron Haxhihyseni, në një prononcim për "Panorama Sport", hedh dritë mbi përjashtimin e Cales nga bursa.
"Ai, Brikeni nuk mund të tërhiqej nga Lojërat Olimpike, kur shteti e kishte grumbulluar dy herë. Janë bërë gjithë ato shpenzime si nga sponsorë të tjerë apo edhe nga vetë presidenti. Në gjuhë psikologjike, quhet pasioni i çastit mbi arsyen. Sa i përket çështjes së bursës, ju siguroj se jo më shumë se gjashtë muaj ka përfituar vetëm sportisti Ervis Tabaku. Për dijeni, Brikenit me ligj ndërkombëtar nuk i takon bursë sepse ka qenë i dënuar me doping.
As Erkandi, as Brikeni, as Romela, asnjëri nuk kanë të drejtë të përfitojë bursë sepse kush kapet me doping ka shkelur 'fair play', ka shkelur konkurrencën e ndershme sportive. Ndaj nuk u takon më. Është taksative në rregulloren e re të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Ndërkohë, ju konfirmoj që Calja ka kryer dy kontrolle antidopingu në Shqipëri dhe një sapo mbërriti në Rio. Gjithashtu edhe vajza ka kryer testin", ishte sqarimi i zyrtarit të federatës.
Përfaqësimi
Mes të tjerash, Haxhihyseni ka folur me superlativa me rezultatet e sportistëve. "Ky është suksesi më i madh që ka arritur peshëngritja shqiptare. Me dy sportistë arriti të futeshim në 10-shen e peshëngritësve më të mirë nga e mbarë bota. Në analizën time, ky ka qenë një rezultat fantastik. Dhe mbi këtë përfaqësim model është 'fair play' dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që ka federata me trajnerët, presidenti me trajnerët, sekretari me trajnerët dhe sportistët.
Të gjithë jeni në dijeni që shteti nëpërmjet federatës i grumbulloi dy herë përpara Olimpiadës, në Shtërmen dhe në Durrës". Sakaq, sekretari Haxhihyseni i hodhi poshtë pretendimet për një konflikt të mundshëm mes presidentit Gjoza dhe trajnerit Leonard Toska vetëm pak orë përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave më 5 gusht.
OLGERT SERANI