Gaiani Statusi do tju sjelle rritjen e investimeve te huaja

Gaiani: Statusi do t'ju sjelle rritjen e investimeve te huaja

Me rastin e marrjes së Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian më 1 korrik 2014 nga Italia, ambasadori italian në Shqipëri, Massimo Gaiani, shpjegon në një intervistë ekskluzive për “Shqip” prioritetet e vendit të tij ndaj Shqipërisë, pozicionin e kësaj të fundit në optikën e politikës dhe ekonomisë italiane, si dhe aktivitetet që do të mbahen këtë muaj edhe gjatë Presidencës italiane. Ai gjithashtu komenton për vendimin e statusit të vendit kandidat, dhënë së fundmi Shqipërisë, ndërhyrjen në Lazarat apo edhe për pilotin italian të kapur në Divjakë.

Shqipërisë iu dha së fundmi statusi i vendit kandidat. Midis shumë figurave të njohura ndërkombëtare, Kryeministri Edi Rama vuri në dukje edhe rolin dhe mbështetjen e veçantë të homologut të tij italian, Matteo Renzi, në realizimin e këtij objektivi. Cili është komenti juaj?

Italia ka qenë mbështetëse e bindur për dhënien e statusit të vendit kandidat, akt i detyrueshëm dhe plotësisht i merituar. Në përgjithësi, vendi ynë ka mbështetur procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, e në veçanti të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi ky rajon është plotësisht pjesë e Europës. Në përputhje me këtë qëndrim, kjo temë përfaqëson një nga prioritetet e gjashtëmujorit të Presidencës italiane të Këshillit të Bashkimit Europian. Gjatë punës përgatitore të Këshillit Europian, i cili vendosi dhënien e statusit, Italia ka ndërmarrë çdo veprim të mundshëm për të favorizuar një rezultat pozitiv për Shqipërinë. Kjo mbështetje gjeti zbatim edhe në një angazhim të veçantë në ata sektorë që do të rezultonin vendimtarë për vendimin pozitiv nga shtetet anëtare të BE-së. Për shkak të natyrës shumë aktuale të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të doja të citoja në mënyrë të veçantë aktivitetet e shumta në sektorin e bashkëpunimit të policisë dhe të zbatimit të ligjit, në kuadër të programit europian dhe udhëheqjes italiane të PAMECA IV. Gjithashtu, janë përdorur mjete dhe burime njerëzore e financiare për aktivitetet e monitorimeve ajrore, me qëllim gjetjen e fushave të mbjella me kanabis në territorin shqiptar.

Presidenca italiane e Këshillit të BE-së do të zgjasë nga 1 korriku 2014 deri më 31 dhjetor 2014. Ju lutem, a mund të na bëni një panoramë të planeve dhe prioriteteve të saj?

Prioritetet e Presidencës do të bëhen publike në datën 2 korrik nga Kryeministri Renzi në Parlamentin Europian dhe nga ambasadat në kryeqytetet përkatëse të akreditimit. Në përgjithësi, mund t’ju them paraprakisht se Italia do të përqendrohet në radhë të parë në çështjen e punësimit, me vëmendje të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm, të cilit i kushtohet edhe Ekspo Milano e vitit 2015. Italia i kushton gjithashtu rëndësi të madhe afrimit të institucioneve komunitare me qytetarët europianë dhe synon të vërë theksin mbi të drejtat e njeriut, liritë thelbësore dhe shtetin e së drejtës si elemente thelbësore të ndërtimit të Europës. Italia synon gjithashtu të mbështetë EEAS-in, Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, në përforcimin e rolit të BE-së në skenën ndërkombëtare.

Cili do të jetë vendi që Shqipëria do të zërë në prioritetet e Presidencës Italiane midis vendeve të tjera ballkanike?

Një prioritet strategjik për Presidencën tonë do të jetë zgjerimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, me qëllim rivendosjen e stabilitetit dhe bashkimit të kontinentit europian. Zgjerimi përfaqëson një mjet të rëndësishëm për promovimin e paqes, demokracisë dhe sigurisë në Europë. Po kaq rëndësi mbart për ne edhe promovimi i strategjive makrorajonale dhe në veçanti zbatimi i nismës Adriatiko-Joniane nga ana e Këshillit të Europës brenda dhjetorit të 2014-s. Jemi të mendimit se strategjia makrorajonale e zonës së Adriatikut dhe Jonit – për më tepër e hartuar me mbështetjen e të gjitha vendeve të përfshira, ndër to edhe Shqipërinë – do të japë një kontribut thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor dhe për avancimin e tyre në rrugëtimin europian.

Autoritetet italiane e vlerësuan ndërhyrjen e policisë shqiptare në Lazarat. A kontribuoi Italia në realizimin me sukses të këtij operacioni? Le të themi, me ekspertizë apo logjistikë?

Prej viteve ‘90, vepron në Shqipëri departamenti italian i sigurisë publike, që ka ndihmuar ndër vite në rritjen e policisë së shtetit shqiptar, edhe përmes aktiviteteve të trajnimit dhe ofrimin e mjeteve dhe pajisjeve përkatëse. Gjatë tre viteve të fundit, falë një marrëveshjeje të nënshkruar mes Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale Italiane dhe Policisë Shqiptare, është realizuar edhe monitorimi ajror i disa zonave të territorit shqiptar, ndër të cilat edhe Lazarati. Rezultatet e këtij aktiviteti i kanë ardhur në ndihmë policisë shqiptare për operacionin e sapozhvilluar në atë zonë.

A u çuditët kur dëgjuat për lajmin e pilotit italian të kapur në Divjakë?

Forcat e policisë përballen vazhdimisht me teknika dhe mjete të reja, duke qenë se krimi i organizuar përdor të gjitha mjetet e mundshme e të imagjinueshme për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Në disa raste bëhet fjalë për mjete shumë moderne dhe të efektshme; në raste të tjera kanë mënyra që duken të diktuara nga improvizimi dhe imagjinata.

A ka Italia ndonjë plan për të filluar projekte të reja ekonomike në Shqipëri? A mendoni se vendimi i statusit të vendit kandidat do të ndikojë te biznesmenët italianë për të investuar në Shqipëri?

Kohët e fundit kemi vënë re rritje të interesit të operatorëve italianë drejt Shqipërisë, të favorizuar nga udhëtimet e shpeshta në Itali të Kryeministrit Rama, për të tërhequr vëmendjen e investitorëve tanë drejt Vendit të Shqiponjave. Në një periudhë afatshkurtër ose afatmesme, shikoj mundësi të shumta për përmirësimin e pranisë tonë në Shqipëri dhe për ndërhyrje domethënëse nga ana e investitorëve në veçanti në sektorin e energjisë (sidomos në kuadrin e projektit TAP), të bujqësisë dhe turizmit, duke përfshirë infrastrukturat që lidhen me të. Por që ky interes të shndërrohet në investime dhe akte konkrete është e nevojshme që Shqipëria të krijojë kushtet e favorshme për sa i përket klimës së biznesit, duke parashikuar për shembull lehtësirat dhe parashikueshmërinë e kushteve të investimit. Statusi i vendit kandidat do të ketë padyshim ndikim pozitiv në tendencën që përmenda më sipër, e më në përgjithësi, mbi fluksin e investimeve të huaja në vend, ndër të cilat ato italiane. Kjo përbën një hap përpara në rrugëtimin europian dhe nënkupton një proces reformues që do të ndikojë në favorizimin e investimeve dhe në zhvillimin ekonomik.

Pas statusit, cilat do të jenë fushat ku Italia do ta transferojë përvojën e saj të prekshme në Shqipëri?

Mendoj se Italia, e angazhuar në Shqipëri me aktivitetin e bashkëpunimit (Cooperacione) që prej viteve ‘90, do të mund të vazhdojë të japë një kontribut thelbësor në shumë sektorë. Mbi bazën e prioriteteve të ravijëzuara nga Bashkimi Europian, më i rëndësishmi do të jetë padyshim bashkëpunimi në sektorin e drejtësisë, të reformës së administratës publike dhe luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku do të vazhdojnë programe bashkëpunimi të nisura tashmë me sukses. Do të vazhdojmë të veprojmë në sektorin e zhvillimit ekonomik, duke ndërmarrë nisma për zhvillimin social, burimet njerëzore, përfshirjen dhe kohezionin territorial. Do të vazhdojmë mbështetjen institucionale, të qeverisjes së mirë dhe proceseve demokratike, edhe falë pranisë së shumtë të subjekteve dhe aktorëve të “Sistemit Itali”, si OJQ, ente lokale, institucione akademike dhe prania e rëndësishme e sipërmarrësve dhe përfaqësuesve të sektorit privat italian, që transferojnë në këtë vend standarde të lartë cilësie, përvoje dhe teknologjie, por mbi të gjitha, kreativitetin italian që na ka bërë të famshëm në të gjithë botën.

A mund të na thoni se cilat do të jenë aktivitetet kryesore që do të kemi këtë muaj dhe gjatë Presidencës suaj?

Për sa u përket aktiviteteve të parashikuara për muajin korrik, dua të kujtoj koncertin e përbashkët të Orkestrës Rinore së Shkollës së Muzikës së Fievole-s dhe Orkestrës Rinore shqiptare pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, që do të përurojë gjashtëmujorin italian të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian. Do të jetë faza e parë e një udhëtimi ideal drejt Brukselit, ku muzikantët e rinj shqiptarë do të festojnë, me një koncert përpara Parlamentit Europian, hyrjen në Federatën e Orkestrave Rinore Europiane. Më tej, më datë 3 korrik, do të përurohet pranë Pallatit të Kulturës në Tiranë projekti fotografik “Kufijtë”, ku do të paraqiten veprat e një ekspozite që prek disa vende të Europës. Në muajt në vazhdim do të organizohen shumë nisma të tjera. Dua të veçoj: konferencën kushtuar rrugëtimit europian të Shqipërisë, ekspozitën me të cilën do të vlerësojmë kontributin italian në fushën e arkitekturës në Shqipëri dhe aktivitetin kushtuar të drejtave të personave LGBT.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama