Flamuri ne Beograd Qosja Memorandum prej qiellit ra e adhuroj ideatorin

Flamuri ne Beograd, Qosja: Memorandum prej qiellit ra, e adhuroj ideatorin

Nuk iu lejua shqiptarëve të kenë flamur kombëtar në stadium siç iu lejua serbëve, por ky flamur, megjithatë, mbërriti në stadium. Ishte kjo një ide jashtëzakonisht origjinale, shumë e papritur, shumë e befasishme, që mund ta ketë krijuar vetëm një mendje shumë krijuese. E adhuroj djaloshin që e krijoi këtë ide dhe e paraqiti ashtu si e paraqiti në stadiumin e “Partizanit”: prej qiellit”.

Kështu shprehet akademiku Rexhep Qosja në një intervistë të shkurtër për “Gazeta Shqiptare”, lidhur me ngjarjen e 14 tetorit në Beograd. Për profesorin, ideja që kanë shqiptarët për bashkim erdhi prej qiellit. Ndërsa i sheh si raciste deklaratat e elitës politike serbe, ai nuk është fort i kënaqur as me deklaratat eurforike të disa politikanëve shqiptarë, e mandej e sheh si të papranueshme deklaratën e sllovenes Maja Koçiançiç, zëdhënëse e Kethrin Eshton apo atë të Mishel Platinisë.

Në opinionin e tij, Rama, edhe pas ngjarjes duhet të shkojë në Beograd për të dëshmuar mençuri politike. E ndërsa ngjarja ka ngritur tonet nacionaliste, Qosja kujton se “isha i vetëdijshëm se sa shumë do ta keqpërdorë këtë ide konkrete Serbia, por mua më shkaktoi adhurim për ata që e paraqitën përmes flamurit kombëtar dhe dy figurave madhështore kombëtare në të”.

Si i gjykoni ngjarjet që ndodhën në stadiumin “Partizani” në Beograd?


Ndeshja futbollistike Serbi– Shqipëri ishte një prej ndeshjeve të rralla, shumë të rralla futbollistike, që i shikoj. Prej fillimit e shikova me një shqetësim, sepse kisha drojë prej sjelljeve të tifozëve serbë, të cilët edhe më parë kanë treguar sjellje të dënueshme në ndeshjet futbollistike të Serbisë me disa shtete ballkanike dhe evropiane. E kisha parë vrasjen e atij tifozit francez në Beograd para disa vitesh. Por, sjelljet e tifozëve serbë në ndeshjen Serbi-Shqipëri ishin më të egra

se herët e kaluara. Serbia tregoi se nuk e kishte organizuar ndeshjen si duhej, se nuk i kishte marrë parasysh të mundshmet dhe të pamundshmet, se shumëçka ia kishte lënë rastit. Prej çasteve të para, kur tifozët serbë filluan të brohorisin që të vriten shqiptarët, që të mbyten shqiptarët, sigurimi serb në stadium është dashur të përgatitet për të penguar ato veprimet kriminale që pasuan mandej. Por, përgjigja në provokimet shoviniste dhe raciste që u bëheshin shqiptarëve prej fillimeve në stadium erdhi prej qiellit: erdhi në formën e një memorandumi të jashtëzakonshëm. Ishte ky flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenore e me portretet e dy prijësve historikë shqiptarë – të Ismail Qemalit që përfaqëson mendjen dhe të Isa Boletinit, që përfaqëson pushkën në përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, që u lëshua në stadium. Domethënë ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë i mbërriti Serbisë jo prej tokës, por prej qiellit.

Nuk iu lejua shqiptarëve të kenë flamur kombëtar në stadium, siç iu lejua serbëve, por ky flamur, megjithatë mbërriti në stadium. Ishte kjo një ide jashtëzakonisht origjinale, shumë e papritur, shumë e befasishme që mund ta ketë krijuar vetëm një mendje shumë krijuese. Isha i vetëdijshëm se sa shumë do ta keqpërdorë këtë ide konkrete Serbia, por mua më shkaktoi adhurim për ata që e paraqitën përmes flamurit kombëtar dhe dy figurave madhështore kombëtare në të. E adhuroj djaloshin që e krijoi këtë ide dhe e paraqiti ashtu si e paraqiti në stadiumin e “Partizanit”: prej qiellit. Krejt botës iu tha se çka duan shqiptarët.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama