Gjirokastra dhe Mitrovica Perterihen me Kampet e Restaurimit

Gjirokastra dhe Mitrovica Perterihen me Kampet e Restaurimit

Gjirokastra dhe Mitrovica Përtërihen me Kampet e Restaurimit

Në vitin që shenjon 10 vjetorin e përfshirjes së Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, qytetit të çative të përhimta po i shtohen ngjyrat. Rreth 35 pjesëmarrës nga 10 vende të Ballkanit Perëndimor, Europës e më gjerë do të mblidhen për dhjetë ditë në Kampin e 23-të Rajonal të Restaurimit që organizohet nga Fondacioni “Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri” në datat 9 shtator – 20 shtator 2015. Krahas kampit restaurues në Gjirokastër, Fondacioni, që këtë vit kremton 20 vjetorin e themelimit, në bashkëpunim me Trashëgiminë Pa Kufij (Mbretëri e Bashkuar) dhe Muzeun e Qytetit të Mitrovicës organizojnë Kampin e 24-t Rajonal të Restaurimit në Mitrovicë.

Programi që do të ndjekin dhjetëra studentë dhe profesionistë kombinon teorinë, përmes leksioneve dhe prezantimeve, me punën praktike, nëpërmjet ndërhyrjeve restauruese në monumente. Pjesëmarrësit do të studiojnë dhe ushtrohen për katalogimin, konservimin parandalues të objekteve monumentale si dhe teoritë e interpretimit. Secila nga ndërhyrjet në objektet monumentale do të rreket të sigurojë mënyra të reja për të kuptuar vlerat që monumentet mbartin, por edhe për t’i interpretuar dhe rijetëzuar më së miri ato.

Objektivat kryesore të Kampeve Rajonale të Restaurimit janë përdorimi i trashëgimisë kulturore si një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale. Një nga qëllimet e Kampeve është edhe promovimi i Shqipërisë dhe Kosovës.

Puna e kampit të restaurimit në Gjirokastër do të përqëndrohet sa më poshtë:

Shtëpia Xhaxhiu (Monument i Kategorisë së Dytë)

Shtëpia Xhaxhiu ndodhet  në Varosh, një lagje e mirënjohur për elementët e saj unikë. Pranë saj gjenden monumente të Kategorisë së Parë si Shtëpia Kadare, Shtëpia Toro dhe Shtëpia Fico si dhe i famshmi “Sokaku i të marrëve”. Ndërhyrja në portën hyrëse dhe çatinë e këtij monumenti do të jetë vijimësi e ndërhyrjeve të kryera në të kaluarën në këtë zonë, çka i ka sjellë asaj vëmendjen e merituar. Pjesëmarrësit në këtë grup restaurimi, ndër të tjera, do të punojnë me drurin si një mjet ndërtues.

Shtëpia Sinani (Monument i Kategorisë së Dytë)

Kjo shtëpi është një monument i Kategorisë së Dytë dhe ndodhet  në Donavat, një ndër lagjet që ofrojnë pamjen më të bukur të kalasë dhe qytetit të vjetër. Pjesëmarrësit që kanë zgjedhur të marrin pjesë në restaurimin e kësaj banese do të restaurojnë suvanë në pjesën veriore të saj. Shtëpia Sinani vijon të ketë disa dekoracione në fasadë, të cilat do të dalin më në pah gjatë ndërhyrjes. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë suvanë tradicionale dhe mënyrën sesi punohet me të.

Shtëpitë e mikpritjes

Meqenëse komuniteti i Gjirokastrës dëshiron ta përdorë trashëgiminë e pasur kulturore si burim për një jetesë më të mirë, Kampet Rajonale të Restaurimit, kanë vendosur të zgjasin dorën e ndihmesës. Duke vijuar punën e Kampeve të 21-ta Rajonale të Restaurimit, kampet e shtatorit do të vazhdojnë bashkëpunimin me poseduesit e monumenteve që dëshirojnë t’i përdorin ato si shtëpi mikpritjeje, porse u mungon dija dhe mënyrat për ta bërë këtë. Një grup pjesëmarrësish në kamp do të punojnë njëherazi në disa shtëpi për të krijuar dokumentacionin e plotë në mënyrë që një ose dy dhoma të këtyre shtëpive të shndërrohen në dhoma për turistë. Pas studimit të secilit rast, do të propozohen ndërhyrjet e duhura, bazuar mbi ligjin shqiptar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe duke i qëndruar strikt specifikës së çdo rasti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama