Kjo çështje gjyqësore është një nga më të gjatat që është mbajtur në Oksford dhe u ka kushtuar taksapaguesve të paktën 1,9 miliardë paund. Gjithsesi, kjo llogari nuk përfshin koston e mbajtjes në burg të të akuzuarve dhe periudhën nëntëmujore të survejimit policor.
Prokuroria deklaroi se e pranonte vendimin e gjykatës, por insistoi se ishte e drejtë që çështja të çohej në gjyq.
Por Elton Celbiqiri, 30 vjeç, me banim në rrugën "Margaret" në Oksfordin Lindor, tha: "Falënderoj Zotin që kishim një gjykatë. Unë akoma nuk e di pse policia mendonte se ne e kishim bërë këtë".
Eltoni ishte akuzuar se grumbullonte dhe presonte kokainë nga një shtëpi në Didkot dhe e shpërndante atë në Oksfordshajër dhe në Anglinë Jugore. Hetimi nëntëmujor dhe operacioni i survejimit ishte drejtuar nga grupi i krimit të organizuar në Policinë e Thejms Vallej. Burrat, të gjithë nga Shqipëria, u arrestuan në mars të vitit 2008. Elton Celbiqiri thotë: "Ata kontrolluan shtëpinë time, shtëpitë e miqve të mi dhe nuk gjetën asgjë. Më kanë hequr lirinë për 20 muaj".
Leon Çuedari, 32 vjeç, që jeton në Dedington, kaloi 17 muaj në burg. Ai thotë: "Ishte ferr. Më morën nga fëmija im kur ishte gjashtë muajsh dhe më mori malli shumë. Jam i kënaqur me drejtësinë britanike, por jo me policinë. Ata shpenzuan kaq shumë kohë dhe para në këtë hetim. Pse"?
Baba i tre fëmijëve, Oltjon Nezha, 36 vjeç nga Didkoti, qëndroi në burg për 18 muaj. Ai thotë: "Humba punën time te BMW, humba edhe shtëpinë. Këto dy vite kanë shkatërruar jetën time. Sistemi britanik i drejtësisë është më i miri në botë, por policia kishte sajuar gjithçka".
Gention Haizaj, 28 vjeç; Elmand Koshaj, 36 vjeç; Rickson Gill, 26; Ervin Meta 27; Artan Lleshi 34 dhe Uljan Nelku 31 vjeç u liruan nga akuzat gjithashtu. Të gjithë kanë kaluar një periudhë në burg. Pasi shpalli verdiktin unanim, juria i ftoi nëntë shqiptarët të pinin nga një gotë në pab.
Gazeta Shqip











