Gjoza Zyrtare Qerimaj ne Olimpiaden e Rios

Gjoza: Zyrtare, Qerimaj në Olimpiadën e Rios

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka konfirmuar zyrtarisht kualifikimin e Erkand Qerimajt në Lojërat Olimpike "Rio 2016". erkand qerimajNë një prononcim telefonik për gazetën "Panorama Sport" dje në mbrëmje, Gjoza u shpreh se ky lajm i rëndësishëm për peshëngritjen shqiptare u bë fakt pas një takimi maratonë, por të frytshëm me presidentin e federatës botërore, Tamas Ajan.

"Pas një takimi prej gati pesë orësh me presidentin e federatës botërore Tamas Ajan, përfundimisht kemi larguar të gjitha dilemat si dhe u kthejmë një përgjigje të gjithë atyre njerëzve jokompetentë se Shqipëria në peshëngritje po dërgon sportistin e parë për 'Rio 2016'. Sot ligjërisht Erkand Qerimaj merr pjesë në Lojërat Olimpike. Pra në ranglistë është i kualifikuar.

Por Qerimaj nuk është i vetmi, po ju konfirmoj edhe kualifikimin e peshëngritësit tjetër Briken Calja, pasi Meksika dhe Tunizia janë kualifikuar në rang ekipor. Pra me llogaritë që bëmë ne dhe presidenti i federatës botërore ai do të kualifikohet për në Rio.

Njëkohësisht, falë marrëdhënieve shumë të mira që kemi me federatën botërore, veçanërisht me presidentin e saj, ne na është krijuar mundësia edhe për një ftesë për Evangjeli Velin nëpërmjet institucioneve olimpike. Ky një premtim personal i presidentit të federatës botërore. Kemi udhëtuar 2500 km me makinë për të takuar presidentin Tamas Ajan pikërisht për këtë çështje", u shpreh fillimisht kreu i shtangës kuqezi.

Gjithashtu, Gjoza bëri me dije edhe mbështetjen me bazë materiale nga federata botërore, ku përfshihen tabelë elektronike, pedana dhe boshte.

"Çdo përfaqësuese që do të kualifikohet në Olimpiadë do të pajiset me bazë materiale dhe një nga shtetet prioritare është Shqipëria. Njëkohësisht, do të realizohet edhe një trajnim nga federata botërore ku do të merret si lektor edhe presidenti i nderit Gudar Beqiraj. Gjithashtu edhe ne si federatë do të dërgojmë disa trajnerë me ftesë të ndërkombëtarëve. Pra me të vërtetë u lodhëm, por morëm shpërblimin e merituar", e mbylli deklaratën e tij presidenti Gjoza


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama