Gerdeci Shefi i Shtabit Luan Hoxha iken me familjen ne SHBA

'Gerdeci', Shefi i Shtabit, Luan Hoxha iken me familjen ne SHBA
Prokuroria kërkoi dënimin me 8 vjet burg, gjenerali largohet nga Shqipëria para se gjykata të japë vendimin për Gërdecin.
Pritet vendimi nga gjykata për Gërdecin, nga 1 janari 2012 ish-kreu i FA nuk është paraqitur në punë.
Prokuroria kërkoi 8 vjet burg, ish-shefi i Shtabit në SHBA.

Gjenerali Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, i pandehur në dosjen “Gërdeci”, është larguar nga Shqipëria prej më se një muaji. Ish-zyrtari i lartë i Forcave të Armatosura, mësohet se ka lënë Shqipërinë në datën 1 janar 2012, duke u larguar siç thuhet zyrtarisht, “së bashku me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Nga burime jozyrtare mësohet se gjenerali Luan Hoxha nuk është paraqitur në punë në Tiranë që nga data 1 janar 2012. Ai jepte mësim si pedagog në disa institucione arsimore, me të cilat ka ndërprerë kontratat që nga fillimi i janarit. Në lidhje me largimin nga Shqipëria te gjeneralit të akuzuar në dosjen “Gërdeci”, zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës konfirmuan mbrëmë vetëm faktin se Luan Hoxha, prej muajsh nuk paraqitet në gjyq. Sipas burimeve nga organi i akuzës, Prokuroria apo Gjykata nuk kishin vendosur ndaj Luan Hoxhës ndonjë masë ndalimi për të dalë jashtë Shqipërisë. Në këto kushte, sipas burimeve, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nuk ka pasur ndonjë ndalim sa i përket lëvizjes jashtë shtetit. Nga ana tjetër, burimet nga Policia konfirmojnë daljen e Luan Hoxhës jashtë Shqipërisë, por theksojnë se lëvizjet e tij kanë qenë të shpeshta. Kështu, mësohet se për periudha disamujore Luan Hoxha ka qëndruar edhe në Kosovë, ku ka dhënë mësim në disa institucione arsimore private.

Largimi nga Shqipëria

Luan Hoxha është njëri nga të akuzuarit kryesorë të Prokurorisë në çështjen penale të tragjedisë së Gërdecit, pasi në pretencë ndaj tij është kërkuar dënimi me tetë vite burg dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike. Pas këtij dënimi, përmes avokatit, Luan Hoxha ka kërkuar pafajësi dhe nuk është paraqitur më në gjyq. Po kështu, ai nuk është paraqitur as në punë që nga 1 janari 2012, duke u larguar në SHBA së bashku me familjen, siç thonë burimet, i pajisur me dokumentacionin përkatës të nevojshëm. Ky largim ndodh pak muaj pasi në shtator 2011, në kabllogramet e publikuara nga WikiLeaks, Luan Hoxha përmendej për një bisedë në të cilën ai kishte informuar ambasadorin amerikan Widhers në lidhje me Gërdecin. Sipas kabllogramit, Luan Hoxha i kishte thënë Widhersit se vendimmarrësi kryesor për Gërdecin ishte Fatmir Mediu, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve deri te llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi. “Hoxha pranoi se stafit të tij i ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin, në mes të 2007-s, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se nuk kishte asgjë të gabuar.

Gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër Kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i Kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa pasur asnjë vonesë”, shkruhet në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-ve. Në dokument thuhet se “i pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj po, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës”. “Mbi këtë, ai tha se nuk ishte i sigurt që të fliste”, thuhet në kabllogram.
Pretenca në gjyq, Luan Hoxha kërkoi pafajësi për akuzat

“Ministria e Mbrojtjes anashkaloi Ushtrinë”

TIRANE – Në seancën e 25 nëntorit 2011, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, paraqiti në gjykatë argumentet e tij mbrojtëse mbi akuzat e ngritura ndaj tij për shpërthimin e Gërdecit. Nëpërmjet avokatit të tij, i pandehuri Hoxha i kërkoi gjykatës deklarimin e tij të pafajshëm. Para gjykatës, avokati deklaroi se klienti i tij kishte kryer asnjë veprim që vinte në kundërshtim me përmbushjen e detyrës së tij të përcaktuar në ligj. “Klienti im, Luan Hoxha, në zbatimin e detyrave të tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm ka qene korrekt dhe ka zbatuar me rigorozitet çdo detyrim ligjor të tij”, u shpreh avokati. Duke analizuar në detaje të gjitha detyrimet ligjore të të pandehurit Hoxha në funksionin e tij si ish-kreu i Shtabit të Përgjithshëm, avokati u shpreh se Prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë që të vërtetonte akuzën që i adresonte gjeneralit, atë të “shpërdorimit të detyrës”.

“Nuk ekziston asnjë element i shpërdorimit të detyrës së tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm në hartimin e projekt-urdhrit 2044 apo gjatë zbatimi të tij”, pohoi avokati. Sipas avokatit, Gërdeci nuk u caktua si vend demontimi me urdhrin 2044, por që në fillim të projektit me urdhrin 550, urdhër i cili as nuk ka kaluar nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe as nuk është marrë ndonjë mendim atij. “Në kohën e përpilimit të urdhrit 2044, në Gërdec kishte filluar puna që më parë, duke u demontuar municionet e kalibrit 7.5-31.5 m/m. Shefi i Shtabit nuk kishte asnjë detyrim ligjor, të përcaktuar në ligj apo ndonjë akt të veçantë, që të merrte përsipër e të ngarkohej me detyrimin për të kontrolluar licencimin e vendit të demontimit”, argumentoi mbrojtësi. Në diskutimin e saj përfundimtar, organi i akuzës kërkoi deklarimin  fajtor të Luan Hoxhës dhe dënimin e tij me 8 vjet burg dhe 5 vjet ndalim për ushtrimin e detyrës.

Avokati: Ai udhëton shpesh në Kosovë

TIRANE – Përfaqësuesi ligjor i Luan Hoxhës, i cili mbron gjeneralin në procesin kundër tij në Gjykatën e Tiranës, u shpreh dje se nuk kishte dijeni për largimin nga vendi të klientit të tij. I kontaktuar në telefon nga gazeta, avokati pohoi vetëm lëvizjet e shpeshta të Hoxhës drejt Kosovës. “Nuk di që klienti im të jetë larguar jashtë territorit të vendit. Di që ai lëvizë shpeshherë drejt Kosovës, pasi jep mësim në një fakultet në Prishtinë”, u shpreh avokati. Në lidhje me ndonjë udhëtim të mundshëm të klientit të tij përtej Oqeanit Atlantik, avokati tha se nuk ishte në dijeni. Sipas avokatit, kontaktin e fundit me klientin e tij Luan Hoxha e kishte pasur tri-katër ditë më parë, kur ish-kreu i Shtabit e ka marrë në telefon. “Të jem i sinqertë, unë nuk kontrolloj çdo lëvizje të klientit tim. Në funksion të detyrës si mbrojtës i tij takohem me të një herë në dy javë. Herën e fundit kam folur në telefon. Më ka marrë nga numri i tij shqiptar”, u shpreh avokati.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama