Forcimi i pushtetit qendror te Skenderbeut

Kryengritja fitimtare e nëntorit të vitit 1443 dhe Kuvendi i fisnikëve shqiptarë i mbajtur në mars të vitit 1444 në Lezhë, sollën ndryshime rrënjësore në organizimin administrativ, politik e ushtarak të viseve të çliruara shqiptare. Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të gjerë politik e ushtarak të vendit në formën e një aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare. Organi më i lartë qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i fisnikëve. Organe të përhershme të Besëlidhjes ishin kryetari i saj, ushtria dhe arka e përbashkët, në krye të të cilave u caktua një njeri i vetëm, Skënderbeu.
Vendimet e Kuvendit i dhanë mbështetje ligjore e morale pozitës së veçantë të Skënderbeut, si kryetar i Besëlidhjes, në marrëdhëniet me fisnikët e tjerë shqiptarë. Këtë pozitë ai e shfrytëzoi për të bashkuar sa më organikisht viset e lira shqiptare, nëpërmjet forcimit të pareshtur të autoritetit të pushtetit të tij. Si kryetar i Besëlidhjes ai ushtronte të drejtën për t'i thirrur ose jo në Kuvend anëtarët e saj.
Për nevojat e mbrojtjes e të vijimit të luftës, anëtarët e Besëlidhjes pranuan krijimin e organeve qendrore, të përqendruara në një dorë të vetme, në atë të Skënderbeut. Vendimet e Kuvendit i ngarkonin ata me detyrime politike, ushtarake e ekonomike. Kështu, në luftë kundër Venedikut gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë edhe personalitete drejtuese, të cilëve nuk u ishin cenuar drejtpërdrejt interesat nga pushtimi venecian, si Gjergj Arianiti. Në këtë luftë dhe në bisedimet për nënshkrimin e traktatit të paqes, Skënderbeu ishte figura qendrore e palës shqiptare, edhe pse nën pushtetin e Venedikut nuk ishin përfshirë zotërime të Kastriotëve, siç kishte ndodhur me ato të disa fisnikëve të tjerë.
Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët i ruanin të gjitha të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e veta. Kjo bënte që në qëndrimin e tyre të shfaqeshin edhe dukuri të tilla, si mospërmbushja e detyrimeve të caktuara në Kuvend, mospjesëmarrje në luftë, lëkundje ndaj vështirësive e presioneve të pushtuesve osmanë, mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, mbajtja e ushtrive jashtë kuadrit të Besëlidhjes etj.
Me kalimin e viteve u bë gjithnjë e më e domosdoshme të kapërceheshin sa më parë dobësitë e brendshme, të cilat pengonin zhvillimin me sukses të luftës. Detyra e mbrojtjes së viseve të lira shqiptare kërkonte që mobilizimi i banorëve në to dhe ruajtja e kështjellave të mos mbeteshin në duart e zotërve të veçantë. Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të shqiptarëve e favorizonte shumë autoriteti i madh gjithnjë në rritje që Skënderbeu kishte te bashkëkombasit e vet, tek i cili këta shihnin drejtuesin e aftë dhe komandantin e talentuar, që vazhdimisht po u sillte fitore.
Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë, të cilët i kishin fituar dhe i mbanin zotërimet e tyre në sajë të fitoreve që po korrte ushtria e Besëlidhjes. Duke ruajtur përgjithësisht të drejtat ekonomike feudale, zotërimet e tyre e humbën gradualisht autonominë politike dhe u njësuan me ato të Kastriotëve. Duke kujtuar këto ndryshime, Gjon Muzaka shkruante se shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu ndodhte ngaqë ky "kishte në dorë ushtrinë, dhe ata kishin gjithnjë turkun mbi krye". Ata ishin të varur nga Skënderbeu, sepse nuk ishin të fuqishëm dhe pa përkrahjen e tij nuk mund të përballonin dot furinë osmane. Integrimi në një shtet të përbashkët nuk i dëmtonte rëndë interesat e tyre ekonomike. Duke përmbushur detyrimet ndaj pushtetit qendror të Skënderbeut, fisnikët ruanin të drejtën e administrimit të pronave të veta po nëpërmjet aparatit të tyre të mëparshëm administrativ dhe ekonomik, i cili tani konsideroj si pjesë e aparatit shtetëror të përbashkët, të drejtuar nga Skënderbeu. Fisnikët shqiptarë kaluan kështu në vartësinë e zakonshme feudale ndaj kryezotit të tyre, Skënderbeut.
Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht, të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri të zakonshme këto në shoqërinë feudale. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas M. Barlecit, jetonte në Pollog (me këtë ai emërtonte rajonin që shtrihej nga qyteti i Shkupit në lindje deri në krahinën e Dervenit në perëndim, ndoshta edhe rajonin në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë). Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve më të fuqishme të kohës: Mara me Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin), Jella me Stres Balshën, Angjelina me Vladan Arianitin, vëlla i Gjergj Arianitit, Vlajka me Gjon Muzakën. Veç këtyre, Heroi shqiptar, i cili qysh në vitin 1443 e kishte cilësuar veten si trashëgimtar të Balshajve, bëri lidhje martesore të tjera. Vetë u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën e martoi me Muzak Topinë. Zotërimet e Arianitëve e të Topiajve kishin një rëndësi të veçantë strategjike për mbrojtjen e vendit, sepse nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnacia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën. Lidhjet martesore të shumta lehtësuan veprimtarinë politike të Skënderbeut për integrimin sa më të plotë të viseve shqiptare nën pushtetin qendror të tij. Edhe në radhët e këtyre familjeve kishte individë të pakënaqur nga forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut. Kështu, p.sh., në vitin 1455 Muzak Topia ankohej për mosmarrëveshjet që kishte me kunatin e vet, Skënderbeun.
Shprehje e qëndrimeve divergjente ndaj procesit të forcimit të pushtetit qendror të Skënderbeut ishin edhe përpjekjet e ndonjë përfaqësuesi të familjeve aristokrate shqiptare për të pasur lidhje vetjake me vende të tjera, si me Napolin, Venedikun etj. Këto qëndrime shfaqeshin sidomos kur tek ata dobësohej besimi se shqiptarët mund të përballonin vetëm luftën me ushtrinë osmane. Kështu, p.sh., pas rënies së Sopotnicës (1448) dhe Rrethimit të Parë të Krujës (1450), disa nga anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës kërkuan individualisht mbështetjen e përkrahjen e vendeve të tjera, duke nënshkruar me ta një numër traktatesh. Krahas traktatit të 26 marsit 1451, që dy ambasadorë të Skënderbeu e nënshkruan në emër të tij dhe të "familjarëve të tij e të baronëve të Shqipërisë" me mbretin Alfonsi V të Napolit, traktate të ngjashme lidhën pas disa muajsh me mbretin e Napolit ambasadori i Gjergj Arianitit (7 qershor 1451), përfaqësuesit e Muzak Topisë, Gjon Muzakës etj. Për të neutralizuar prirjet decentralizuese që po rishfaqeshin në radhët e fisnikëve shqiptarë pas fushatave ushtarake osmane të viteve 1448 dhe 1450 dhe për të ruajtur bashkimin politik të vendit, Skënderbeu forcoi lidhjet familjare me personalitetin politik më të rëndësishëm shqiptar pas tij, Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën.
Krahas lidhjeve vetjake me shtetet perëndimore, pati edhe raste që ndonjë nga fisnikët shqiptarë hyri në marrëveshje me osmanët, siç vepruan Muzakajt më 1451 dhe Dukagjinët më 1452 e më pas. Zotërimet e Muzakajve, si kufitare në jug me viset e pushtuara, ishin vazhdimisht të konfrontuara me osmanët, kurse ato të Dukagjinëve kontrollonin rrugët tregtare që sillnin të ardhura të mëdha nga qarkullimi i mallrave ndërmjet rajoneve bregdetare dhe fushave verilindore (të Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë-Dardanisë), që ishin vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve osmane, derisa më 1455 filloi ripushtimi i rajoneve verilindore e veriore të viseve të lira shqiptare.
Lëkundjet në gjirin e aristokracisë shqiptare u thelluan edhe më tej pas disfatës së vitit 1455 në betejën e Beratit. Duke e gjykuar si të pashpresë vazhdimin e mëtejshëm të luftës kundër osmanëve, Moisi Arianiti (Golemi), Gjergj Stres Balsha (djalë i motrës së Skënderbeut) dhe Hamza Kastrioti (djali i vëllait të tij) kaluan në bashkëpunim të hapur me osmanët.
Shpartallimi prej Skënderbeut i lëkundjeve dhe tendencave separatiste, që arritën deri në bashkëpunim të hapur me pushtuesit osmanë, u bë faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e një shteti të vetëm shqiptar. Në këtë proces u përfshinë edhe rajonet periferike jugore e veriore të vendit, ku shtriheshin zotërimet e Arianitëve dhe të Dukagjinëve. Integrimi i tyre në shtetin e Skënderbeut u bë më vonë se në viset e tjera dhe në fillim të viteve 60 mund të quhej i kryer.
Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut mbi zotërimet e Arianitëve eci më lehtë se mbi ato të Dukagjinëve. Në këtë proces ndikonin lidhjet martesore të familjes së Skënderbeut me Arianitët dhe sidomos fakti që zotërimet e këtyre ishin kufitare dhe qenë vazhdimisht nën kërcënimin e pushtimit osman. Pushteti qendror shtetëror u forcua aq shumë mbi Arianitët saqë, pas vdekjes së Gjergj Arianitit, më 1461, djemtë e tij ishin të detyruar të përmbushnin urdhrat e Skënderbeut. Djali i madh i Gj. Arianitit, Thomai, në emër të tij dhe të dy vëllezërve më të vegjël, në qershor të vitit 1461, u pranua në audiencë nga duka i Venedikut me letërekomandimin e Skënderbeut. Ndaj një vartësie të tillë të plotë, e ëma e tyre, që ishte edhe vjehrra e Skënderbeut, në fund të vitit 1463 do t`u shprehte pakënaqësinë e saj shteteve të tjera.
Më e vështirë qe rruga e përfshirjes së zotërimeve të Dukagjinëve në shtetin e Skënderbeut. Deri më 1455, kur sulltan Mehmeti II filloi veprimet intensive për pushtimin e Fushë-Dardanisë e të Rrafshit të Dukagjinit, zotërimet e Dukagjinëve nuk i kishin ndier dhe aq pasojat shkatërrimtare të sulmeve osmane, sepse ende kufizoheshin me vise të papushtuara dhe lidheshin me to me rrugë tregtare që sillnin të ardhura të rëndësishme doganore. Prandaj Dukagjinët, veçanërisht gjatë viteve 1450-1455, ndoqën një politikë deri diku të veçuar nga ajo e Besëlidhjes, duke u afruar edhe me osmanët për shkak të interesave ekonomike e tregtare. Skënderbeu përdori mjete të ndryshme që t'i largonte ata nga osmanët, duke kërkuar edhe ndërmjetësinë e shteteve të huaja, si të Papatit etj. Në vitin 1452 ai nënshkroi një akt bashkëpunimi me Pal e Nikollë Dukagjinin.
Me pushtimin prej turqve të Fushë-Dardanisë dhe të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit gjatë viteve 1455-1462 edhe zotërimet e Dukagjinëve u dëmtuan rëndë dhe iu ekspozuan tërësisht të njëjtit rrezik. Në këto kushte Dukagjinët i ndërprenë lidhjet me osmanët dhe në fund të viteve 50 ata dalin të lidhur plotësisht me pushtetin qendror të Skënderbeut. I pakënaqur nga kjo vartësi, Lekë Dukagjini do të ankohej më 1463 se "nuk donte të ishte nën Skënderbeun". Por një proces i tillë ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e luftës kundër rrezikut të përbashkët, pushtimit osman. Në dokumentet e viteve 60 gjithnjë e më shumë flitet për “shtetin e Skënderbeut”.
U arrit kështu të përfshiheshin në një shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumenjve Devoll e Seman dhe përfshinin në veri kështjellat e Jeliçës (Pazarit të Ri) e të Zveçanit (Mitrovicës) bashkë me rajonet e tyre. Në perëndim shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim po të këtij qyteti.
Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira shqiptare në një shtet të përbashkët u pasqyrua edhe në raportet publike midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Ndërprerja e veprimtarisë së pavarur politike të fisnikëve shqiptarë ka gjetur shprehjen e vet edhe në dokumentet e kohës, ku emrat e tyre, me kalimin e viteve, dalin gjithnjë e më rrallë dhe, që nga fillimi i viteve 60, thuajse nuk do të përmenden më. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtuese e jetës politike të vendit. Nga "zot" i Krujës, që përmendet në vitet 40, ai do të cilësohet më pas "zot i Arbërisë" dhe më 1464, me rastin e ardhjes së papa Piut II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun. Përfshirja e të gjitha viseve të lira shqiptare në një shtet të vetëm u pasqyrua edhe në marrëdhëniet e tij me oborrin osman. Prandaj në vitin 1463 sulltan Mehmeti II nënshkroi traktat paqeje vetëm me Skënderbeun dhe ai ishte i detyrueshëm edhe për fisnikët e tjerë shqiptarë, siç dëshmojnë p.sh. mirë dokumentet e kohës që kanë shënuar pakënaqësinë e trashëgimtarëve të Gj. Arianitit për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej tij.
Rreziku i përhershëm osman mbi jetën e shqiptarëve ndikoi që, në procesin e formimit të një shteti të vetëm shqiptar në të gjitha viset e lira, të vepronin kryesisht faktorët e mirëkuptimit.
Bashkimi dhe përfaqësimi i familjeve të mëdha aristokrate shqiptare në një shtet të përbashkët u shpreh edhe në lidhjet martesore ndërmjet tyre, veçanërisht me Kastriotët, në simbolet shtetërore që lidheshin me të, si dhe në individualitetin kombëtar të tij dhe në traditën historike vendase.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama