Guvernatori Sejko Ju tregoj parate e shqiptareve

Guvernatori Sejko: Ju tregoj parate e shqiptareve

Nëse në momentin e parë emri i tij si Guvernator i Bankës së Shqipërisë ishte një befasi, sot Gent Sejko mund të numërojë si “asete” të tij edhe votimin gati unanim për të nga Parlamenti, por dhe mbështetjen e hapur e publike të Ramës dhe Metës, por dhe të presidentit Nishani që e dekretoi. Një rast i rrallë në Shqipëri. Në këtë intervistë të parë publike të tij, Guvernatori Sejko flet për të sotmen dhe të nesërmen e institucionit që drejton, garanton kursimet e shqiptarëve, flet për mundësitë e rritjes së kreditimit nga bankat e nivelit të dytë, për kreditë e këqia dhe bën një premtim: do të monitorojmë komisionet e bankave për të shmangur çdo abuzim të mundshëm të bankave në kurriz klientëve. “Shpejt firmos për një studim në nivel rajonal për të parë nëse ka diferenca të dukshme me vendet e tjera të rajonit dhe çfarë mund të përmirësojmë më tej në këtë drejtim”, thotë Guvernatori Sejko

Jeni rikthyer në Bankën e Shqipërisë tashmë si Guvernator i saj. Çfarë do të thotë një gjë e tillë për ju që e keni nisur karrierën tuaj po këtu si specialist më shumë se 20 vjet më parë?


Ka qenë një karrierë e gjatë, me hapa të njëpasnjëshëm, që tani që kthej kokën pas më duket më e gjatë sesa kur e jeton ditë mbas dite. Në shqip kjo fjalë tingëllon disi e vrazhdë, ndaj më lejoni të mos e përmend më. Çdo hap në detyrat që kam pasur ka qenë një eksperiencë e veçantë nga e cila jam përpjekur të përfitoj maksimalisht, si në fushën teknike ashtu edhe në atë menaxheriale. Ndaj dhe emërimin në pozicionin e Guvernatorit  e kam përjetuar si një hap mjaft të rëndësishëm, madje më të rëndësishmin, si shkalla më e lartë e testimit të një eksperti të kësaj fushe, për të cilën jam angazhuar ta përmbush me standardet më të larta të integritetit, të besueshmërisë dhe profesionalizmit të një bankieri.
 
Dita juaj e parë e punës mbas votimit me shumicë të plotë votash në parlament ishte dhe rikthimi i parë pas shumë kohësh të stafit në ambientet tradicionale të Bankës. Ju u prezantuat nga Kryetari i Kuvendit dhe një nga premtimet tuaja të para ishte transparenca në aktivitetin e institucionit. Çfarë ka ndodhur në këto ditë të para mbas mureve të trashë të Bankës?


Natyrisht që kanë qenë  ditë të veçanta, të mbushura me emocion dhe me ndjenjën e madhe të përgjegjëesisë. Të jesh Guvernator i Bankës së Shqipërisë është një privilegj nëse e sheh nga jashtë, por në të vërtetë është shumë më shumë se kaq, është një përgjegjësi shumë e madhe. Ditët kanë pasur intensitetin e tyre, me takime të rëndësishme pune kryesisht me stafin,  për t’u njohur nga afër me problematikat dhe çështjet kryesore të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.


Gjatë kësaj periudhe kam qenë e vazhdoj të jem i përqendruar në çështjet më të rëndësishme të punës në Bankën e Shqipërisë, duke përcaktuar prioritetet, për të njohur sa më shpejt problemet e në të njëjtën kohë, për t’i dhënë drejtim punëve e marrë vendimet e duhura operacionale. Sigurisht që transparenca është një nga objektivat kryesorë. Në këtë drejtim, sikurse e kam theksuar edhe në Komisionin e Ekonomisë, ne do të bëjmë disa përmirësime të mëtejshme, veçanërisht në lidhje me  publikimet e vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por edhe në tërësinë e vendimmarrjes së politikave të Bankës. Jemi në rrugë e sipër, por ende herët për të folur konkretisht.
 
Ju jeni një nga shtetasit shqiptar me karrierën më të lartë në sistemin bankar. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me politikën, a keni një ide se si mbërriti emri juaj në tryezën e Presidentit të Republikës?


Ndoshta do të isha i fundit që do të kisha mundësi të komentoja procesin e përzgjedhjes së Guvernatorit. Aq më shumë të flisja për detaje politike apo teknike të këtij procesi, i cili gjithsesi ka qenë transparent dhe është zhvilluar me disa etapa. I jam përgjigjur pozitivisht dhe me mirënjohje njerëzore e profesionale ftesës publike që Presidenti i Republikës ka bërë për postin e Guvernatorit. Aplikova me dosjen time i inkurajuar nga eksperienca e gjatë menaxheriale që kam në sistemin bankar, falë të cilës kam fituar një ekspertizë të gjerë në çështjet bankare e financiare. Në nxitjen time për të aplikuar për këtë pozicion, ndikoi dhe deklarata e kryeministrit Rama në ambientet e Bankës së Shqipërisë, ku theksoi se Guvernatori do të zgjidhet nga sistemi bankar e financiar e po kështu, edhe qëndrimet e herëpashershme publike për të njëjtën gjë nga kryetari i Kuvendit Meta për procesin e përzgjedhjes së Guvernatorit të ri të bankës. Eshtë hera e parë që po e them publikisht, por dua të shfrytëzoj këtë rast për të falenderuar jo vetëm Presidentin, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, por të gjithë klasën politike për mbështetjen që i dhanë Bankës së Shqipërisë për zgjedhjen e një Guvernatori konsensual. Jam i bindur se një gjë e tillë është shumë më shumë se votimi për një emër të përveçëm; bëhet fjalë për një vullnet të fortë pozitiv politik për seriozitetin e financave të vendit.
 
Fillimisht përpara votimit për ju, keni bërë një prezantim të gjatë në Komisionin e Ekonomisë, cilat janë idetë tuaja për rolin e djeshëm të Bankës së Shqipërisë dhe çfarë mendoni të ndryshoni në to?


Mendoj se Banka e Shqipërisë ka qenë një institucion i vlerësuar si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit nga institucionet dhe partnerët ndërkombëtare në shumë drejtime, ku kryesisht është theksuar dhe vlerësuar roli i saj në drejtim të ruajtjes së stabilitetit monetar dhe garantimit të stabilitetit financiar në vend. Mbi të gjitha, për punën e Bankës së Shqipërisë, dëshmon edhe historiku pozitiv që ka institucioni në përmbushjen e detyrave të tij. Pavarësisht luhatjeve, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se niveli i çmimeve është i qëndrueshëm, se monedha kombëtare nuk ka luhatje të mëdha, se kursimet e qytetarëve janë të sigurta dhe se institucionet financiare vazhdojnë të operojnë në mënyrë të rregullt.


Por, sot, ekonomia shqiptare, si rrjedhojë edhe e zhvillimeve ndërkombëtare dhe evropiane, po përballet me një sërë sfidash të cilat po vënë në “provë” edhe rolin e bankës qendrore në Shqipëri. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë mbetet një institucion i mandatuar për garantimin e stabilitetit të çmimeve dhe për promovimin e stabilitetit financiar të vendit. Unë jam i bindur se ne do të përmbushim më së miri këtë mandat.


Ne do të vazhdojmë të kryejmë rolin tonë të Bankës Qendrore, duke përdorur si instrumentet e politikës monetare, instrumentet e mbikë­qyrjes dhe ato rregullatore, duke zhvilluar më tej sistemin e pagesave, duke kryer reformat e nevojshme strukturore në arkitekturën e mbikëqyrjes së sistemit financiar në bashkëpunim me institucionet partnere kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe duke fuqizuar rolin e kërkimit shkencor në Bankën e Shqipërisë. Kam besim të plotë se në ditët dhe muajt e ardhshëm, Banka e Shqipërisë do të jetë një institucion “model” dhe efiçient në kryerjen e funksioneve në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë dhe do të arrijë me sukses objektivat afatmesme e afatgjata.
 
Rritja e kreditimit shfaqet si një nga shqetësimet kryesore për ekonominë dhe biznesin. E konsideroni të drejtë një gjë të tillë dhe çfarë mendoni se duhet të bëni ju për të ecur në këtë drejtim?


Ecuria e kreditimit ka qenë një shqetësim i rëndësishëm për Bankën e Shqipërisë, të cilën ajo vazhdimisht është përpjekur ta sjellë në vëmendje e bankave dhe publikut, duke ndërmarrë edhe nisma e plane konkrete për nxitjen e kreditimit në vend. Duhet të pranojmë se pavarësisht kësaj, rezultatet nuk kanë qenë në masën e pritur, nisur dhe nga fakti se nxitja e kreditimit në këtë mënyrë ka qenë e njëanshme. Kreditimi, në fund të fundit, është një proces ofertë- kërkesë prandaj dhe rritja e ndërmjetësimit financiar të bankave në ekonomi nëpërmjet kreditimit do të stimulohej edhe më shumë nga krijimi i klimës së përshtatshme ekonomike nga të gjithë faktorët, shtetërorë dhe privatë. Në këtë mënyrë, pjesë e axhendës së punës tonë do të jetë bashkëpunimi i ngushtë me bankat tregtare dhe biznesin, për të rritur dhe ndërmjetësuar marrëdhënien bankë-biznes.
 
Portofoli i kredive të këqija në bankat e nivelit të dytë është i konsiderueshëm, çfarë do të mendonit se mund të bëhet për uljen e tyre?


Një nga faktorët kryesorë të krijimit të problemit të kredive me probleme ka qenë dhënia e kredive për disa sektorë të caktuar që kanë patur rritje të lartë për kohën, të cilët më pas janë goditur nga kriza financiare dhe zhvillimet post-krizë, duke vënë në vështirësi bankat të cilat nuk arritën të tregonin profesionalizmin e nevojshëm për të bërë një strukturim të duhur të portofolit. Tashmë është e rëndësishme të analizohen dhe rishikohen me kujdes dhe vëmendje të gjitha ato kredi të cilat kanë mundësi rigjallërimi, duke i dhënë mundësi bizneseve përkatëse të reagojnë dhe rifillojnë aktivitetin e tyre. Mbi të gjitha, sot është e nevojshme që bankat të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me bizneset, për të shmangur ngërçin dypalësh e për ti dhënë frymëmarrje ekonomisë.
 
Ka një shqetësim të shprehur nga qytetarët në marrëdhënie me bankat, kryesisht për kostot e fshehura shtesë që ata marrin për shërbimin; si qëndrojnë ato në raport me vendet e tjera të rajonit dhe çfarë mund të bëhet për rritjen e transparencës?


Aktualisht, çështja e kostove të shërbimeve që ofrojnë bankat mbulohet dhe mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë nëpërmjet një rregulloreje të veçantë të saj, e cila i detyron bankat tregtare të jenë transparente ndaj klientëve duke publikuar të gjithë listën e kostove që shoqërojnë veprimet dhe shërbimet bankare. Gjithsesi, edhe në prezantimin që unë kam bërë si Guvernator, jam angazhuar për një monitorim të aplikimit të komisioneve që të mos ketë komisione të fshehura për klientët dhe që të shmanget çdo abuzim i mundshëm i bankave në kurriz të tyre. Pjesë e këtij procesi do të jetë edhe ndërmarrja e një studimi në nivel rajonal për të parë nëse ka diferenca të dukshme dhe çfarë mund të përmirësojmë më tej në këtë drejtim.
 
Gjykoni se është tejkaluar ngërçi i verës së shkuar kur u konstatua një vjedhje në Bankën e Shqipërisë. Çfarë masash gjykoni se duhen marrë që një gjë e tillë të mos përsëritet?


Filozofia ime e punës mbështetet në parimin se nuk ka gjëra të vogla dhe të mëdha ne procesin e menaxhimit. Në funksion të kësaj filozofie, do të vlerësohen të gjitha problematikat dhe sfidat e menaxhimit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë. Ngjarja e ndodhur nxori në pah disa problematika, të cilat do të marrin vëmendjen e duhur, por ajo që dua të theksoj është se zhvillimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm  dhe parandalimit dhe rritja e efektivitetit operacional duhet të kenë gjithmonë vëmendjen maksimale për të shmangur ngjarje të ngjashme në të ardhmen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama