Gjirokaster mire se vini ne qytetin e mistereve…

Gjirokastër, mirë se vini në qytetin e mistereve…
Madhështore dhe e rrallë. E gatshme të të zhvendosë në një tjetër realitet, të cilin nuk mund ta gjesh askund tjetër. Gjirokastra ju mirëpret! Me rrugët me kalldrëm, banesat e papërsëritshme, ku ndërthuren stili oriental e ai perëndimor, me kështjellën e legjendës së Argjiros, gatimet tradicionale dhe sigurisht, mikpritjen dhe bujarinë e vendasve. “Të vish në Shqipëri e të mos vizitosh Gjirokastrën është njëlloj sikur të mos kesh ardhur fare”.

Ky është përkufizimi që jep një turist kosovar nga Gjakova, pasi ka vizituar kështjellën dhe Qendrën Historike të qytetit. Një ditë sigurisht nuk mjafton për të parë e shijuar gjithçka. Po patjetër është mëse e mjaftueshme për të lënë shijen e turizmit historik dhe kulturor”.

Nga Tirana drejt Gjirokastrës me autobus, udhëtimi kushton 1000 lekë. Linjat e autobusëve janë të shpeshtë, por udhëtimi është i lodhshëm, veçanërisht nga Ballshi e deri në hyrje të qytetit të Tepelenës, për shkak të infrastrukturës së amortizuar rrugore. Më tej, autostrada e bën më të rehatshëm udhëtimin. Natyra është e veçantë me ndërthurjen e maleve dhe lumit. Në hyrje të qytetit të Gjirokastrës pamja nuk është shumë e këndshme për shkak të mbetjeve në të gjithë gjatësinë e lumit Drino. Prej “Urës së Lumit” vendi ku qëndrojnë autobusat e linjës e deri në Qendrën Historike mund të zgjidhni të shkoni me taksi, që kushton 300 lekë, apo me autobusët interurbanë ku bileta kushton 30 lekë. Nëse vendosni të shkoni me taksi mund të zgjidhni të ngjiteni nga lagjja “Varosh”, për të shijuar udhëtimin në rrugë me kalldrëm ose nëpërmjet rrugës nacionale në lagjen “Puntore” deri në “Sheshin e Çerçizit”. Nëse do të zgjidhni autobus mund të shkohet vetëm nëpërmjet rrugës së dytë.

 

Qendra historike

Sheshi “Çerçiz Topulli” nis rrugëtimin drejt Qendrës Historike. Nëpërmjet një tabele të vendosur aty mund të merrni një farë orientimi rreth pikave më të vizitueshme në qytet. Pas asfaltit të sheshit, fillojnë kalldrëmet që të çojnë në Qafën e Pazarit. Në të dy anët e rrugës, dyqanet ofrojnë çdo gjë të nevojshme, duke filluar nga marketet ushqimorë, dyqanet e suvenirëve apo të punimeve artizanale, të antikuareve, madje dhe një galeri artesh figurative, bare, e ambiente të tjera relaksuese. Një lëng frutash apo një kafe mund të shijohet në tavolinat e nxjerra në trotuare (të preferuara mjaft këto vendqendrime prej turistëve) e deri të pikat e tregtimit të byrekëve, fast food-eve, picerive, etj. Në këtë zonë vazhdojnë të punojnë ende artizanë të vjetër, si orëndreqës, etj.

Në këtë pjesë të qytetit mund të zgjedhësh restorante të të gjitha llojeve, ata të traditës gjirokastrite, që ofrojnë gatime të veçanta të zonës, si qofte, qifqi, byrekë, etj, apo edhe restorante ku ofrohen lloje të ndryshme gatimesh, si italianë. 600 deri në 1000 lekë kushton mesatarisht dreka për një person. “Festivali”, “Kujtimi”, “Sopoti” “Tre harqet” ofrojnë gatime tradicionale, ndërsa “Fantazia” e “Kërculla”, një ndërthurje të traditës me ushqimin italian.

Duke “ndjekur” Argjironë

Prej Qafës së Pazarit nis ngjitja drejt kështjellës së Argjirosë, që përmendet rreth shekullit të XIII. Është paksa e lodhshme ngjitja për shkak të pjerrësisë së rrugëve me kalldrëm, por ia vlen! Në hyrje të kalasë bileta që duhet paguar kushton 200 lekë dhe ajo të lejon të shohësh pjesën e jashtme, katakombet dhe galeritë e saj. Në muret e kështjellës gjen guida të shkruara në shqip dhe anglisht. Në hyrje të saj pajisesh me guidat audio dhe fletëpalosjet që ofrohen në 5 gjuhë, shqip, italisht, anglisht, greqisht dhe çekisht. Avioni amerikan, e vetmja relike e Luftës së Ftohtë tërheq mjaft kureshtjen e vizitorëve, po kështu edhe skena e festivaleve, kullat e princeshës, kulla e Sahatit, mbetjet e ujësjellësit 12 kilometra të gjatë, ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, objektet e kultit kishë e teqe etj, janë disa prej pikave që mund të vizitoni. Për të parë muzeun e armëve, galerinë e arteve dhe burgun e kalasë, nevojitet edhe një tjetër biletë prej 200 lekësh. Përveç arkitekturës, muzeu i armëve me një koleksion mjaft të pasur qysh nga mesjeta, pavarësisht kushteve jo fort të përshtatshme është një atraksion kulturor që nuk duhet humbur. Në të tria këto pjesë të kalasë, ofrohet guide, ndërkohë që në kështjellë mund të gjeni suvenire apo kartolina me imazhe nga Gjirokastra dhe kalaja.

Shkolla e parë, muzeu në dhomat e diktatorit dhe shtëpia e Kadaresë

Obelisku, vendi ku u çel e para shkollë shqipe në Gjirokastër nuk duhet humbur gjithashtu. Më tej, nëpërmjet rrugëve mund të vizitohen dhjetëra banesa karakteristike. Në rrugën që të çon drejt lagjes ‘Palorto”, mund të vizitosh banesën e Skëndulatëve, me moshë rreth 300-vjeçare. Vetëm 50 metra më poshtë ndodhet Muzeu Etnografik, i vendosur në shtëpinë e lindjes së Enver Hoxhës. Pasi ke vizituar edhe këtë muze, nëse zbret një rrugë të ngushtë me kalldrëm ke shansin të vizitosh edhe shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare dhe pak metra më tej edhe banesën e Ficove, e rrallë përsa i përket arkitekturës. Jo shumë larg prej andej ndodhet banesa e Angonatëve, e cilësuar si ikona e arkitekturës gjirokastrite. Nëse preferon të udhëtosh pak me këmbë e të paguash vetëm 1 euro, mund të shijosh shtëpinë e Zekatëve, prej nga gjithë Gjirokastra shihet si në pëllëmbë të dorës. Gjithashtu në lagjen “Meçite” janë hamamet e vjetra turke, apo edhe “7 kronjëret” që nuk duhen humbur gjatë vizitës në Gjirokastër.

Hotelet

Nëse doni të kaloni një natë në Gjirokastër mund të zgjidhni hotelet ose bujtinat. Janë banesat karakteristike, ku tradicionalja është ndërthurur me modernen. Cmimet e dhomave fillojnë nga 1 mijë lekë (teke) e deri në 35 euro (dopjo), ndërkohë që të gjitha pagesat kryhen “Cash”, pavarësisht nëse valuta është në lekë, në euro apo në dollarë.

Nga Mesjeta, në antikitet

Antigonea

Është qyteti që mbreti i Epirit, Pirro i bëri dhuratë si prikë bashkëshortes së tij të parë, Antigonës, e bija e mbretit të Egjiptit, Ptolemeut. Sipas historianëve qyteti u ndërtua rreth viteve 297-296 para Krishtit, duke zbatuar skemën e  një arkitekti të famshëm, Hipodamit të Azisë së Vogël, që i jep qytetit pamjen e një fushe shahu, për të përfunduar rreth 100 vjet më vonë i djegur nga konsulli romak Emil Pauli, së bashku me 168 qytete që në luftërat iliro- romake ishin rreshtuar kundër Romës. Vetë Pirro nuk e vizitoi asnjëherë qytetin, për shkaqe që kanë mbetur ende mister.

Hadrianopoli

Qyteti antik i Hadrianopolit u ndërtua nga perandori romak me të njëjtin emër, nga periudha e të cilit kanë mbetur shumë gjurmë ndërtimesh edhe në qytete të tjera antike në Shqipëri. Shekulli i dytë pas Krishtit përbën një rizgjim të madh të jetës qytetare në Luginën e lumit Drino. Në qendër të kësaj lugine u ndërtua pikërisht qyteti i Hadrianopolit. Madhështia e këtij qyteti deri para pak vitesh, shfaqej vetëm në dy objekte, Teatri dhe Nekropoli. Katër ekspedita italo- shqiptare kanë nxjerë në dritë një pjesë tjetër të qytetit, i cili prej më shumë se 20 shekujsh ishte i mbuluar nga aluvionet e lumit Drino. Qyteti antik i Hadrianopolit ndodhet në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë, pranë fshatit Sofratikë në komunën e Dropullit të Poshtëm.

Lugina e Drinosit

Për arkeologët dhe ekspertët shqiptare e të huaj të antikitetit, lugina e Drinos në qarkun e Gjirokastrës vlerësohet si një nga zonat me numrin më të madh të siteve arkeologjike dhe me intensitetin më të madh të qendrave të banimit në lashtësi. Numërohen rreth 20 vendbanime dhe fortifikime antike, tuma dhe varre monumentale, tempuj dhe teatro antike nga fillimi jugor i luginës në Selo të Dropullit të Sipërm në kufi me Greqinë, në Melan dhe Sofratikë, e deri në Lekël, në pjesën veriore të luginës. Ndërkaq, studimet dhe kërkimet më të fundit kanë treguar se lugina e Drinos përmban shumë më tepër pasuri nga ato që njihen deri tani. Bëhet fjalë për rreth 200 site, tuma arkeologjike etj, të përpunuara gjatë dy viteve të fundit, të cilat janë të ndërtuara në periudha dhe me teknika të ndryshme, duke filluar nga periudha prehistorike e deri në të tjera periudha të mëvonshme. Së shpejti gjithçka do të jetë pjesë e hartës arkeologjike së luginës së Drinos.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama