Gjyqi ndaj Skenderbeut Filo zbulon provat e UEFA-s

Gjyqi ndaj Skënderbeut, Filo zbulon provat e UEFA-s

Situata e ditëve të fun dit që është krijuar në Korçë, pas njoftimit zyrtar për hetim të Skënderbeut nga UEFA në lidhje me dyshimet për ndeshje të trukuara, është e nderë.

Untitled-1Një qytet i tërë është i shqetësuar dhe pret me ankth se çfarë vendimi do të marrë UEFA. Dje, gazeta "Panorama Sport" ka kontaktuar me kryetarin e bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, i cili pranoi të jepte qëndrimin e tij në lidhje me këtë çështje, në një kohë që ka zbardhur edhe bisedën me presidentin Ardjan Takaj duke treguar njëkohësisht edhe faktet që ndodhen në dosjen e organizmit të futbollit europian.

Filo

Numri një i bashkisë ka deklaruar se është vënë në dijeni nga presidenti Takaj në lidhje me gjithçka ndodh në ambientin bardhekuq.

"Kam dëgjuar shumë gjëra në lidhje me ndodhitë e ditëve të fundit. Normalisht që jam shqetësuar dhe kam kontaktuar menjëherë me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj.

Ka qenë pikërisht Takaj që më ka shpjeguar gjithçka në lidhje me këtë hetim që ka nisur UEFA në lidhje me klubin. Sigurisht që një gjë e tillë më ka qetësuar disi kur presidenti më ka bërë me dije se akt-akuzat që ishin paraqitur në atë draft nuk qëndronin asnjëra ligjërisht si akuza të mirëfillta.

Kjo ka qenë pak a shumë biseda që kam pasur fillimisht me presidentin e Skënderbeut në lidhje me këtë çështje", ka theksuar fillimisht kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Akuzat

Më pas, ai zbardh edhe akuzat që ndodhen në këtë dosje, të cilat ia ka treguar kreu i klubit. "Jam njohur nga vetë presidenti për akuzat që UEFA kishte përfshirë në këtë dosje dhe m'u dukën të gjitha jo fort të qëndrueshme ligjërisht.

Ato ishin akuza nga aludimet e ndryshme të bëra në rrjetet sociale apo në blogje në internet. Por, gjithashtu ka pasur edhe disa akuza të bëra nga media shqiptare, për ndeshje të caktuara që UEFA i ka përmbledhur në dosjen e saj. Nga ajo që kam biseduar me presidentin, janë të gjitha akuza që nuk qëndrojnë ligjërisht dhe shumë shpejt do vërtetohet pafajësia jonë.

Normalisht që në fillim kemi qenë të shqetësuar, por pasi më ka kontaktuar presidenti Takaj dhe më ka njohur me gjithçka që përfshihej në dosjen e dyshimeve të UEFAs, jam qetësuar shumë", theksoi kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo.

Imazhi

Normalisht që të gjitha këto akuza të hedhura ditët e fundit, sipas numrit një të bashkisë, nuk rëndojnë thjesht mbi ekipin e futbollit, por hedhin baltë edhe mbi një qytet të tërë që ka në zemër sportin dhe karakterizohet nga serioziteti. "Normalisht, më duhet të them se këto akuza na kanë shqetësuar jo pak fillimisht, pasi jo vetëm që kanë dëmtuar ekipin, por rëndojnë edhe mbi qytetin e Korçës.

Pavarësisht kësaj, unë si kryetar bashkie mund të them se presidenti Takaj më ka siguruar se pasi të faktojë pafajësinë e klubit në UEFA, do të ndjekë çështjen derisa imazhi i klubit dhe qytetit të kthehet sërish në vendin ku i takon. Një gjë e tillë do të ndiqet ligjërisht deri në fund", deklaroi kryetari i bashkisë.

Nga ana tjetër, në mbyllje të prononcimit të tij për gazetën, kryebashkiaku Filo ka theksuar se nuk ka dijeni dhe nuk ka sugjeruar ndonjë studio ligjore për këtë çështje dhe se ka besimin se gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt dhe e drejta do të vihet në vend.

"Për sa i përket pyetjes suaj për sugjerim të studiove ligjore, unë mund të them se ne si bashki nuk kemi asnjë përgjegjësi institucionale, pasi nuk jemi marrë me menaxhimin e ekipit dhe një gjë e tillë për studio ligjore nuk është kërkuar nga Takaj apo nga presidenca, prandaj nuk jemi marrë me diçka të tillë.

Gjithsesi, jam i mendimit që në bazë të akuzave të përfshira në atë dosje, asgjë nuk rëndon mbi klubin tonë dhe shpresoj që pafajësia do të vërtetohet shumë shpejt", përfundoi prononcimin e tij numri një i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Ndërkaq, pritet që UEFA të dalë me një vendim në datën 1 qershor në lidhje me këtë çështje që po mban në ankth klubin korçar dhe jo pak edhe futbollin shqiptar.

LLAZI SARO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama