Gladiator per Jiri Menzel

Gladiator për Jiri Menzel
Regjisori ka tërhequr mbrëmë në kinemanë “Aleksandër Moisiu” çmimin, një statuetë gladiatori, kurse vlera financiare as e këtij se edhe e çmimeve të tjera nuk është deklaruar nga organizatorët. Drejtoresha e Festivalit Anila Varfi tha se vlera do të deklarohet pasi të lidhen kontratat (!). Ndërsa kryetari i bashkisë së Durrësit, bashki e cila e organizon festivalin tha se nuk ka dijeni për këtë gjë! Deri tani është përfolur sikur “Gladiatori i artë” do të kishte vlerën e 10 mijë eurove.

Megjithatë shtatëdhjetëvjeçari Jiri Menzël po çon në shtëpi një simbol modest të një siti antik të Mesdheut, pas shumë çmimeve ndërkombëtare që vepra e tij ka fituar në këto dy vite. “I kam shërbyer mbretit të Anglisë” nukështe fare e panjohur për publikun shqiptar. Para pak vitesh, romani me të njëjtin titull i shkrimtarit çek Bohumil Hrabal-it, bashkëpunëtor i hershëm i Menzelit, është përkthyer në shqip.

Menzel mbërriti po dje në Durrës në orët e vona të pasdites. Ai ka mbajtur me ngut një takim me gazetarët para fillimit të ceremonisë së çmimeve. Më së shumti ai foli për mënyrën e realizimit “I kam shërbyer mbretit të Anglisë”.

Filmi më i mirë shqiptar është shpallur “Koha e kometës” i regjisorit Fatmir Koçi i cila ka tërhequr statuetën, duke qenë regjisori fitues për të trembëdhjetin edicion konkurrimit të filmit nacional. Për hir të së vërtetës, juria e përbërë nga Roland Sejko (kryetar), Elena Giuffrida, Burbuqe Berisha, Marian Tutui, Xavier Lambours dhe Mimmo Mongelli, mes katër filmave në konkurim nuk ka pasur alternativa.

Ky është i pari çmim për filmin e Koçit i bazuar në romanin “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë, i cili pati në Festivalin Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës dhe premierën absolute.

Është i vetmi çmim që i jepet për aktualitetin e kinemasë shqiptare, duke përjashtuarçmimet për aktorin dhe aktoren, për regjinë, për kostumet, grimin, muzikën. Në këtë pikëpamje, mjafton fakti që nuk u morën në konsideratë elementët e tjerë kinematografikë do të thotë se prurjet kanë qenë mëse të varfra. Edhe në këtë kuptim, seksioni i konkurrimit kombëtar në këtë festival ishte një dështim i parashikuar.

Juria ka vlerësuar me çmim special aktorin 17-vjeçar Nazif Muharremi, për interpretimin e shkëlqyer të rolit të Mirushit në filmin “Mirush” i regjisorit norvegjez Marius Holst.

Aktorja më e mirë i shkon një shqiptareje të Greqisë, Ornela Kapetani, e cila është protagoniste në filmin “Korrigjimi” i regjisorit grek Thanos Anastopoulos.

Aktor të mirë, juria nuk ka zgjedhur një por disa: grupin e aktorëve Filip Sovagovic, Velibor Topic, Slaven Knezovic, Marinko Prga dhe Borko Peric në filmin “I gjalli dhe i vdekuri” i regjisorit kroat Kristijan Milic.

Çmimi i karrierës i është dhënë regjisores së kinemasë për fëmijë Xhanfize Keko, (e ndarë nga jeta pak kohë më parë) dhe aktorit Aleksandër Prosi. Çmimet janë tërhequr nga djemtë e tyre.

Në natën finale ka qenë e pranishme edhe aktorja kosovare Arta Dobroshi e cila ka një rol në filmin “Trishtimi i zonjës Shnajder”

Çmimet

Filmi më i mirë artistik (Gladiatori i Artë)
“I kam shërbyer mbretit të Anglisë”, Jiri Menzel
Filmi më i mirë shqiptar – “Koha e kometës”, Fatmir Koçi
Aktorja më e mirë Ornela Kapetani (“Korrigjimi”)
Aktori më i mirë – grupi i aktorëve Filip Sovagovic, Velibor Topic, Slaven Knezovic, Marinko Prga dhe Borko Peric në filmin “I gjalli dhe i vdekuri” i regjisorit kroat Kristijan Milic.
Çmimi i karrierës për regjisoren Xhanfize Keko dhe aktorin Aleksandër Prosi
Çmimi Special i jurisë për aktorin në rolin e Mirushit


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama