Halloween Amerike dhe Shqiperi

Halloween: Amerikë dhe Shqipëri

Nga qytetet më të gjelbër në Amerikë, mbushur me ketra, lepuj, rosa të egra e sorkadhe që shpesh shkaktojnë aksidente në rrugë, me më shumë profesorë sesa shitës e burokratë, me një popullsi së cilës në tri stinë të vitit i shtohen 50 mijë studentë, ku shumë sekretare, infermiere dhe mësuese filloreje, kanë një master përveç universitetit, ku porta e jashtme e shtëpisë sime rrallë mbyllet me çelës gjatë ditës dhe po ashtu rri edhe makina gjatë natës... pra në një qytet të tillë, thuajse mes kopshtijeve të modernes surreale (sidomos po të mendosh se Chicago problematike, që thuhet se u eliminua lehtë si pritëse e lojërave të ardhshme olimpike për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit, nuk është shumë larg), sot festohet Halloween.

Nëpër kopshtet e zbukuruara me lule vjeshte dhe krizantemë shumëngjyrësh, ku gjethet e studiuara të pemëve të kuqe, të gjelbra e të verdha formojnë ylber të lagësht mbi tokën që ende s'do t'i jepet dimrit e ngricës dhe mbrohet nën to, duken kudo kunguj gjigantë të gdhendur si fytyra që u ngjajnë ose përbindëshve të frikshëm ose foshnjave të ëmbla, sipas shijes së fëmijës më të vogël të shtëpisë ku festohet Halloween.

Gratë fluturojnë të blenë sheqerka dhe ëmbëlsira që u duhen dhënë fëmijëve dhe të rinjve që vijnë në grupe natën e nën kostumet "e frikshme" trokasin nëpër dyer të panjohurish për tradicionalen "Trick-or-treat", pra "më jep sheqerka, apo të të bëj një rreng?"...që më kujton një rutinë të ngjashme që mamaja ime thotë se dikur kryenin fëmijët në Kolonjë për Pashkë...

Natën kungujt do jenë të gjithë të ndezur e do duken shumë bukur nëpër shtëpitë pa mure ndarës. Fëmijët (por edhe të rriturit) mezi presin natën. Disa oborre ndihet që janë rregulluar që të duken si skena tragjike, ku do të harbohet natën që të ndjellin grupet e maskuara që enden rrugëve me shportat, në të cilat fusin sheqerkat e ofruara nëpër shtëpi të ndryshme.

Të gjithë presin pezull dramën "mortore" të natës që afron...Edhe me një ekonomi si kjo e tanishmja, ka familje që harxhojnë mijëra dollarë për të krijuar nëpër oborret pa mure rrethues, efekte speciale, zhurma, qenie që lëvizin e të hidhen në grykë kur hyn në rrugëzën përmes oborrit, eshtra që kërcejnë nga nëntoka e të kapin këmbën kur kalon në rrugën drejt shportës me sheqerka, e plot efekte akustike, zhurma e klithma befasuese, mjegull, tym, shpesh shumë komplekse e vërtet të frikshme. Unë për vete kërcej vazhdimisht përpjetë e tmerruar kur shoqëroj vajzat e mia për trick-or-treating. Po aty është gjithë qejfi..., thonë Ada dhe Lara.

Lidhja e varrezave me përbindëshit, shpirtrat e këqij, vampirët, fantazmat dhe zjarret brenda kungujve, siç mund të pritet, vijnë nga kohëra përtej "arsyes" moderne dhe historike, e sigurisht që janë parakristiane.

Origjina e festës zbret në paganizmin e bukur e të shfrenuar të festave druide të zjarrit, gëzuar e thurur aq bukur mes mbretërive të mbitokës e sidomos të nëntokës (pra atje ku ne ndihemi si në shtëpinë tonë të përhershme) mes keltëve në tokat e galëve, skocezëve dhe irlandezëve të hershëm.

Halloween, ose "Hallow E'en" më pas u modifikua, u kanalizua e u politizua nga feja kristiane që e lidhi me festat e "Tërë Shenjtëve" për katolikët, dhe me Pentecost-in për ortodoksët...(e pa dyshim, duke bërë kështu, gati i vrau shpirtin festës, siç i vret shpirtin martesa tradicionale një gruaje që e ka virgjërinë kategori trunore dhe jo të lidhur me hymen-in e saj)...

Por Halloween që u zhduk kudo, ia doli të jetojë në Amerikë...Mes fiksimeve fetare të përbindshme të kolonizuesve të parë, kokëfortësisë së ftohtë patologjike të puritanëve, dhe misticizmit të shfrenuar krijues të indianëve të vendit, Halloween u rrit e u gjallërua si festë që më të rinjtë e kësaj shoqërie sot e dashurojnë marrëzisht e mezi e presin dhe më të vjetrit e adhurojnë me mall rinie.

Duhet përmendur këtu konsumimin e shfrenuar amerikan që i ka dhënë hov dhe e ka ndotur me publicitet institucional këtë festë. Që në fund të shtatorit, plot shtëpi ishin zbukuruar, ndërkaq për Halloween, duke i shtuar dekorimet çdo javë.

Njerëzia s'i bën dot ballë reklamave që yshtin fëmijët e prindërit të blenë, të blenë, të blenë...totali i parave të shpenzuara për Halloween vitin e shkuar ishte 6 miliardë dollarë (66,5 dollarë për çdo konsumator të mesëm, 40% e së cilës shkon për kostume), thuajse shifër imorale po të mendosh se ka plot amerikanë pa sigurim shëndetësor. Dhe, pavarësisht nga kriza, shpenzimi mesatar për Halloween është rritur rregullisht çdo vit.

Por edhe në një qytet të qetë e paqësor si ky, një ditë e tillë nuk shkon pa disa tmerre herë të stisura e herë të vërteta që i shtojnë tensionin ardhjes së "natës së shpirtrave të këqij"... e të mirë.

Nuk flas për komentin cinik e qëllimisht të anshëm të Baudrillard-it për "festën sarkastike...kërkesë skëterrore e revanshit të fëmijëve ndaj të rriturve, ...ku amerikanët fshihen që të mos bezdisen nga vizitorët...ku disa kallin gjilpëra e brisqe brenda ëmbëlsirave..."

Ai pozicionohet hidhshëm, me armën e karikaturës në dorë dhe me anshmëri të dukshme politike, i kompleksuar ndaj gjithçkaje që ndodh në Amerikë dhe bën mizën buall thuajse në gjithçka e jo pa dashje...

Por, ndoshta ai ka një lloj të drejte: diçka në shpirtin e Halloween-it, festës së shpirtrave të frikshëm të nëndheut, të përbindshave, vampirëve dhe shtrigave, është sugjestive për shpirtin e trazuar njerëzor; diçka në të zgjohet për keq, shqetësohet dhe çon njerëz me një mungesë paraprake ekuilibri, drejt veprimesh që në ditë më të qeta nuk do t'i kryenin.

Vitin e shkuar, dy javë para festës policia e qytetit mori një letër, në të cilën qenia anonime shkruante se natën e Halloween-it do të vriste dikë në Green Street, në zonën e klubeve të natës të kampusit universitar, ku zakonisht studentët rrinë e argëtohen të dehur e të maskuar për Halloween deri herët në mëngjes.

Çfarë e bëri këtë kërcënim terrorist të besueshëm e të frikshëm, është se personi që e shkroi tregonte se ditën kur e kish shkruar, kish shtënë me armë në dy dritare të dy makinave të ndryshme në parkimin e kinemasë më të madhe në qytet. Po atë natë policia vërtet kish marrë dhe verifikuar dy raportime nga dy qytetarë që kishin gjetur makinat e tyre të dëmtuara kur dolën nga kinemaja. Pra terrordashësi u desh marrë seriozisht...

Policia e Universitetit dhe e qytetit bënë natën ditë ato dy javë. Padyshim studentët marrin mesazhe e-maili të përditshme nga Universiteti mbi mënyrën si të sillen e si të mbrohen nga të tjerët e nga vetja natën e Halloweenit.

Sidoqoftë, një ngjarje të së shkuarës disi më të largët, nuk e konsideroj shaka. Kur sapo arrita në këtë qytet për të nisur studimet pasuniversitare në 1995, mëngjesin pas Halloween-it, qyteti u zgjua i tmerruar nga tri ngjarje tronditëse.

Një student kinez që bënte doktoratën, natën më parë kish therur të shoqen në një moment të keq xhelozie, depresioni, mungesash dhe çmendurie dhe ishte mbyllur në apartamentin e vet me dy vajzat e vogla...dhe kjo nuk ishte larg apartamentit ku unë atëherë jetoja vetëm me vajzën time tetë vjeçe, në një lagje ndërtuar në një park për studentë pasuniversitarë me familje.

E dyta ngjarje edhe më e pazakontë, ishte se po atë natë, në ndërtesën ngjitur me atë ku ish zyra ime në kampusin universitar, u gjet pa jetë, i gjakosur, trupi i një profesoreshe italiane të bukur e të suksesshme.

Ngjarja e tretë ishte se herët në mëngjesin pas Halloween-it, mbi shinat e trenit u gjet trupi i pajetë i një studenti pasuniversitar që priti trenin e parë dhe iu hodh kur treni u afrua.

Dy ngjarjet e fundit ishin në fakt e njëjta ngjarje. Djaloshi student, i dashuruar keq me profesoreshën e vet (të martuar e me disa fëmijë), e vrau atë teksa dilte nga zyra atë natë dhe më pas edhe veten mbi shina.

Pabesueshmërisht edhe këtu, njëlloj si në fshatin tonë të madh passocialist, gojët e përbindshave të vërtetë (jo atyre të Halloween-it, por ato të pazhdukshmit e gjithkohës dhe gjithhapësirës), thoshin se ajo i mbante fundet shumë të shkurtra, bluzat shumë të hapura mbi gji dhe këpucët shumë të larta...

Perëndi! Më jep më mirë përjetësisht Halloween, të mos mundem t'i dëgjoj këto sirenat universal puritane e intolerante të vdekjes për së gjalli...të pranishme në Amerikë njëlloj si edhe në Mesdhe. Mbaj mend që prindërit e mi, kur u tregova mbi këto ngjarje, më thanë se nuk duhet të rrija më në një qytet "kaq të çmendur"..."pervers", donin të thoshin, besoj.

Këto, nuk janë ngjarje të zakonshme, por nuk është rastësi që ndodhin në net Halloween-i në Amerikë... Vërtet besoj se kur shpirti njerëzor, për arsye të tjera ka humbur ekuilibrin shpirtëror e mendor, atmosfera e Halloween-it e sugjestionon të bëjë hapa drejt vdekjes, më thjeshtë e më lehtë se në ditë të tjera...

Por, kjo nuk është arsye t'u mohohet gëzimi miliona njerëzve e familjeve që ndërtojnë ditë e kujtime të bukura kësaj nate, që e kanë atë pjesë të së shkuarës, të formimit të vet social e shoqëror, të kulturës që përcjellin e krijojnë. Nuk do të ishte keq sikur njerëzit të mësonin t'i rezistonin komercializmit, sidoqoftë...

Sot studentët shpesh vijnë nëpër klasa me kostumet e Halloween-it dhe me makiazhe shumë komplekse. Këtë vit, si pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, shumë studentë venë maska karikaturore figurash politike, që nga dy kandidatët Obama dhe Mc Cain, të Palin, Biden, Bush, Hill e Bill Clinton, Nancy Pelosi, Dick Cheney etj.

Para pak vitesh pata një student që erdhi në mësim me një kostum të përsosur (kushedi sa kish paguar e mjera e ëma a i ati) të "Fantazmës së Operas", dhe me grim po aq perfekt. Aktronte kur hyri dhe gjithë orën, madje edhe kur përgjigjej.

Kish ndryshuar sjelljen, zërin...Ishte disi e pabesueshme, sepse ishte nga studentët më introvertë, shumë i zgjuar dhe i ditur, por shumë i heshtur e i turpshëm. Në ditë si kjo e sotmja, mësimi vazhdon, sepse asnjë ditë mësimi nuk mund të humbasë kurrsesi...ndryshe, dikush humbet punën që mezi e ka...por fokusi i vërtetë i mësimit lëviz në perspektivën që do të sjellë nata e bukur e fundvjeshtës.

Para dy vjetësh Lara e festoi Halloween-in në Tiranë, sido që Tirana ende nuk e feston atë aq fort...por prapë e njeh disi festën. E festuan bashkë me Adrin, kushërirën e vet dy vjet më të madhe se Lara. Kostumet i kishim sjellë me vete nga Amerika: Lara ishte veshur si balerinë kabareje, ndërsa Adri si shtrigë e bukur. Fytyrat ua leva unë, sado e paaftë qofsha në grimin.

Me babin e vet, Lara gdhendi dy kunguj e jo një ...ndoshta kungujt në Shqipëri ende janë pak më të lirë se në Amerikë. Pjesët që duheshin gdhendur i vizatuan, në njërin kungull Lara e në tjetrin Adri. I vunë poshtë pallatit, i ndezën dhe ishin aq krenare e të gëzuara. Njerëzit që kalonin, ndalonin e sodisnin të mrekulluar.

Vendosëm t'i linim të digjeshin tërë natën. Pastaj gjyshe Dhimitra i shoqëroi dy mbesat nëpër komshinj, portë më portë (ku gjyshi Beqo më parë kish propaganduar ardhjen e tyre si dhe blerjen e gjërave të ëmbla). Nga xhaxhi Xhemali, te xhaxhi Sufi, te teta Jeni e teta Leni...

Lara u gëzua shumë me ëmbëlsirat, se "në Shqipëri nuk të jepnin vetëm karamele, biskota, dhe rrush të thatë, por bakllava, kek dhe çokollata...madje edhe byrek diku". Kur u zgjuam në mëngjes, Lara vrapoi e para poshtë të shihte si kishin gdhirë dy kungujt e lënë mbi shkallët hyrëse jashtë pallatit.

U kthye lart duke qarë: njërin kungull e kishin vjedhur. I thashë të mos mërzitej se ndoshta disa kalamaj të tjerë kanë luajtur me atë, duke qenë se ne kishim dy. Më mirë kështu... Lara më tha se nuk ishte mërzitur se e kishin marrë, por sepse kungulli që kishin marrë ishte ai që kish vizatuar Adri..., pra ai i Larës nuk u kish pëlqyer shumë "grabitësve".

Lara ime e vogël, tani 9 vjeçe, para se të nisej për në shkollë sot në mëngjes, nxori mbi verandën para shtëpisë kungujt e saj të gdhendur mbrëmë. Kur të kthehet nga shkolla do t'i ndezë. Më porositi se duhet të blija qirinj të gjatë për kunguj të mëdhenj dhe shumë karamele e çokollata të ndryshme për ata që mund të vijnë për "trick-or-treat". Për Larën koha e princeshave ka ikur...

Tani që është "kaq e madhe" nuk mund të merret më me to. Këtë vit Lara do të jetë përsëri vampireshë, ndërsa qeni i saj Zeus do vishet si djall me brirë. Pret që Ada, motra e madhe, t'i bëjë grimin e fytyrës.

Veç një fustani të zi me fasha të kuqe rreth belit dhe me një jakë të bardhë që ngrihet gjigante mbi qafën e saj të hollë, ka blerë një paruke të zezë me fije flokësh gri vende-vende që të mbulojë flokët e bukur biond në rozë, një shishkë me ngjyrë gjaku që duhet t'i rrjedhë nga dy krahët e buzëve ku shfaqen dy dhëmbë vampiri, dhe një solucion që do t'ia bëjë thonjtë e duarve fosforeshentë natën.

Ada, vajza ime 22 vjeçe që, siç u takon të rriturve jeton më vete tani, nuk e di se çfarë ka vendosur të bëjë. (Por e di që kostumet janë blerë me mend në kokë, e stisur e kombinuar që të mos harxhohet shumë).

Pas tyre, vigjilent e i palodhur, do t'i ndjekë nga makina syri im që ruan se mos, bën vaki, ndonjë i çmendur gjen sot ditën...ose më mirë natën, të ekzibicionojë trazimin e vet. Më pas unë do të jem në një festë me maska, por shumë më të përmbajtur sesa ato të Venecias - "la serenissima".

 

 

Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama