Grushte te femrat lojtarja e Dajtit dhunon arbitren

Grushte te femrat, lojtarja e Dajtit dhunon arbitren

Grushtet nuk përjas htojnë as futbollin e femrave. Ndeshja AAS-Dajti e vlefshme për javën e 17-të është ndërprerë në minutën e 55-të për shkak se arbitrja kryesore e ndeshjes Emanuela Rusta është goditur në fytyrë dhe është tërhequr prej flokësh në fushën e lojës teksa ndeshja po luhej. emanuela rustaPortierja e Dajtit Albina Çaushllari, pasi është ndëshkuar me karton të kuq, ka shpërthyer duke goditur arbitren kryesore. Në moment, Rusta ka ndërprerë lojën duke i dhënë fund edhe pse duheshin edhe 35 minuta për t'u luajtur.

Gjithçka ka ndodhur pas një faulli të fituar nga Thomaj për AAS. Ka qenë një kundërsulm i vajzave shkodrane drejt portës mike. Mes saj dhe një lojtareje të Dajtit ka pasur një përplasje dhe arbitrja ka akorduar faull për AAS. Në atë moment portierja e Dajtit Çaushllari ka ngritur zërin duke kërkuar që për lojtaren e AAS të ketë karton të verdhë.

Për protestë Çaushllari është ndëshkuar me karton të verdhë. Menjëherë pas kartonit të parë, portierja e Dajtit ka sharë dhe fyer arbitren kryesore. Në vend ka nxjerrë kartonin e dytë të verdhë duke e nxjerrë me të kuq. Kur është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, Çaushllari i është afruar arbitres Rusta dhe e ka goditur me grusht duke bërë që të ketë hemorragji gjaku. Më pas e ka kapur edhe nga flokët dhe në ato momente ka ndërhyrë arbitri i katërt duke e larguar portieren.

Në moment Rusta pas dhunës që është ushtruar ndaj saj ka ndërprerë lojën duke i dhënë fund ndeshjes përpara kohe. Gjatë gjithë kohës sfida AAS-Dajti është zhvilluar me një lloj tensioni edhe pse të dy ekipet tashmë nuk kanë asnjë lloj pretendimi sepse vetëm një javë ka mbetur që kampionati të mbyllet dhe fatet e ekipeve janë përcaktuar prej kohësh.

Në ato momente kur është ndërprerë loja, rezultati ishte 2-0 për AAS teksa golat janë shënuar nga Tukaj në minutën e 30-të dhe Thomaj në minutën e 37-të. Tashmë duhet pritur se cili do të jetë vendimi i Komisionit të Disiplinës në FSHF pas ngjarjes së shëmtuar ku dhuna prek edhe futbollin e femrave. E kontaktuar në telefon nga gazeta, gjyqtarja Rusta nuk preferoi të japë asnjë koment për çështjen.

"Pa marrë leje nga federata që unë mund të flas përreth asaj që ka ndodhur unë nuk jap asnjë koment. Nuk më lejohet të jap asnjë lloj informacioni", u shpreh Rusta.

Trajneri

"Gjyqtaren vetëm e ka shtyrë"

Trajneri i Dajtit, Klaudian Gjonpalaj, ka mohuar se gjyqtarja e ndeshjes është dhunuar nga një lojtare e ekipit të tij, por veçse e ka shtyrë. Madje, kreu i pankinës kryeqytetase hedh akuza se ka qenë arbitri i katërt që ka tentuar të godasë njërën prej futbollisteve.

"Arbitrja dha një faull kundër nesh në një kohë që duhej ta kishte dhënë për ne. Nuk e ka goditur siç thuhet portierja jonë arbitren, por vetëm e ka shtyrë. Në fushë është futur arbitri i katërt dhe ka tentuar të godasë njërën prej futbollisteve tona. Aty më pas është bërë edhe rrëmuja dhe është ndërprerë ndeshja. Nuk e kuptoj pse na dëmtojnë arbitrat", e mbylli deklaratën e tij për gazetën trajneri i Dajtit.

PRESIDENTI

Gëzim Gjonpalaj: Ngjarjen e shkaktoi

Borova I indinjuar nga incidenti në transfertën e Shkodrës, presidenti i Dajtit, Gëzim Gjonpalaj, ka akuzuar direkt arbitren Fatjona Borova si shkaktare.

"Unë i kam dërguar shkresë FSHF-së që arbitrat e Lezhës dhe të Shkodrës të mos gjykojnë ndeshjet tona sepse janë të njëanshëm kundra nesh. Kjo ngjarje është e shkaktuar nga arbitrja

Fatjona Borova, e cila ishte jashtë fushe duke parë ndeshjen dhe i ka thënë arbitres Rusta që të nxjerrë karton të kuq. E ka bërë këtë sepse ne kemi dërguar shkresë që ajo të mos gjykojë ndeshjet tona. Të gjithë ngjarjen e shkaktoi Borova dhe askush tjetër".

Përgatiti: SENAD NIKSHIQI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama