Otto Dietrich dhe Wilhelmina Elisabeth Josephine Dietrich e quajtën Marie Magdalene Dietrich, kur lindi në 27 dhjetor 1901. E thërrisnin Lena kur ishte fëmijë, po kur u bë adoleshente preferonte ta thërrisnin Marlene, një bashkim i dy emrave të saj. Sot mbushen plot 15 vjet nga dita e vdekjes së divës gjermane Marlene Dietrich, këngëtare dhe aktore e madhe, gjithnjë e përfolur për jetën e saj. I ati i Marlenës ishte oficer në ushtrinë gjermane dhe shërbente në Luftën Franko Prusiane. Vdiq kur Marlene ishte 11 vjeç. Dietrich studioi violinë përpara se të hynte në korin e vajzave dhe si aktore për të njohurin Max Reinhardt në teatrin e Berlinit e të Vjenës në vitin 1920. Për herë të parë u shfaq si aktore në vitin 1923, për të vazhduar në të tjerë filma, por pa tërhequr ndonjë vëmendje të veçantë. Në vitin 1929 ajo luan rolin e Lola-Lola, një këngëtare kabareje në filmin "Ëngjëlli blu". Ishte i pari film gjerman me zë, që e zbuloi Dietrich si një yll kinemaje. Një film me regji të Josef von Sternberg, që më vonë do të merrte meritat e zbulimit të Dietrich.
Mbresëlënës ishte dhe interpretimi i Dietrich në këngën "Falling in love again". Pas këtij suksesi me një kontratë me "Paramount", Dietrich zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me filmin e saj të parë amerikan "Morocco" aktorja mori nominimin e saj të vetëm për "Oscar". Kontributi më i madh në historinë e filmit nga ana e saj është në një seri prej 6 filmash me regji të Sternberg gjatë viteve 1930-1935: "Morocco", "Dishonored", "Shanghai Express", "Blonde Venus", "The Scarlet Empress" dhe "The Devil is a Woman". Sternberg pati fatin të zbulojë tek Dietrich një potencial të madh, gjë që regjisorët e tjerë gjermanë nuk mundën. Në Hollyëood ai punoi shumë me Dietrich për të krijuar imazhin e gruas magjepsëse, fatale. Ai e detyroi të binte në peshë dhe e drejtoi në karrierën e saj si aktore.
Madje me anë të efekteve, dritës dhe hijeve, kujdesit të jashtëzakonshëm për veshjet, ai krijoi imazhin e saj, e divës që njohim edhe sot përmes fotografive. Kur "Paramount" e pushoi Sternberg dhe ata të dy nuk punonin më së bashku, Dietrich filloi të etiketohej si "Box office poison". Edhe pse nuk e arriti më suksesin me filmat e Sternberg, Dietrich vazhdoi të luante në filma, madje edhe me regjisorë të njohur si Wilder, Hitchcock dhe Welles. Disa nga filmat e suksesshëm janë "A Foreign Affair", "Witness for the Prosecution", "Touch of Evil", "Judgment at Nuremberg" dhe "Stage Fright". Në vitin 1937 kur karriera e staj ndali në Hollywood, bëri një film në Londër me regjisorin Alexander Korda.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Marlene u rreshtua në anën antinaziste dhe e përbuzte përndjekjen ndaj hebrejve. Regjistroi një sërë këngësh antinaziste në gjuhën gjermane, ndër të cilat edhe të famshmen "Lili Marlen". Gjithashtu këndonte për trupat aleate në front në Algjeri e Francë. Kur e pyesnin se përse e bëri një gjë të tillë të rrezikshme, ajo përgjigjej se kjo ishte gjëja më e mirë për tu bërë. U nderua me "Medaljen e Lirisë" nga qeveria amerikane "Legjionin e Nderit" nga qeveria franceze.
Pavarësisht se gjithnjë në qendër të vëmendjes Dietrich u mundua ta fshihte sa më shumë jetën e saj personale. U martua vetëm një herë me asistent regjisorin Rudolf Sieber, një katolik roman, i cili më vonë do të bëhej regjisor në "Paramount Pictures" në Francë. Fëmija i saj i vetëm, Maria Elisabeth Sieber, lindi në Berlin në vitin 1924. më vonë ajo u bë një aktore e njohur si Maria Riva. Pas vdekjes së Dietrich Riva boton një libër kritik për nënën e saj. Dashuria më e madhe e aktores ishte aktori francez ushtari hero Jean Gabin. Lidhja e tyre mori fund në 1940. Gjatë viteve '50 pati lidhje dashurore me Edward R. Murroë, Yul Brynner, Frank Sinatra dhe Don Carter. Dietrich, që ishte një biseksuale, pati gjithashtu lidhje dashurie me aktoren Ona Munson dhe shkrimtaren Mercedes de Acosta, që publikoi autobiografinë e saj "Here Lies the Heart" në vitin 1960. Dietrich kishte gjithashtu një lidhje me Joseph P. Kennedy, babain e Presidentit John F. Kennedy dhe thuhet të ketë pasur edhe një flirt me Presidentin Kennedy gjithashtu. Shkrimtarët e "brezit të humbur" Erich Maria Remark dhe Ernest Hemingway flitet të kenë pasur gjithashtu lidhje me aktoren. Njihet tashmë një letërkëmbim i gjatë me shkrimtarin Remark.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











