Flamurtari Magani e con Lukicin ne qender

Flamurtari, Magani e çon Lukiçin në qendër

Gugash Magani e vlerëson një blerje të goditur serbin Slavko Lukiç. Në një prononcim për "Panorama Sport", trajneri peqinas ka deklaruar se i njeh cilësitë e Lukiçit.

magani me trajnerin e volfsburgutMagani theksoi se në kushtet kur nuk po gjente lojtarë për qendrën e mbrojtjes ka zgjedhur serbin për ta afruar te Flamurtari. Trajneri beson tek eksperienca e qendërmbrojtësit, ndërsa thekson se deri më 7 shtator, kohë kur nis edhe kampionati, ai do të jetë gati.

"Jam i kënaqur që kam në ekip një lojtar si Slavko Lukic. E njoh dhe i di cilësitë e tij. E kam marrë për në qendër të mbrojtjes, pasi është lojtar me eksperiencë dhe i zgjuar. Isha duke kërkuar një qendërmbrojtës dhe nuk kisha më kohë që të prisja, ndaj zgjodha Lukicin.

Them se deri në datën 7 shtator do të jetë gati", u shpreh Magani. I pyetur nëse do të ketë afrime të tjera te Flamurtari veç serbit Lukic, trajneri Magani e la të hapur një mundësi të tillë, ku mund të ketë ende lojtarë që mund t'i bashkohen ekipit që drejton.

"Kurrë mos thuaj kurrë! Edhe mund të kemi ndonjë afrim tjetër nëse do të jetë cilësor", u shpreh Magani.

Largime

Trajneri Gugash Magani lë sërish të hapur mundësinë e largimit të lojtarëve nga Flamurtari. E ndërsa nuk flet me emra konkretë, kreu i pankinës vlonjate deklaron se do të ketë largime, por mund të ketë edhe huazime në ekipe të tjera.

"Mendoj se mund të kemi largime, por nuk dua që të flas në këto momente me emra konkretë. Po ashtu mund të çojmë edhe ndonjë lojtar për huazim në ndonjë ekip tjetër", tha trajneri i vlonjatëve.

Grupi

Për kreun e pankinës së Flamurtarit, Gugash Magani, grupi i lojtarëve tashmë është krijuar dhe se ata po ambientohen dhe po përshtaten me njëri-tjetrin.

Magani shprehet i kënaqur nga testet miqësore dhe nga paraqitja e ekipit, ndërsa shton se së shpejti ekipi do të jetë gati dhe në formën e duhur.

"Jam përgjithësisht i kënaqur nga grupi që kam në dispozicion. Janë paraqitur mirë në dy ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar.

E rëndësishme është që ekipi po reagon mirë dhe lojtarët po përshtaten më njëri-tjetrin. Kam besim se për pak kohë ekipi do të jetë gati dhe në formën që të gjithë e presim, për ta nisur mbarë kampionatin e ri. Duam edhe pak kohë dhe do të jemi gati së shpejti", përfundoi Magani.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama