Gabimi fatal i Vladimir Gjutes me telefonin zbuloi terrorin me 10 shkurt

Gabimi fatal i Vladimir Gjutes me telefonin zbuloi terrorin me 10 shkurt

Grupi kriminal që kreu atentate terroriste mëngjesin e 10 shkurtit në Tiranë është zbuluar falë një gabimi të Vladimir Gjutës, i cili ishte edhe urdhëruesi i të gjithë terrorit, pasi kishte pasur probleme të shumta me policinë. Kuksiani me precedentë të shumtë penalë dyshohet se ka aktivizuar bombën e vendosur në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai ka bërë një thirrje te numri që ishte te lënda plasëse dhe menjëherë pas shpërthimit ka hequr kartën dhe e ka thyer. Deri në këtë pikë ka vepruar sipas “udhëzimeve”, por gabimin e ka bërë disa orë më pas. Gjuta ka pasur në përdorim një tjetër kartë SIM, të cilën e ka vendosur në të njëjtin telefon që disa orë më parë e përdori për të aktivizuar bombën në farmaci. Prokuroria thotë se është provuar se Gjuta, i shpallur në kërkim, është urdhëruesi i shpërthimit në farmaci, ndërsa ai akuzohet për drejtim të grupit të strukturuar kriminal, që ka kryer vepra me qëllime terroriste. Nëse vërtetohen provat e akuzës, atëherë Gjuta rrezikon minimalisht 20 vite burg, pasi ngjarjet e 10 shkurtit nuk patën viktima.

Atentati në farmaci

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për gazetën “Shqip” se Vladimir Gjuta është në rolin e urdhëruesit dhe ekzekutuesit për aktet terroriste më 10 shkurt. Ai ka bashkëpunuar me disa pjesëtarë të familjes së tij, disa prej të cilëve janë arrestuar. Por Vladimiri ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, pasi në momentin që agjentët po shkonin në banesën e tij në Sanatorium, ai ishte larguar pesë minuta më parë. Edhe Baftjar Bruka, që dyshohet se është edhe “njeriu me biçikletë”, është larguar nga Shqipëria, disa ditë pas atentateve. Mendohet se Bruka ka lënë vendin në datën 20 shkurt, ndërsa policia po bën gati dosjen për Interpolin.

Në lidhje me urdhrin për tritolin në farmaci, akuza thotë se Vladimir Gjuta ka “përdorur” Baftjar Brukën, i cili në orët e para të 10 shkurtit ka lëvizur në Tiranë me biçikletë. Ai shkoi fillimisht në farmaci, ku vendosi tritolin dhe më pas në zonën e Vasil Shantos, ku dhe la një pako-bombë. Më pas, lajmëroi Vladimirin se gjithçka kishte shkuar më së miri. Vladimiri, që mendohet se ka qenë në zonën e Linzës, ka bërë një telefonatë te numri që ishte në bombën te farmacia, çka solli edhe shpërthimin, që shkaktoi vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas kësaj telefonate, Vladimiri fiku telefonin dhe hoqi kartën SIM, duke e thyer. Telefonin e mbajti. “Në të njëjtën ditë, rreth orës 09:00, Vladimiri ka futur në këtë telefon, një tjetër kartë SIM. Ai e ka përdorur disa ditë këtë kartë”, thotë akuza, në lidhje me mënyrën sesi ai u identifikua si urdhëruesi i terrorit më 10 shkurt. Burimet pohojnë se kanë prova që vërtetojnë se Gjuta ka pasur edhe një motiv për këto sulme, çka e lidhin me një seri “përndjekjesh” që i kishte bërë policia.

Numrat dhe telefonat

Prokuroria ka ngritur dyshime se Ernest Gjuta tashmë i arrestuar, është personi që me ndihmën e të afërmit të tij, Emirjon Gjutës, ka siguruar kartat dhe aparatet telefonike që mendohet se janë përdorur në këto dy ngjarje. Hetimi ka qenë mjaft kompleks dhe është shtrirë në kohë, pasi do të duheshin saktësime nga kompanitë e telefonisë së lëvizshme.

Mësohet se të arrestuarit kanë përdorur nëntë numra telefoni, që disa prej të cilëve i kanë vendosur në bomba, ndërsa me numrat e tjerë i kanë aktivizuar këto bomba. Kartat e telefonit i janë blerë Emirjon Gjutës, i pari i ndaluar për këtë çështje, dhe Gjykata e Krimeve të Rënda e akuzonte për pengim të hetimeve.

Sipas burimeve zyrtare nga akuza qendrore, të paktën shtatë shtetas dyshohet se kanë rol në këto veprime, të cilësuara në Kodin Penal Shqiptar si “veprime me qëllime terroriste”. Sipas saj, është vendosur masë arresti për Lumjan Matmujën, Ernest Gjutën, Kamber Brukën, Erjon Dulen dhe Emirjon Gjutën.

Akuza

 

Nëse vërtetohen provat e akuzës, atëherë Gjuta rrezikon minimalisht 20 vjet burg

 

Organizatori

 

Vladimiri ka mundur t’i shpëtojë arrestimit, pasi në momentin që agjentët po shkonin në banesën e tij në Sanatorium, ai ishte larguar pesë minuta më parë

 

Ekzekutori

 

Baftjar Bruka, që dyshohet se është edhe “njeriu me biçikletë”, është larguar nga Shqipëria, disa ditë pas atentateve. Mendohet se Bruka ka lënë vendin në datën 20 shkurt

 

Bashkëpunëtorët

 

Emirjon Gjuta, Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruka, Erjon Dulen janë të gjithë të arrestuar. Ernesti ka siguruar kartat SIM, Emirjoni është marrë me telefonat celularë
 

Seanca

Gjuta mbetet në burg, sot masa për katër të tjerë

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë, duke i ndryshuar masën e sigurisë Emirjon Gjutës nga “arrest me burg” me afat 15-ditor në “arrest me burg pa afat”. Mësohet se Emirjoni ka mundur të sigurojë numrat celularë si dhe telefonat, nga ku u komanduan shpërthimet, njëri prej tyre në farmacinë e të atit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Emirjon Gjuta fillimisht u dyshua për veprën penale të “veprimeve që pengojnë hetimin”, por ka dyshime se mund të jetë më shumë i implikuar në këto dy ngjarje. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda do të shqyrtojë sot kërkesat për verifikimin e masës së sigurisë ndaj katër të arrestuarve Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Kamber Bruka dhe Erjon Dula. Për të dyshuarit, mësohet se prokurorët Besnik Muçi, Kudusi Shahu dhe Manjola Kajani kanë kërkuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj të lërë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” pa afat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama