Guardiola Dhashe jeten uroj ta fitoje Anceloti

Guardiola: Dhashë jetën, uroj ta fitojë Ançeloti

Nuk e dërgoi Bajernin në finalen e Champions-in dhe kjo do të jetë gjithnjë "por"-i që do të zbehë jetëshkrimin e karrierës së Pep Guardiolës në Mynih. guardiolaPor katalanasi është krenar për atë që lojtarët e tij bënë këto vite dhe uron që një sukses më të madh në Europë gjermanëve t'ua sjellë pasardhësi i tij, Karlo Ançeloti.

"Uroj Atletikon, por jemi të kënaqur për atë që bëmë. Shpresoj që Ançeloti ta sjellë këtë skuadër në një nivel më të lartë.

Vendosën episodet?

Në një gjysmëfinale Champions-i ka gjithnjë episode, por ato nuk janë përcaktuese. Luajtëm shumë mirë. Unë për këtë punoj. E ndiej futbollin në këtë mënyrë. Humbëm ndaj një ekipi shumë të fortë. Njerëzit janë të zhgënjyer me mua, por provova të ndihmoj lojtarët". Bajerni dha gjithçka, por Atletiko u kualifikua. Kështu është futbolli. Mund të japësh më të mirën dhe të mundesh. Më vjen keq për lojtarët. Është një grup fantastik që e meritoi të shkonte në finale.

Jeni i kënaqur me mënyrën si luajtët?

Na ndau një gol nga kualifikimi, por ne luajtëm shumë mirë. Luajtëm ashtu siç deshëm. Unë jam shumë krenar për lojtarët e mi. Urime Bajernit që e pret një e ardhme e madhe me këta futbollistë.

A u përmbush misioni juaj në Mynih?

Ndoshta, por nuk është detyra ime ta analizoj këtë. Unë dhashë gjithçka, dhashë jetën. Uroj që Ançeloti ta dërgojë në një nivel më të lartë skuadrën. Ne bëmë të pamundurën. Vendosin episode që disa herë shkojnë në favor dhe disa herë kundër. Ne luajtëm shumë mirë këto 90 minuta. Të gjithë presin që çdo vit unë të bëj tripletën, por nuk jam kaq i zoti. Herë ia dal dhe herë jo. Nuk kam asnjë keqardhje, rivalët ishin shumë të fortë. Ndonjëherë njerëzit e kapin me mua dhe më vjen keq. Por unë kam punuar për këta lojtarë dhe jam përpjekur t'i ndihmoj, duke u munduar ta konceptojnë futbollin në një tjetër mënyrë.

Si t'u duk gjykimi?

Nuk jemi këtu për të folur për arbitrat. Për kë do bësh tifo në "Bernabeu"? Dua që sot të kualifikohet Mançester Siti.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama