Numri i pjesëmarrësve në protestë është rritur në progresion gjatë gjithë ditës, duke arritur në mijëra vetë që nuk kanë lëvizur prej sheshit. Jashtë ambienteve të Kuvendit, për orë të tëra në shenjë solidarizimi me parlamentarët-grevistë, kanë qëndruar edhe deputetët Spartak Ngjela, Luan Memushi, analistët e njohur Andrea Stefani, Artur Zheji, kreu i LZHK-së dhe politikani i njohur i së djathtës, Dashamir Shehi, si dhe drejtuesit e tjerë të partive politike. Qëllimi i kësaj greve dhe proteste sipas organizatorëve, është mbrojtja e votës së lirë dhe moslejimi i dyshes Berisha-Rama, t‘i numërojë votat sipas dëshirës së tyre. Pjesëmarrësit në protestë kanë hedhur parulla të ndryshme si "Jo diktaturës", "Vota është e shenjtë" etj.
Në këtë linjë kanë qenë edhe diskutimet e deputetëve dhe analistëve para mediave e protestuesve, duke iu kërkuar këtyre të fundit të mos tërhiqen për asnjë moment. Artur Zheji, i cili, përveçse një analist i njohur, është dhe kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, është shprehur se duhet të ndalet urgjentisht vjedhja e votës së lirë, pasi në këtë shesh para Parlamentit është e gjithë Shqipëria. Në të njëjtën linjë diskutimi ka qenë edhe analisti tjetër, Andrea Stefani, i cili u ka bërë thirrje shqiptarëve që të mbrojnë votën e lirë dhe të ndalin dorën e dy njerëzve, të cilët ashtu siç dhunuan Kushtetutën, duan të dhunojnë edhe votat e tyre.
Ndërsa, zëdhënësi i grevës së urisë, deputeti Dritan Prifti, ka denoncuar dhunën që po ushtrojnë dy partitë e mëdha. "Ne nuk i detyrojmë dot Berishën dhe Ramën që të bëhen demokratë. Ata janë diktatorë të paskrupullt. Nëse ata do të reflektojnë, do të rishohim pozicionin tonë", është shprehur Prifti. Ndërsa kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, i cili i është bashkuar kësaj proteste, është shprehur se "dy partitë e mëdha po kërkojnë të dhunojnë votën dhe veprimi i deputetëve që janë në grevë urie, është një nga veprimet më dinjitoze, pasi për herë të parë po bëhet një grevë për lirinë dhe për të mbrojtur votën e shqiptarëve.
Shehi u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që t‘i bashkohen kësaj proteste për të mbrojtur votën e tyre. Shpresoj, ka theksuar më tej kreu i LZHK-së, se kjo grevë do të japë rezultatin e saj, pasi bëhet për të mirën e shqiptarëve. "Këtu nuk po kërkohen biznese dhe financime, por po kërkohet që thjesht partitë politike të kenë mundësi të numërojnë votat e shqiptarëve", tha ai. Shehi ka theksuar se do ta mbështesë deri në fund këtë grevë, pasi këtu nuk bëhet fjalë për të majtë e të djathtë, por për të mbrojtur votën e lirë.
Ndërsa Monika Kryemadhi ka denoncuar provokimet që u bëhen protestuesve nga njerëz të PD-së dhe PS-së, ndaj u ka bërë thirrje që të mos i provokojnë protestuesit. Në lidhje me informacionin për kushtet e nëntë deputetëve që janë në grevë urie, Kryemadhi është shprehur se ka qenë i vështirë komunikimi, pasi ka zhurmues në sallë, por deri më tani kushtet shëndetësore janë të mira, duke përjashtuar deputetin Spartak Braho, i cili ka pasur shqetësime me tensionin dhe nuk i është lejuar të marrë ilaçet e tensionit, deri në orët e vona të drekës.
Gjithashtu, përfaqësuesja e LSI-së ka theksuar se foltorja e ngritur prej tyre në shesh para Kuvendit është e hapur për të gjithë ata qytetarë, të cilët duan të shprehin mendimet e tyre. Pas deklaratës së Kryemadhit, në podium janë ngjitur drejtues të partive politike, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe qytetarë. Mbështetje të qytetarëve ka kërkuar edhe përfaqësuesi i PS-91, Gjergj Koja, i cili ka theksuar se duhet t‘i themi ndal diktaturës me dy koha, Rama-Berisha. Në mbështetje të kësaj proteste janë shprehur edhe drejtuesit e Shoqatës së Minatorëve, të cilët kanë theksuar se ata e dinë shumë mirë se çfarë është dhunimi i të drejtave dhe greva e urisë, pasi deri më sot ata janë ndier në çdo hap të dhunuar dhe të parespektuar.
Avokati bën thirrje për mobilizim qytetar për të fituar të drejtën themelore
Ngjela i bashkohet protestës: Zgjidhja do të bëhet vetëm nga populli
Ligjvënësit e djathtë të Kuvendit përkrahin grevën e urisë së 11 deputetëve. Avokati i njohur dhe deputeti Spartak Ngjela u është bashkuar protestuesve përpara Parlamentit për të mbështetur grevën e urisë së deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS-91. Deputeti Spartak Ngjela, i pozicionuar përkrah protestuesve, u shpreh se vendi po hyn në krizë dhe për të vendosur të drejtën legjitime të mbrojtjes së votës së lirë, nuk ka rrugë tjetër, përveç pushtimit të shesheve nga qytetarët. Ngjela theksoi se diktatura po dhunon dhe cenon votën e lirë, ndaj protesta duhet të shkojë deri në fund, pasi ajo është e shenjtë. "Zgjidhja do të bëhet vetëm me forcë", u shpreh deputeti Ngjela. Gjithashtu, ai duke bërë thirrje për bashkim, u shpreh i prerë se duhet të ndalohet kjo barbari që po bëhet me votën e lirë. Pjesë e kësaj greve janë bërë edhe personazhe të tjerë të Kuvendit, ku përkrah protestuesve ishte edhe deputeti i Shkodrës, Gilman Bakalli. Kodi i ri Elektoral është bërë molla e sherrit për partitë e vogla që kundërshtojnë jo vetëm me zë të lartë, por edhe me grevë urie bashkëpunimin PD-PS. Ndërkohë, në kampin blu çdo gjë paraqitet qetësisht, madje edhe Kryeministri nuk ka lënë pa komentuar vetëm me një fjali grevistët, të cilët i ka quajtur një çështje të brendshme të kampit opozitar, pasi nga bashkëpunëtorët e tij qeverisës, asnjë nuk është futur në grevë urie. Një tjetër aleat i qeverisë së djathtë, republikanët, nuk e kanë prishur rehatinë e tyre, për të vazhduar normalisht turin e nisur nëpër qytete e fshatra për të përzgjedhur kandidaturat më të mira për deputetët e ardhshëm. Vetëm një pjesë e minorancës së Kuvendit i është bashkuar ‘vuajtjes‘ së pesë deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pesë deputetëve demokristianë dhe një deputeti të PS- 91. Deputeti Ngjela kërkoi që të ndalohet barbaria e vjedhjes së votave dhe ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë. "Ata që e duan votën e lirë t‘i bashkohen kësaj proteste për të marrë atë që kërkohet", tha ai.
11 deputetët u futën në grevë urie, pasditen e së hënës dhe dëgjimi i fjalës së tyre në hartimin e Kodit të ri Elektoral është çelësi i vetëm që i jep fund grevës së tyre. Gjatë ditës së djeshme, situata nuk ka qenë aspak e qetë dhe në rast se greva zgjat, atëherë përplasjet e vërteta do të ndodhin në seancën e të enjtes paradite, ku dy forcat më të mëdha politike do të kërkojnë zhvillimin e seancës parlamentare.
Kryeministri
Berisha: Do të negocioj me partinë kryesore të opozitës
Nuk tërhiqet Berisha. Greva që kanë nisur deputetët e LSI-së dhe PDK-së nuk ka sjellë ndonjë ndryshim qëndrimi te kreu i ekzekutivit shqiptar dhe njëkohësisht udhëheqës i partisë më të madhe në pushtet, Sali Berisha, përkundrazi e ka lënë pothuajse indiferent. Nga fshati Gjepalaj i Durrësit, ai ka deklaruar se për Kodin do të negociojë vetëm me Partinë Socialiste. Kryeministri tha se për të e gjithë opozita gëzon respekt, por kjo nuk e bën të ndryshojë rregullat e mirëpërcaktuara dhe në kohën kur partia e tij ishte në opozitë. "Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë dhe kur unë isha në opozitë", tha Kryeministri në përgjigje të interesit të gazetarëve për nisjen e negociatave të reja për reformën zgjedhore. Ai ka ritheksuar qëndrimin e tij se mazhoranca nuk do të ndërhyjë në asnjë rast në ato që ai i cilësoi si probleme të brendshme të opozitës. Ndërkaq, për futjen në grevë urie të deputetëve tha se respekton mendimin e çdokujt, por kjo nuk do e bëjë të ndryshojë asgjë: "Personalisht do të negocioj me partinë kryesore të opozitës".
Lohan: Të kthehet besimi reciprok mes partive
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, duke iu referuar grevës së urisë së deputetëve, ka bërë thirrje të fortë për rikthimin e klimës së besimit reciprok mes forcave politike dhe nisjen e një procesi gjithëpërfshirës për miratimin e reformës zgjedhore. Ambasadori Lohan reagoi dje, pas interesimit të gazetarëve për grevën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke dhënë qëndrimin e Brukselit. Lohan theksoi se duhet më shumë besim mes forcave politike si për kodin e ri elektoral ashtu edhe për reformën zgjedhore. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të njihte progres në rast se mes partive do të kishte besim. Pak ditë më parë, ambasadori Lohan, ndërsa komentonte progres-raportin e Shqipërisë, tha se kodi zgjedhor duhet të jetë objekt negocimi mes forcave politike, por parlamenti është ai, i cili merr vendimet.
Greva në ditën e dytë, zbulohen përgjues dhe zhurmues në Kuvend
Përkeqësohet gjendja e deputetit Spartak Braho, ambulanca shkon me vonesë
Greva e urisë së 11 deputetëve, e cila ka hyrë në ditën e dytë të saj është shoqëruar me tensione të forta në ambientet jashtë saj, ndërkohë që brenda monitorohet nga një numër i madh gardistësh. Aktualisht në sallën e Kuvendit kanë mbetur nëntë deputetë, nga 11, të cilët ishin futur mbrëmjen e ditës së hënë, pasi nga forcat e Gardës, mëngjesin e djeshëm nuk janë lejuar të rifuten në grevë dy deputetët: Jak Ndokaj dhe Dritan Prifti, të cilët u larguan nga salla e Parlamentit për të komunikuar me mediat dhe për të blerë shtypin e ditës.
Përplasja me Gardën
Në momentin që dy deputetët kanë dashur të rifuten në sallë, Garda nuk i ka lejuar, duke theksuar se kishin urdhër që të mos futen më brenda, për sa kohë ata kishin dalë jashtë. Ka pasur një përplasje fizike mes tyre, por, me gjithë insistimin e deputetit Prifti, Garda nuk ka lejuar që ai të rifutet në ambientet e brendshme të parlamentit, deri në orët e vona të drekës. Por Dritan Prifti, pas një komunikimi me Kryetaren e Kuvendit, Topalli dhe sekretarin e përgjithshëm, është lejuar të futet për pak minuta.
Përgjuesi
Deputetët grevistë kanë deklaruar se PD-ja dhe PS-ja po përpiqen me çdo mjet të pengojnë realizimin e kësaj greve. Deputeti Prifti ka bërë të ditur para mediave dhe më pas deklarata e tij është përforcuar nga kryetari i LSI-së, Meta, se në ambientet e brendshme të sallës se Kuvendit janë vënë disa përgjues telefonash dhe bllokues të sinjalit, që janë zbuluar nga vetë deputetët, të cilët tashmë i kanë në dorë mjetet e përgjimit.
Ambulanca
Sipas drejtuesve të grevës, deri në orët e vona të pasdites së djeshme, nuk është lejuar që te grevistët të futet ambulanca dhe mjekët, megjithëse këta të fundit kanë qenë vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë. Nga deputetët grevistë është bërë e ditur se deputeti Spartak Braho ka pasur probleme me tensionin e gjakut dhe për rrjedhojë ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Por ambulanca është lejuar vetëm pas orës 15:30, pasi deputeti Dritan Prifti ka marrë sërish në telefon Kryetaren Topalli.
Padia
Dritan Prifti ka deklaruar se tashmë LSI-ja dhe partitë mbështetëse kanë depozituar padinë e tyre në prokurori për komandantin e Gardës dhe sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Shkak për këtë është bërë përplasja mes tij dhe gardistëve, të cilët nuk e kanë lejuar të futen në orët e para të ditës së djeshme ne ambientet e grevës. Padia ka qenë edhe për sekretarin e Përgjithshëm, pasi ky i fundit nuk ka lejuar që në sallë të lëshohet energjia elektrike, ngrohja dhe të futet ujë i pijshëm. Dijenia Për mënyrën e trajtimit të grevistëve, zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti, ka bërë të ditur se tashmë është vënë në dijeni Presidenti i Republikës, Bamir Topi, si dhe të gjithë përfaqësuesit e trupit diplomatik në vendin tonë, të cilët kanë konfirmuar se tashëm janë njohur zyrtarisht me shqetësimin e LSI-së dhe partive të tjera që mbështesin këtë grevë dhe protestë.
Topalli
Kryetarja e Kuvendit ka injoruar grevën e urisë, e cila ka filluar që të hënën në mbrëmje, duke theksuar se është e drejta e tyre që të zgjedhin mënyrën e protestë, qoftë dhe me grevë urie.
Garda
Në ambientet rreth Kuvendit, por dhe brenda tij, dje ka qenë një numër i madh i punonjësve të Gardës, të cilët kanë ndjekur hap pas hapi protestën dhe grevën e nëntë deputetëve. Garda e Republikës ka mohuar të ketë pasur përplasje me deputetët grevistë dhe me protestuesit. Sipas tyre, ata kanë zbatuar vetëm ligjin dhe urdhrat që kanë marrë nga eprorët e tyre.
Kryetari i LSI-së thekson se nuk do të tërhiqen nga greva
Meta: Berisha foli për grevën edhe në emër të PS-së
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka komentuar heshtjen e PS-së në lidhje me grevën e urisë së nëntë deputetëve, duke thënë se në emër të PS-së ka kohë që flet Kryeministri Berisha. Deri më tani për grevën e deputetëve, është shprehur vetëm Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Topallit, të cilët kanë theksuar se e drejta e protestës është e lirë. Nëpërmjet telefonit, kryetari i LSI-së, ka bërë të ditur për mbarë opinionin kushtet, në të cilat ndodhen aktualisht grevistët, ku ka theksuar se deri më tani kushtet shëndetësore janë të mira duke përjashtuar deputetin Braho, i cili ka pasur probleme me tensionin. Meta konfirmoi se në ambientet e brendshme ende nuk u është vënë në dispozicion asgjë nga Kuvendi, ndërsa ka theksuar se deputetët kanë zbuluar një aparaturë, e cila shërbente për të përgjuar dhe bllokuar sinjalin e telefonave të tyre. Gjithashtu, kryetari i LSI-së ka falënderuar të gjithë mbështetësit jashtë ambienteve të grevës, duke theksuar se deputetët janë të vendosur t‘i shkojnë deri në fund grevës së urisë, për të mbrojtur votën e lirë të shqiptarëve dhe për t‘i dhënë fund njëherë e mirë vjedhjes dhe vrasjeve që bëhen gjatë proceseve zgjedhore. "Ne jemi të vendosur t‘i shkojmë grevës deri në fund, pasi ka të bëjë me shenjtërimin e votës së gjithë shqiptarëve", tha Meta. Ai ka theksuar se gjatë gjithë ditës kanë qenë në kontakt me faktorin politik si brenda dhe jashtë vendit dhe deklaroi se kanë marrë me dhjetëra mesazhe mbështetjeje si nga deputetë të PD-së ashtu edhe të PS-së.
Gazeta: Shqip











