Gjykata Administrative Fillojne punimet tek diga e Liqenit Artificial

Gjykata Administrative: Fillojnë punimet tek diga e Liqenit Artificial

Gjykata Administrative të Apelit vendosi për vazhdimin e punimeve të pallateve nën digën e liqenit. Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit Tiranë (IKMT), që kishte kërkuar pezullimin e punimeve, duhet t'i paguajë kompanisë dhe dëmin e shkaktuar nga pezullimi i punimeve. Gjykata e ka marrë këtë vendim më 1 korrik, por vetëm dje u publikua në faqen zyrtare të gjykatës.

Kryebashkiaku Veliaj reagoi për këtë vendim sot. Ai tha se ndjen keqardhje për aktin, dhe pse vendimi është për denoncimin e IKMT-së dhe jo të Bashkisë Tiranë, proces i cili vazhdon ende. Nga deklarata e bashkisë mësohet se dhe IKMT e ka animuar vendimin e një korrikut.

"Fatkeqësisht, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Enkelejda Metaliaj (Softa), Kastriot Selita dhe Alkelina Gazidede, e cila më 1 korrik mori në shqyrtim çështjen e pezullimit të punimeve për ndërtimin e pallateve 17-katëshe nën Digë, legjitimoi faktin se e ka humbur besimin e një trupe gjykuese të paanshme dhe është e paaftë të japë drejtësi, duke vijuar të qëndrojë kokëfortë në konflikt të plotë interesi me palën e paditur, kompaninë e ndërtimit 'Gener 2'" , shkruhet në deklaratën e bashkisë.

Kryebashkiaku Veliaj i ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme gjyqtarët e Gjykatës Administrative të çështjes së ndërtimit nën digë. Në maj, ai organizoi punonjës të tij dhe mbështetës të Partisë Socialiste për të protestuar përpara Gjykatës Administrative, e cila kishte në rend dite shqyrtimin e kërkesës për anullumin e lejes së ndërtimit të pallateve nën digën e Liqenit Artificial.

Tema kryesore e fjalimeve të Zotit Veliaj ishin akuzat për korrupsion ndaj gjykatësve. Në mënyrë të veçantë, ai hodhi akuza dhe kërcënime ndaj gjykatësve dhe Partisë Demokratike. Protesta në formë mitingu e Kryebashkiakut Veliaj zgjati për më shumë se dy orë, derisa Gjykata mori vendimin për shtyrjen e seancës gjyqësore në datën 13 maj.Vendimin e gjykatës, Zoti Veliaj e cilësoi si një fitore të madhe, arritur falë presionit të protestuesve.

Vendimi për ndërtimin e një kompleksi me pesë pallate nën digën e liqenit është miratuar më 1 gusht 2014, nga ish-Kryebashkiaku Basha. Qindra aktivistë në mbrojtje të mjedisit protestuan kundër këtij vendimi.

Më pas, në janar 2015, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e shpalli lejën e ndërtimit si të pavlefshme, bazuar në një studim të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha e cilësoi ndërtimin të rrezikshëm për sigurinë e digës dhe urdhëroi pezullimin e ndërtimeve. Që prej atëherë betejat ligjore për ndërtimet nën digë vazhdojnë ende.

Pezullimi i pesë kullave ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së Kryebashkiakut Veliaj, për mbajtjen e së cilit Zoti Veliaj ka sulmuar e akuzuar e protestuar në mënyrë të papreçedentë përpara Gjykatës Administrative.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama