Fullani - Nje portret i paautorizuar

Fullani - Nje portret i paautorizuar

Ka qenë një seancë pa lajme brenda, ajo e të enjtes së fundit. Parlamenti ka votuar shkarkimin formal të guvernatorit Adrian Fullani nga detyra, ndërkohë që ky i fundit qëndron i mbyllur në apartamentin e tij tek ish-Blloku, në pritje të procesit gjyqësor

Është shkruar shumë në këto javët e fundit për figurën e Adrian Fullanit. Një figurë tipike e zyrtarit ambicioz të tranzicionit shqiptar, që e çau rrugën e karrierës duke përdorur të gjithë arsenalin e trukeve që ofron koha që jetojmë. Imazhet me ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, teksa ngjitej në makinat blu të policisë i prangosur, kanë bënë tashmë xhiron e mediave shqiptare dhe të huaja. Që nga e premtja e 5 shtatorit, kur ngjarja shpërtheu bujshëm,


Megjithatë historia nuk fillon sot, por shumë kohë më parë. Adrian Fullani bëri goxha rrugë, edhe para viteve ’90, për të mbërritur këtu ku është sot. Jo në arrestin shtëpiak, por në krye të bankës kombëtare të vendit.


Ish-guvernatori Fullani e filloi karrierën e tij si çdo i ri i diplomuar i asaj kohe, i dalë nga një familje intelektuale e Tiranës së viteve ’80, me pretendime për karrierë dhe për një pozicion sa më të lartë social. Që do të thotë, me fjalë të tjera, sipas atyre që e kanë njohur nga afër, aplikim për anëtarësim në Partinë e Punës dhe më pas një vend si profesionist në fushën e financave. Hapi i parë, ai i hyrjes në partinë komuniste, do ta “hidhte” Adrianin e ri në një ambjent të panjohur. Adoleshentët e sotëm as që mund ta kuptojnë sesi për të marrë teserën e anëtarësimit në një parti politike, të të duhej më parë të shkoje të punoje diku. Sa më larg Tiranës, mundësisht.


Fullani filloi stazhin e partisë në ndërmarrjen e grumbullimit të produkteve bujqësore në Mullet, në vitin e largët 1985. Një ndërmarrje ku drejtonte i famshmi Nazif Tuga, i njohur ndryshe si “Beu i Saukut”. Fullani i ri do të niste punën aty si ekonomist, gjatë gjithë kohës që do të bënte stazhin e partisë. Një numër jo i vogël historish gazmore dhe barcaletash, shpesh të nxitura nga vetë Fullani, tregoheshin asokohe nga rrethet e të rinjve në Tiranë, e që kishin lidhje pikërisht me atë ambjent rural ku ai punonte.


Fullani u pranua si anëtar i PPSH në vitin 1987. Ishte një kohë e mbetur pezull, kur pas vdekjes së Enver Hoxhës, Shqipëria po mundohej të shikonte përpara, ndërkohë që sistemi socialist kishte hyrë në krizën më të thellë ekonomike që mbahej mend.


Guvernatori i ardhshëm i Bankës së Shqipërisë u pranua në parti nga komiteti i partisë i rajonit nr. 4, i cili ndodhej fatalisht pikërisht pranë sheshit “Avni Rustemi”. Aty ku 27 vjet më pas, do të arrestohej në muzgun e pesë shtatorit të vitit 2014. Duket se jeta e Adrian Fullanit është e lidhur ngushtë me këtë zonë të Tiranës plot histori dhe emra njerëzish të njohur. Në jetëshkrimin e tij zyrtar nuk thuhet asgjë për këtë periudhë, e cila figuron e zhdukur edhe nga shumë e shumë biografi personazhesh të njohur të sotëm.


Paralelisht me pranimin në PPSH, ai nisi karrierën profesionale pranë Bankës së Shqipërisë. Në vitin 1987-90, Fullanin e gjejmë në postin e zv.drejtorit të Departamentit të Jashtëm të bankës, ndërkohë që pas rënies së komunizmit, në vitet 90-92, ai fillon punë si drejtor i departamentit të jashtëm të Bankës Tregëtare. Ai u rikthye në Bankën e Shqipërisë në vitin 1993. Do të qëndronte aty deri në vitin 1996, në detyrën e shefit të departametit të jashtëm.


Në këtë moment, në jetën e Fullanit ndodh një incident që do t’i jepte një kthesë të fortë jetës së tij. Në biografinë zyrtare, në faqen e Bankës, thuhet se “Gjatë viteve 1996-1997, përvoja e z. Fullani shtrihet edhe në fushën e konsulencës për projekte zhvillimi kombëtare e ndërkombëtare, ku mund të përmenden projektet gjermano-shqiptare për financimin e biznesit të vogël dhe të mesëm në bujqësi dhe në agro-industri, për ristrukturimin dhe institucionalizimin e tregut të këmbimeve valutore si dhe analizën dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve në Shqipëri”. Një mënyrë e zbutur kjo, për të mbuluar largimin nga Banka e Shqipërisë. Çfarë kishte ndodhur? Mjaft e thjeshtë: gjatë fushatës elektorale të vitit 1996, kur zgjedhjet u zhvilluan nën kontrollin thuajse total të qeverisjes së kohës, Fullani vendosi të lobojë për një personazh të njohur të opozitës në Tiranë. Një angazhim ky që do t’i kushtonte vendin e punës pas zgjedhjeve të 26 majit.


Pasi u largua nga banka, ai u mor, ashtu siç thotë edhe versioni zyrtar i jetëshkrimit, me projekte të huaja, deri sa në vitin 1997 do të niste aventurën e re, sërish në sistemin bankar. Për shtatë vjet me rradhë ai qe zv.drejtori e më pas drejtori i përgjithshëm i Bankës Italo-Shqiptare. Një pozicion që do ta ndihmonte Fullanin, në afishim e tij si profil i një bankieri në ngritje. Duke pritur që t’i kalonte para këmbëve treni i fatit. Impozant dhe i veshur përherë me shije, i dhënë shumë pas gjithçkaje firmato dhe pas kuzhinës e verërave, Adrian Fullani përpiqej të plotësonte me artin e “aksesorëve” dhe të lukut, mungesat e hershme në formimin profesional. Ka qenë mesa duket ky profil që e ka ndihmuar të bjerë në sy të një kryeministri të kohës, Fatos Nanos, që ishte edhe ai vetë i dhënë tej mase, pas të njëjtave gjëra si edhe Fullani.


Zgjedhja e Adrian Fullanit në vitin 2004, në postin e guvernatorit, është fryt i aitj momenti që kalonte shoqëria shqiptare. Pas një guvernatori të athtë dhe të rezervuar si Shkëlqim Cani, Fullani vinte në krye të bankës së Shqipërisë si një pinjoll i asaj gjenerate zyrtarësh, të cilët formalisht quheshin “meritokraci”, por që plaku i të majtës, Dritëro Agolli, i quante me një emër pak më të ndryshëm se ky. Fakti që guvernatori nuk pati asnjë vështirësi që ndërtonte ura miqësie dhe aleanca të fuqishme politike e mediatike, pas rotacionit të bujshëm të vitit 2005, e dëshmon këtë veti të tij. Në tetë vjet, guvernatori i gjithëfuqishëm i Bankës së Shqipërisë mbretëroi i pashqetësuar mbi institucionin që menaxhon paranë publike. Duke u bërë shpesh objekt i sulmeve të së majtës, e cila sot, me votën e saj, rrëzoi trashëgiminë e gjatë të njeriu që pati krijuar klientelën më të gjatë e më të koklavitur në administratën e shtetit shqiptar.
         


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama