Giffoni drejt Kosoves e Maqedonise

'Giffoni', drejt Kosoves e Maqedonise
Edicioni i tetë i “Giffoni Shqipëria” është çelur në Tiranë me një film që i ka ngjarë një “leksioni” jete. “Fëmijët e klasës së tetë nuk qajnë”, një realizim holandezo-bullgar i këtij viti, ka bërë që më shumë se gjysma e të rinjve të pranishëm në kinema “Millenium” të përlotur. Protagoniste është një bashkëmoshatare e tyre, Aki, një vajzë e shkathët e cila dashuron futbollin, por që jeta nuk e përkëdhel shumë. Prindërit e saj zbulojnë papritur se ajo vuan nga leucemia.

Marrëdhënia e saj me prindërit, dëshira e madhe për jetën e futbollin dhe përballja me vdekjen, dhënë me një gjuhë artistike, ka bërë që në përfundim të projeksionit, diskutimet të jenë të shumta. Pesë filma të tjerë, të ndarë për grupmoshat +13 dhe +16 janë pjesë e programit, ndërkohë që tematikat që sjellin janë mjaft të larmishme. “Çdo vit formati i ‘Giffonit” ngrihet mbi një tematikë të caktuar. Filmat që janë përzgjedhur për t’u shfaqur sivjet në Shqipëri janë edhe më specifikë, sepse trajtojnë në 360 gradë problematikat e moshës së cilave u drejtohen. U tregon atyre se si të përballen me dhimbjen, se si i përjetojnë historitë e para të dashurisë, janë të shumanshëm”, ka theksuar moderatorja e festivalit, Manjola Lloja.

Projeksioneve u bashkohen këto ditë edhe fëmijët e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Edicioni i tetë u çel në Durrës më 15 tetor për të vazhduar në Durrës, për të ndalur në Tiranë. “Ashtu siç e lajmëroi edhe më parë themeluesi i ‘Giffon’-it në Itali, Claudio Gubitosi, në datën 27 tetor do të kemi një workshop me producentë nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova, për të parë mundësitë se si ky format mund të zhvillohet edhe në këto shtete, duke e kthyer një aktivitet ballkanik”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i festivalit në Shqipëri, Namik Ajazi. Në Tiranë ka mbërritur edhe juria ndërkombëtare me të rinj nga Italia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Edicioni i tetë do të mbyllet më 26 tetor, ku juritë e të dyja kategorive, gjeneratës +13 dhe gjeneratës +16 , do të votojnë për të zgjedhur filmat më të mirë. Si çdo vit, do të ndahet edhe çmimi i karrierës që mban emrin e Xhanfise Kekos.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama