Fjalori i muzikes klasike dhe popullore per muzikantet e dashamiresit

12186537_1206925825991079_7009856197799217780_oTIRANË, 11 Nëntor/ATSH Megi Zonja//-"Fjalori i muzikës klasike dhe popullore" sapo eshte botuar shkruar nga Ilir Polena dhe Vasil S. Tole, nje botim i perbere nga rreth 3000 zëra, përfshirë leksikun muzikor që lidhet me estetikën muzikore, teorinë e muzikës (melodia, ritmika, harmonia, polifonia, dinamika, tempi, etj.), ekzekutimin muzikor, gjinitë dhe format muzikore, vallet, instrumentat muzikore, shkrimimn muzikor, muzikën popullore shqiptare etj.

Gjithashtu, është bërë përpjekje për të saktësuar etimologjinë e fjalëve të huaja dhe për shqiptimin e tyre të saktë. E lidhur me kulturën gjuhësore është edhe kërkesa për një shkrim dhe shqipërim të unifikuar në emërtimet e instrumentave dhe gjinive muzikore etj, duke ju referuar fjalorit të madh të gjuhës shqipe. Shpesh thuhet ose shkruhet "Hoboja" në vend të "oboja", "klarineti" në vend të "klarineta", "gradi i V" në vend të "grada e V", "poemi sinfonik" në vend të "poema sinfonike", "sinfonia" në vend të "sinfonia" etj.

Diçka duhet konsoliduar dhe në shkurtimet e termave, të cilat paraqiten në mënyra të larmishme, sidomos shkurtimet e shkrimit të instrumentave në partiturën orkestrale. Pra, problemet e saktësimit, stabilizimit dhe unifikimit të terminologjisë muzikore janë të shumta dhe rëndësia e zgjidhjes së tyre është e padiskutueshme. Por, ky problem merr rëndësi të veçantë kur pasaktësitë vazhdojnë të vihen re në tekstet shkollore dhe bëhet më shqetësuese, kur këto pasaktësi vihen re në studime, shkrime dhe botime të veçanta teoriko-muzikore.

Botimi i tanishëm merr përsipër paraqitjen e një pjese relativisht të kufizuar të termave të huaja, të shqipëruara në formë adekuate shqipe, (pra vetëm ato që ekzistojnë të tilla aktualisht në praktikën verbale dhe në atë të botimeve të ndryshme në gjuhën shqipe) për disa arsye: Së pari, literatura, botimet muzikore me nota që janë deri më sot te ne, në bibliotekën shtetërore dhe ato personale janë përgjithësisht në gjuhë të huaj; Së dyti, shqipërimi është një proces shkencor dhe kohor që ngërthen probleme të shumta gjuhësore që dalin jashtë kompetencave të autorëve. Prandaj, me gjithë shqipërimet e mundshme të deritanishme, arsyet e mësipërme kanë kushtëzuar një ndërtim disi të veçantë, të llojit shumë gjuhësh të fjalës, duke pretenduar fillimisht për përkthime e shpjegime të sakta dhe, duke lënë të hapur pretendimin për shqipërimin e mundshëm të tyre në të ardhmen; Së treti, përsa i përket fjalësit të muzikës popullore si dhe vetë muzikës popullore në një vështrim më të gjerë, deri më sot spjegimi për to është bërë në mënyrë të pjesshme. Muzikologjia jonë relativisht e re, që e filloi rrugën e saj vetëm në vitet 1940-1950, e ka përvetësuar terminologjinë nga burime të ndryshme teorike, që vijnë nga gjuhë, epoka dhe rryma të ndryshme historike, duke u përdorur paralelisht ose të alternuara në literaturën teorike muzikore të botuar në gjuhën shqipe.

Duke patur parasysh dhe mungesën e kompetencës profesionale, në përdorimin e terminologjisë muzikore vihen re mjaft paqartësi, kontradikta dhe probleme konceptuale. Për të emërtuar stile muzikore, lloje të muzikës, forma muzikore, vihen re shprehi të pasakta gjatë punës pedagogjike, në studime teorike ose interpretative, si dhe mungesa të një unifikimi terminologjik, madje dhe probleme të shqipërimit, të drejtshqiptimit ose drejtshkrimit të termave muzikore, që kërkojnë zgjidhje të shpejta nga shkenca muzikore në bashkëpunim me shkencën gjuhësore. Në emërtimin e stilit dhe të shtjellimit muzikor, nuk ka ende ide dhe koncepte të qarta e të unifikuara, për të dalluar, p.sh. iso-polifoninë nga homofonia ose homofoninë nga monofonia. Gjithashtu, thjeshtohet problemi edhe për këngët popullore të krahinave të veriut, të cilat përmblidhen në një term të vetëm "këngë homofonike", kur dihet se një pjesë e mirë e tyre janë shumë larg stilit homofonik, sipas konceptit të kristalizuar ku një "zë udhëheq (melodia) i shoqëruar me fakturë ritmiko-akordike". Siç shihet nuk është thjesht një pasaktësi terminologjike, por dhe një problem shkencor e konceptual i rëndësishëm. Konfondime dhe keqinterpretime ndodhin dhe në termat që i përkasin përcaktimit të llojeve të artit muzikor. Kështu, termat "Gjini", "Zhanër" hasen të përdorura në mënyrë të njëjtë, p.sh. "zhanri (gjinia) i sinfonisë", "gjinia (zhanri) e këngës", "gjinia (zhanri) i koncertit" etj. Njëkohësisht, fjala "zhanër" në disa raste përdoret për të karakterizuar një krijim muzikor me prejardhje nga gjinitë muzikore popullore, si p.sh. "zhanri i valsit", "zhanri i mazurkës", "zhanri i kabasë" etj. Dihet se fjala "zhanër" vjen nga frëngjishtja "genre" - lloj,tip, mënyrë - e shqipëruar -"gjini". Problemet e mësipërme dhe rëndësia për zgjidhjen e tyre, u bënë shtysë për autorët e këtij libri që vjen si rezultat i një pune disavjeçare.

Për hartimin e tij janë shfrytëzuar pothuajse e gjithë literatura teoriko-muzikore e botuar në gjuhën shqipe, në formën e botimeve të veçanta dhe në formë tekstesh mësimore, janë bërë vëzhgime në përdorimin verbal të termave muzikore, janë shfrytëzuar dhe disa fjalorë gjuhësorë dhe muzikorë, në disa gjuhë të huaja. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama