Gezuar Kosove sot dy vjetori i pavaresise

Gëzuar Kosove, sot dy vjetori i pavarësisë
Ndërsa është në pritje të një mendimi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, 65 shtete tashmë e kanë njohur. Vala e madhe e njohjes në vitin e parë të pavarësisë, nuk u përcoll edhe në të dytin. Procesi gjyqësor për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, u cilësua nga liderët kosovarë si një nga faktorët, që shkaktoi ngecje në njohje. Gjatë vitit të dytë të pavarësisë Kosova arriti të njihej nga 11 shtete të reja.

Megjithatë, anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, bëri që edhe viti i dytë të quhet i suksesshëm, pasi pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova fitoi dy të tretat e votave të anëtarëve të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare. Krijimi i një mjedisi të sigurt dhe integrimi i pakicave kombëtare, veçanërisht i pakicës serbe, mbeten edhe më tej “thembra e Akilit” e institucioneve pro-perëndimore të Kosovës. Veriu i vendit i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë një arenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, krijimi i tri komunave të reja me shumicë serbe dhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, rriti shpresat se serbët po ua kthenin shpinën strukturave paralele serbe.Strategjia për integrimin e veriut e iniciuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare nuk u finalizua ende, ndërsa nuk dihet sa do të jetë e zbatueshme. Sidoqoftë, 17 shkurti i këtij viti shënon vitin e dytë të jetës së një shteti të ri, pavarësia e të cilit është e pakthyeshme.

Në Kosovë gjatë ditës së sotme janë parashikuar një sërë aktivitesh. Në orën 10.00 Kuvendi i Kosovës, do të mbajë sot një seancë solemne, ku kryeparlametari Jakup Krasniqi, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi do të mbajnë fjalën e rastit para deputetëve të vendit dhe të ftuarve të tjerë. Në Prishtinë në po në orën 10:00 do të mbahet mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, për të vazhduar më pas në orën 12:00 në Teatrin Dodona me një program artistik, të përgatitur nga “Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës. Në orën 13: 30 në Bulevardin “Nëna Terezë” do të mbahet një program artistik për fëmijë, ku do të marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të qytetit. Në orën 14:00 ndërkaq, në Stadiumin e qytetit, do të luhet ndeshja miqësore e futbollit Kosovë – Shqipëri. Programi qëndron festiv fillon në orën 20:00, në skenën e vendosur para Hotel “Iliria”, ku do të intepretojnë solistë dhe grupet të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese. Programe të ngjashme kulturore, artistike e sportive janë paraparë të mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës.




Balkanweb

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama