Sipas informacionit, menjëherë pas shpërndarjes në media të pamjeve filmike të kapura nga një kamerë e vendosur në një rrugë prapa bankës, e cila i kishte shpëtuar vëzhgimit disa mujor të Gushos dhe njoftimit publik të policisë për një shpërblim prej 10 mijë eurosh, për atë që jep informacion të saktë, ish bashkëshortja e tij nëpërmjet një të njohure të saj, është përpjekur të kontaktojë me policinë. Ka qenë rastësi që gruaja në moshë të thyer e cila ka marë informacionin, kishte lidhje farefisnore me një agjent të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme. Gruaja 32 vjeçare, e cila e ka braktisur Gushon në moshë minorene që në vitin 1996, pasi ai e dhunonte dhe ishte tejet xheloz, ka treguar edhe zonën ku jetonte me qera ish bashkëshorti i saj. Mësohet se telefonata është bërë që nga Greqia ku ajo banon prej kohësh.
Por sipas burimit, ajo ka pasur dijeni se Viktor Gusho dispononte kohët e fundit shuma të mëdha lekësh në përdorim, sepse ky i fundit e ka takuar atë përpara pak kohësh në kryeqytet duke ju lutur që të rilidheshin sërisht. Gjithsesi informacionin tek agjenti i SHKB, e ka përcjellë gruaja e moshuar, e cila vetëm pas nënshkrimi të një kontrate konfidenciale jo vetëm për marrjen e shumës prej 10 mijë eurosh por sidomos për ruajtjen e fortë të anonimitetit të saj dhe ish bashkëshortes së vrasësit, ka treguar zonën ku jetonte dhe rrinte Gusho. Menjëherë pas kësaj agjentë të shërbimit sekret policorë pas vëzhgimeve, kanë arritur të indentifikojnë Gushon si dhe banesën dhe lokalin ku ai qëndronte rëndom.
Ende mister ngelet fakti se pse punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, përveç sigurimit të informacionit për vendndodhjen e grabitësit të bankave, realizuan edhe vetë ndalimin e tij në një lolal-lotari, të cilin ai e frekuentonte afër banesës për orë të tëra. Sipas dëshmisë në polici dhe prokurori të vetë Viktor Gushos, ai është divorcuar me 16 vjeçaren që në vitin 1996 pasi sipas tij, “kishin probleme”. Sipas dëshmive ai e ka rrëmbyer atë, pasi familja e saj nuk e ka dëshiruar këtë lidhje. Ngjarja që e ka dekonspiruar përfundimisht “tmerrin” e bankave ndodhi më 27 mars të këtij viti, kur Gusho pas një muaji e gjysmë studim të terrenit, rojeve dhe kamerave, ka vendosur të bastis filialin e bankës “NBG” pranë sheshit “Shtraus”, në zonën e Xhamllikut. Pa asnjë paraljmërim, ai ka qëlluar rojën e sigurisë Skënder Elmazi, më pas ka hyrë brenda dhe është drejtuar për tek arka, ku momentalisht gjendej punonjësja Eleonora Kaloçi. Sipas akt-akuzës së prokurorisë gjatë seancës së dhënies së masës së sigurisë në gjykatë, “nën kërcënimin e armës, Gusho i ka thënë arkëtares të fuste paratë në një qesë plastike që ai mbante me vete.
E ndërsa Eleonora i ka thënë të priste sa të hapte arkën, ky person i është përgjigjur asaj ‘Ç’a të pres?’ dhe menjëherë e ka qëlluar me armë”. Më pas, përfaqësuesja e akuzës, radhiti të gjitha episodet kriminale të pranuara nga Gushi. Në vijim u cituan provat materiale të sekuestruara në ambientet e bankës “NBG” dhe pas ndalimit të autorit në banesën e tij, ku mes të tjerave u kapën prova të rëndësishme si arma, maskat, rrobat e mbajtura në momentin e grabitjes, si edhe gazeta të datave të njëpasnjëshme pas ditës së grabitjes. Po sipas prokurorisë, janë realizuar dy akt-ekspertime tekniko-balistike të armës, një prej të cilave provon faktin se arma e përdorur në grabitjen e bankës “NBG”, është e njëjta që është përdorur dhe në grabitjen ku u vra argjendari Rrapo Sinanaj.
“Mekanizmi i grabitjeve është i njëjtë dhe motivet e tyre të karakterit banal”, u shpreh prokurorja gjatë kësaj seance ku gjykata e faktit Tiranë vendosi pa asnjë ekuivok masën “arrest me burg pa afat” për 44 vjeçarin nga Patosi. Ka qenë pikërisht një kamer e re, e vendosur pas masave të reja të sigurisë nga drejtuesit e bankës “NBG”, e cila ishte instaluar larg ambienteve të saj, e papikasur nga grabitësi, e cila ka bërë të mundur kapjen pa maskë, për herë të parë pas 4 viteve, të supergrabitësit.
Gushi dyshohet për grabitjen, vrasjen dhe djegien e taksistit
Viktor Gushi, i njohur tashmë për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e disa të tjerëve të kryera gjatë 16 grabitjeve të pranuara edhe nga vetë ai, dyshohet për grabitjen, vrasjen dhe më pas djegien e trupit të taksistit Ramazan Hyka brenda në makinën e tij në Janar të 2009. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Policisë së shtetit dhe organit të akuzës, sipas të cilëve, 45 vjeçari është pyetur për të gjitha vjedhjet dhe grabitjet e pazbuluara që kanë ndodhura gjatë vitit 2008 – 2012. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se agjentët e policisë gjatë marrjes në pyetje të Gushit, e kanë pyetur këtë të fundit për të gjitha ngjarjet, dosjet e të cilave janë pluhurosur në arkiv, më cilësimin “pa autor”.
Në mesin e këtyre dosjeve, ka qenë edhe ngjarja e fillim Janarit 2009, ku si pasojë e një grabitjeje u vra dhe u dogj trupi i shtetasit Ramazan Hyka, brenda në taksinë me të cilën punonte. “Për të gjitha krimet që kam kryer, unë kam dhënë detaje dhe i kam pranuar, çka i qëndroj atyre deri në fund. Këtë grabitje, vrasje apo djegie si e quani ju që më pyesni, unë nuk e kam bërë. Nuk kam pse të pranoj një krim që se kam kryer. Ato që i kam bërë, i kam pranuar”-mësohet se i është përgjigjur ndër të tjera oficerëve të policisë Gushi, kur është pyetur për ngjarjen. Ndërkohë, zyrtarët e policisë janë vënë në kërkim të provave, për të gjetur vendndodhjen e Gushit ditën e kësaj ngjarje makabre. “Atë ditë nuk e mbaj mend ku kam qenë, por, ju siguroj që unë nuk e kam bërë atë krim”-ka thënë Gushi.
Sipas Policisë, të gjitha deklarimet e 45 vjeçarit po verifikohen me dosjet e “arkivuara” me cilësimin “pa autor”. “Do të shohim të gjitha provat që kemi për rastet e vjedhjeve pa autor, për të krahasuar me veprimet e të dyshuarit Viktor Gushi, për të parë nëse ka ndonjë përputhje të njëjtë me këto ngjarje që ai ka pranuar”-thuhet nga policia. Por, këta të fundit, në praktikën e punës, në disa raste në të kaluarën, për të rritur statistikat e zbulueshmërisë, ia kanë faturuar në dosje ndonjë të dyshuari edhe vjedhjet që nuk i ka kryer. Nga ana tjetër, Prokuroria dhe Policia, deri më tani kanë provuar se i dyshuari Gushi është autor i dy ngjarjeve që tashmë janë pranuar dhe zbuluar.
Ajo e vjedhjes me pasoj vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj dhe vjedhjen me pasoj vrasjen e arkëtares Leonora Kaloçi dhe plagosjen e Skënder Elmazit. Gjithashtu, mësohet se prokuroria do i drejtohet autoriteteve të drejtësisë greke, duke i kërkuar të gjitha dosjet penale apo civil që mbajnë emrin e të dyshuarit Viktor Gushi. Ndërsa, pak ditë pas arrestimit, mësohet se Policia e ka shoqëruar Gushin në disa nga 16 vendet e ngjarjes, që ai pranon se ka kryer vepër penale, për të bërë verifikimin e fakteve në terren me dëshminë e tij dhënë në Polici. Pritet që në ditët në vazhdim, të dal edhe raporti psikik i 45 vjeçarit Gusho që po bëhet nga ekspert të psikiatrisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe raporti përfundimtar mbi analizën toksike ndaj të dyshuarit.
Arkëtarja e bankës
“Para se të grabisja bankën “NBG” që ndodhej në sheshit “Shtraus” e kam studiuar fillimisht për gati një muaj filialin e bankës që ndodhej te rruga e “Elbasanit”. Por aty konstatove se kishte shumë kamera të sigurisë dhe hoqa dorë. Pas kësaj fillova të studioja dhe vëzhgoja filialin e bankës që ndodhej në zonën e njohur si “Xhamlliku”. Për gati dy muaj kam parë të gjitha kamerat e sigurisë që ndodheshin në atë zonë, kam matur kohën se për sa minuta arrij në banesën time në “Don Bosko” nga banka që ndodhej në sheshin “Shtraus”. Kam parë kamerat që ndodhen në atë zonë dhe kam gjetur një rrugicë ku mund të kaloja pa rënë në sy. Kam hyrë brenda në bankë për të parë kushtet e sigurisë. Dhe më datë 27 Mars vendosa të hyj për ta grabitur. Nga ora 10:00 e paradites jam pozicionuar në sheshin “Shtraus” përballë bankës, duke parë dhe vëzhguar të gjitha lëvizjet e policisë, punonjësit të sigurimit e lëvizjet e qytetarëve. Këtë veprim e kisha bërë edhe ditë tjera. Aty nga ora 15:30 minuta, jam ngritur dhe sapo jam afruar tek dera kam vendosur kapuçin në kokë dhe dorezën në dorën ku nuk kisha armën.
Një metër pa mbërrit tek dera kam shkrepur pistoletën në drejtim të rojës që nuk e kishte mendjen për momentin dhe e kam plagosur në dy krahët që mos të shtypte butonin apo të qëllonte me armë. Më pas jam drejtuar në sportelin e arkëtares, ku i kam kërkuar të mbush qesen me lekët. Ajo më tha “nuk kam lekë” dhe u ul poshtë tavolinës së saj. Unë i thash “Mos u ul se nuk të mbron tavolina prej dërrase nga plumbi, po ngrihu më jep lekët”. Arkëtarja u ngrit dhe më hodhi çelësat, duke më thënë “merri vetë, ja çelësat” dhe u nis për të dal nga sporteli ku ndodhej. Në këtë moment unë e qëllova me armë dhe dola nga dera. Sapo kam dalë, jam futur në rrugicën që ndodhej në krah dhe kam hequr kapuçin dhe pistoletën duke u drejtuar për në shtëpi. Në banesë, kam bërë dush dhe pastaj kam ndezur televizorin duke parë lajmet dhe informacionet që jepte”-ka thënë Gushi para policisë. Mësohet se 45 vjeçari është shprehur se nuk doja të vrisja arkëtaren, por, ajo refuzoi të mbush qesen, e cila kishte mbetur në banakun ku ndodhej arkëtarja Leonora Kaloçi.











