Gjermani-Shqiperi Cfare nuk duhet te dine turistet gjermane

Gjermani-Shqiperi: Cfare nuk duhet te dine turistet gjermane

Të huajt nuk do të vinin këtu për turizëm, në qoftë se do të mësonin se si i ndosim ujërat e deteve dhe liqeneve, apo si e mbushim bregun me shishe plastike. Turistët gjermanë do të humbnin rrugëve pa adresa dhe nuk do të arrinin të vizitonin vendet e bukura. Këto vërejtje bëhen nga ambasadori i Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, në intervistën dhënë gazetës “Shqip”. Si përfaqësues i vendit që jep mbështetjen më të madhe financiare dhe teknike për ekonominë tonë, Hoffman thekson se investimet e nisura me qeverinë shqiptare në energjetikë, turizëm, ujësjellës-kanalizime, etj., janë në rrugë të mbarë. Një grup gazetarësh ndoqi nga afër disa prej projekteve të mbështetura nga Gjermania në Jug të vendit, të cilat kanë filluar zbatimin pas studimesh disavjeçare, që kanë përcaktuar nyjet nevralgjike ku bëhet ndërhyrja.

Zoti ambasador Hoffmann, ku është përqendruar ndihma e shtetit gjerman për Shqipërinë? Cilat janë prioritetet?

Të gjitha prioritetet ne i kemi diskutuar me qeverinë shqiptare dhe i kemi vendosur bashkë se në cilat projekte do të mbështesim. Sigurisht që projektet e nisura janë mjaft të rëndësishme. Qeveria gjermane investon në sektorët kyç, si energjetika dhe ujësjellës-kanalizimet. Pa këta sektorë nuk mund të zhvillohet ekonomia dhe nuk mund të mendohet zhvillimi harmonik i vendit. Një fushë tjetër e bashkëpunimit bilateral është bujqësia. Do të doja të përmendja këtu kreditë që u kemi dhënë fermerëve për zgjerimin e prodhimit të tyre. Mendoj se ky projekt është mjaft i rëndësishëm, sepse Shqipëria në këtë sektor ndodhet poshtë nivelit potencial të saj. Një pikë mjaft e rëndësishme është arsimi profesional, ku Gjermania mbështet formimin e shkollave që zhvillojnë profesionalisht të rinjtë. Më lejoni të përmend si shembull edhe projektin e mbrojtjes së biodiversitetit, si një kontribut për mbrojtjen e mjedisit.

Le të ndalemi te një projekt konkret që ka rëndësi ekonomike dhe kombëtare, linja 400 kv me Kosovën, e cila ka hasur pengesa. A ka filluar zbatimi?

Siç e dini tashmë ka pasur disa vonesa të cilat lidhen me probleme të fazës përgatitore, të cilat, për fat të mirë, janë kapërcyer tanimë dhe projekti është në rrugë të mbarë.

Në Shqipëri ka një nivel të ulët të transparencës së administratës qeveritare, i dëshmuar si fenomen i përhapur edhe nga raportet ndërkombëtare. Çfarë pritshmërie keni për procesin e zbatimit të projekteve gjermane? A mund të preken këto fonde nga abuzimi?

Probleme të tilla sigurisht i kam dëgjuar, por me sa di unë, ngjarje të kësaj natyre nuk kanë ndodhur deri tani me financimet gjermane. Unë, personalisht, kam besim të madh te stafi që ndjek këto projekte në terren, gjithashtu vetë ata i shikojnë këto fenomene me sy mjaft kritik.

Në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor u dhanë sinjale për një mbështetje të BE-së në kuadrin rajonal. Si do ta mbështesë Gjermania nismën e ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, për të cilën interesohet edhe Shqipëria?

Është e vërtetë, ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane është përmendur në konkluzionet e Konferencës për Ballkanin Perëndimor prej kancelares gjermane, Angela Merkel, por këtu nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim dypalësh, por për një përpjekje të përbashkët për të identifikuar donatorë të ndryshëm të interesuar në këtë projekt. Vetë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin iniciativën për ta çuar përpara këtë projekt. Kjo nuk do të thotë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëjnë një listë dëshirash dhe t’ia dorëzojnë vendeve të Bashkimit Europian, por të angazhohen edhe vetë në këtë drejtim. Ata duhet të bëjnë fillimisht detyrat e tyre në vendin e tyre, të hedhin bazat, të skicojnë se si do të ndërtohet dhe pastaj të kërkojnë ndihmë.

Do të doja t’ju pyesja si turist, jo si ambasador. Cilat janë përshtypjet e udhëtimeve tuaja private? Çfarë nuk shkon në turizmin tonë?

Unë do të dëshiroja ta nisja me elementet pozitive. Shqipëria është e bekuar vërtet, me një shumëllojshmëri peizazhesh me male, dete, liqene, fusha, lumenj, gjithçka që mund të përmbajë një natyrë e bukur. Më tej ka edhe qytete që ngrihen mbi një histori dhe sfond interesant. Këtu ndodhemi në Gjirokastër, një trashëgimi kulturore e mbrojtur nga UNESCO. Pra, potenciali është mjaft i madh, por duhet kuruar dhe duhet trajtuar me dashuri. Dhe tani jam duke mbërritur te pika problematike. Këto 15 vjet ka pasur një zhvillim shumë të madh të ndërtimeve, që ka sjellë pasoja jo të dobishme për turizmin dhe që prekin drejtpërsëdrejti edhe turistët që vijnë në këtë vend. Në shembullin e Sarandës mund të shihet bukur se si qyteti nga pikëpamja ndërtimore është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, pra është ndërtuar mjaft këto 15 vite, ndërkohë që ndërtimi i infrastrukturës ka mbetur pas. Pra, ka një mungesë baraspeshe mes këtyre dy zhvillimeve. Dhe, nëse një turisti të huaj, një turisti gjerman, do t’i thuhej se ujërat e ndotura rrjedhin krejtësisht të papërpunuara në det, atëherë nuk besoj se ky është një faktor që mbështet dhe promovon turizmin. Apo në qoftë se do të shohësh në plazhet shqiptare, aktualisht shishet plastike hidhen pa kujdes ose pastrohet vetëm në një pjesë të plazhit dhe njëqind metër më tutje ka grumbuj me papastërti. Në këtë kontekst kam për të thënë fjalë të mira për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodhelin, që u kujdes në fillim të vitit që të pastronte një pjesë të mirë të territorit shqiptar dhe shpresoj që shqiptarët dhe shqiptaret të bëjnë të njëjtën gjë, që ajo të mos detyrohet ta bëjë këtë përsëri pas gjysmë viti. Dhe si vërejtje të fundit që do ta bëja unë si vizitor privat, është për rrugët e Shqipërisë, të cilave u mungon një sistem orientimi me anë të tabelave që do t’i çonte turistët lehtë drejt vendeve të bukura që duhen parë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama