Grupi i tritolit raportonte vetem te Vladimir Gjuta

Grupi i tritolit raportonte vetem te Vladimir Gjuta

Të arrestuarit dispononin numra të veçantë telefoni, me të cilët komunikonin vetëm me njëri-tjetrin dhe shtetasin Vladimir Gjuta, i shpallur në kërkim si organizatori i grupit kriminal përgjegjës për shpërthimin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm.

Të arrestuarit si përgjegjës për shpërthimin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre gjatë marrjes në pyetje. Pesë të ndaluarit kanë deklaruar për policinë se nuk kanë lidhje me asnjë prej ngjarjeve të klasifikuara tashmë si akte terroriste. Në disa seanca të veçanta pyetjesh, të dyshuarit kanë paraqitur alibi, duke thënë se në momentin e ngjarjes ata ndodheshin në banesat e tyre, fakt ky që mund të konfirmohet edhe nga familjarët.

Por këto pretendime, sipas burimeve rrëzohen nga provat e mbledhura gjatë hetimit 2-javor, ku nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe telefonave celularë u bë i mundur identifikimi i të paktën 7 personave të implikuar në dy ngjarje të rënda, siç ishte shpërthimi në farmacinë e shtetasit Bashkim Tahiri dhe tritoli i gjetur në stacionin e autobusit në zonën e “Vasil Shantos”.

Një provë e rëndësishme sipas hetuesve janë komunikimet telefonike të pesë prej të dyshuarve me shtetasin Vladimir Gjuta, i dyshuar si kreu i grupit dhe organizator i sulmeve me tritol. Gjatë dy ditëve kur të arrestuarit kanë bërë përgatitjet e fundit për prodhimin dhe vendosjen e bombave në Tiranë, trafiku i thirrjeve telefonike është përqendruar vetëm në një numër, i cili qëndronte pa lëvizur në zonën e Saukut, në periferi të Tiranës. Ky numër telefoni sipas hetuesve i përket shtetasit Vladimir Gjuta, i cili gjatë kësaj kohe ndodhej me masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe dyshohet se qëndronte në kompleksin në pronësi të tij në Sauk.

Të paktën gjatë periudhës 9 deri në 14 shkurt, i dyshuari është identifikuar në këtë vendndodhje, pasi gjatë kësaj kohe ai ka patur komunikime telefonike me të gjithë të dyshuarit. Prokuroria ka përcaktuar edhe një skemë për mënyrën se si vepronin të arrestuarit, të cilët dispononin telefona celularë me të cilët komunikonin vetëm me njëri-tjetrin.

Këta numra të identifikuar tashmë dhe të regjistruar në emër të të dyshuarve janë përdorur në datat 9, 10, 11 dhe 12 shkurt, kohë gjatë së cilës kanë patur komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin dhe shtetasin Vladimir Gjuta, i cili gjatë këtyre ditëve ka qëndruar pa lëvizur për shkak të masës së sigurimit që gjykata kishte caktuar ndaj tij si i dyshuar për kundërshtimin e punonjësve të policisë.

Të dhënat e hetimit të deritanishëm tregojnë se të dyshuarit raportonin te Gjuta, pasi një ditë përpara ngjarjes dhe më pas rezulton të ketë patur një fluks të madh telefonatash drejt numrit të tij celular. Po ashtu dhe vetë i dyshuari si kreu i grupit, me këtë numër telefoni komunikonte vetëm me të arrestuarit dhe jo me persona të tjerë, çka sipas hetuesve e ka bërë më të thjeshtë lidhjen mes tyre, pasi më parë ishte përcaktuar se numrat e përdorur në shpërthime u përkisnin të dyshuarve. Ky fakt u konfirmua nga një pakujdesi e njërit prej të dyshuarve, i cili numrin e telefonit të gjetur me tritolin në zonën e “Vasil Shantos” e kishte aktivizuar një ditë më parë në telefonin celular të një të afërmi të tij.

Më pas, këtë aparat telefoni e kishte përdorur me numrin celular të regjistruar në emër të tij. Po ashtu edhe celulari i markës “Nokia” i lidhur me sasinë prej 200 gram tritol që u gjet në zonën e “Vasil Shantos” një ditë më parë, kishte përdorur numrin celular të regjistruar në emër të një të afërmi të njërit prej të dyshuarve.

Këto pakujdesi dhe komunikimet e shpeshta mes tyre bënë të mundur identifikimin e grupit të tritolit, që deri tani është përgjegjës për shpërthimin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm dhe lëndën plasëse të gjetur në zonën e “Vasil Shantos”, aty ky shtetasi Bashkim Tahiri parkonte shpesh automjetin e tij. Për këto ngjarje policia ka arrestuar pesë persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, përfshi dhe shtetasin Vladimir Gjuta, person me precedent të mëparshëm penal, i cili rezulton të jetë larguar nga banesa edhe pse ishte me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

 

Të arrestuar:

Lumjan Matmuja, datëlindja 1988

Ernest Gjuta, datëlindja 1991

Kamber Bruka, datëlindja 1984

Erjon Dule, datëlindja 1982

Emirjon Gjuta, datëlindja 1991

Në kërkim:

Vladimir Gjuta, shpallur në kërkim

Baftjar Bruka, shpallur në kërkim


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama