Fjala e Presidentit Fatmir Sejdiu në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Fatmir Sejdiu- Fjalimi per shpalljen e Pavaresise se KosovesPrishtinë, 17 shkurt 2008; Salla 1 Tetori I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, I nderuar kryeministër i Kosovës, z. Hashim Thaçi, Të nderuar deputetë e ministra të Kuvendit të Kosovës, E nderuara familje e Presidentit Rugova,
 
E nderuara familje Jashari,

Të nderuara familje të dëshmorëve të Kosovës,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të vendit,

Të nderuar përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,

Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Po flas para jush si President i Republikës së Kosovës të shpallur pasditen e sotme, kësaj të diele të 17 shkurtit të vitit 2008.

Siç e thashë sot në fjalën time në Kuvend, dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh; në epokat para dhe pas pavarësisë. Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë heronjësh të kënduar e të pakënduar me veprën e tyre jetësore, me punën e palodhshme e sakrificat që kanë bërë. Pavarësinë e shpallëm para botës ne, populli i Kosovës, afër dy milionë e gjysmë njerëz, përmes përfaqësuesve të popullit, të deputetëve të kësaj legjislature, tash të Republikës së Kosovës, ngritën dorën në mbështetje të Deklaratës së Pavarësisë. Mëvetësinë tonë e shpallëm para botës dhe me bekimin e saj, në mes miqësh tanë, që u gjetën pranë nesh para një dekade, kur e keqja kishte përlarë këtë pjesë të Ballkanit, por edhe më vonë, në këto vite të rimëkëmbjes së jetës shoqërore, ekonomike e politike të vendit tonë të shkatërruar nga okupimi e lufta. Në këtë fillim të shekullit të ri, të mileniumit të tretë, po hyjmë në familjen e madhe, në gjirin e kombeve të lira të botës, me pavarësi – si të barabartë.

Për t’u bërë shtet më vete, komb në kuptimin politik të fjalës, Kosova ka kaluar nëpër histori përpjekjesh e vuajtjesh gjatë ekzistencës së vet, shpeshëherë në luftë për identitet politik, kulturor e historik si entitet më vete. Perandori të mëdha e të vogla prej antike e këndej janë ngritur, kanë lulëzuar, e kanë rënë, ndërsa Kosova – si Dardani antike apo si njësi me identitet të veçantë përgjatë historisë – ka ruajtur substancën e vet me bazë shumicën parashqiptare e shqiptare, dhe me pakicat etnike, që kanë jetuar këtu nëpër shekuj përgjatë evolucionit historik të kësaj hapësire gjeografike e politike.

Pavarësinë e Kosovës e shpallëm sot, kur sapo janë mbushur dy vjet nga vdekja e Ibrahim Rugovës, burrit më të madh të Kosovës, themeltarit të shtetit tonë. Rugova, Ati i Kombit tonë, në kuptimin politik të fjalës, dhe Adem Jashari, komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që mbush muajin tjetër 10 vjet të jetës në amshim, pasi ra në altarin e lirisë në Prekaz, përbëjnë binomin e pandashëm të pavarësisë së Kosovës. Ibrahim Rugova e nxori Kosovën prej kaosit në organizim, me rend të brendshëm demokratik e me struktura elementare shtetërore, deri edhe me përfaqësim diplomatik në bërthamë. Me këto dhe veprime të tjera ai ngriti dhe promovoi kulturën shtetformuese të Kosovës. Veprimi dhe organizimi kanë qenë palca kurrizore e aksionit politik të Ibrahim Rugovës, të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të lëvizjes më të organizuar shtetformuese që kanë pasur shqiptarët në historinë e vet moderne, amën e shtetit të Kosovës dhe të pluralizmit politik të vendit tonë, dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), organizimit më të suksesshëm të vullnetit luftarak të popullit tonë për liri dhe mëvetësi. Veprimtaria e lëvizjes politike që drejtoi Rugova ka qenë vetë lufta totale politike me organizim, i cili ka shtruar rrugën për të mbramen: për luftën me armë për liri e për ekzistencë njerëzore e nacionale, emblemë e përjetshme e së cilës mbetet komandanti Adem Jashari.

Çfarë shteti të Kosovës po krijojmë? Nëse jo në versionin idealist të Rugovës, të ideologut të pavarësisë së Kosovës, e të luftëtarëve me armë, shteti më i ri në Evropë e në botë po ndërtohet mbi themelet që kishte vënë Republika e Kosovës, e ngjyer me sakrificën e brezave e me gjakun e rreth 15.000 kosovarëve që ranë në altarin e lirisë në fund të shekullit të kaluar, para më pak se një dekade. Kjo Kosovë është shtëpi e të gjithëve, e shqiptarëve shumicë dërmuese dhe e të gjitha komuniteteve pakicë, duke përfshirë edhe serbët, me paqe të brendshme e raporte miqësore me fqinjtë, pjesë e Unionit Evropian dhe NATO-s dhe me marrëdhënie speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova do të gjendet prej sot në hartën politike të botës. Synimi historik i popullit të Kosovës u realizua. Ëndrra jonë shekullore u bë realitet. Ne marrim atributet e nderit, por edhe përgjegjësitë që i takojnë shtetit, pas një ndërmarrjeje shtetformuese shumë të veçantë që e bën rastin e Kosovës sui generis. Këto përgjegjësi i marrim para të gjithë qytetarëve tanë, por edhe para bashkësisë ndërkombëtare. Tash vazhdon jeta me sprovat e ditëve, të javëve, të muajve, të viteve, e të dekadave që ka përpara ky brez i njerëzve tanë, i shtetasve të Republikës së Kosovës, që kanë fatin të jenë bashkëkohës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë. Ne besojmë se trashëgimtarët tanë do të kenë arsye të ndihen krenarë me paraardhësit e vet, me vizionin e tyre për jetën e re të kombit tonë, me shpirtin e tyre fisnik, me frymën e tyre të paqes, të farkuar në vazhdën e stuhive barbare, të mizorive e të krimeve të luftës që prodhoi e keqja e fundshekullit të XX.

Kosova shtet po lind sot me ode gëzimi për shumicën dërrmuese të popullit tonë. Mirëpo, duhet pranuar se një pjesë e bashkëqytetarëve tanë, e shtetasve të Republikës sonë të re, nuk e kanë pritur lindjen e këtij shteti me entuziazëm. Disa e kanë pritur edhe me drojë. E bëjmë të qartë dhe e themi zëshëm dhe solemnisht: Liria jonë do të jetë e të gjithëve! Liria jonë s’mund të jetë kërcënim për askë, aq më pak për bashkëqytetarët tanë. Kësaj lirie të përbashkët i kërcënohet vetëm paragjykimi i atyre që e kanë parë shoqërinë tonë nga prizmi i dominimit. Kosova e re është arenë e barazisë së të gjithëve, jo e dominimit të askujt mbi askë. Kjo është besa jonë, e njerëzve të mirë të Kosovës dhe e institucioneve të saj, që do të shenjtërohet edhe me Kushtetutën e Republikës, e cila do të miratohet nga Kuvendi pas disa javësh. Bashkë me Kushtetutën dhe krahas me të do të miratohet edhe korpusi i ligjeve që përplotëson kornizën ligjore të Republikës së Kosovës, që, sipas nenit të parë të Kushtetutës së saj, është “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Një pjesë e këtij korpusi tashmë është miratuar nga legjislatura e përparshme e Kuvendit. Kjo dëshmon se përkushtimi i kosovarëve për këtë rend të ri të brendshëm të Kosovës nuk determinohet nga përbërja e një legjislature, apo e një Qeverie të Kosovës. Ky përkushtim është më i madh se rezultati i stinëve politike, i cikleve demokratike, nëpër të cilat do të kalojë Republika jonë.

Republika e Kosovës do të kërkojë kulm të ri në Unionin Evropian dhe në NATO. Integrimi ynë do të shkojë natyrshëm sepse me vlera të veta, Kosova kulturalisht bën pjesë në këtë familje që moti. Tashti na duhet edhe integrimi politik për të siguruar mundësi që potencialet njerëzore e materiale të vendit tonë të vihen në shërbim të zhvillimit të gjithanshëm shoqëror e ekonomik të vendit tonë.

Pavarësia e Kosovës e bën të mundshme pjesëmarrjen e vendit tonë në proceset ekonomike globale, të cilat shkojnë nëpër bashkëpunime rajonale dhe multilaterale fillimisht. Vendi ynë do të krijojë mundësi për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit, sepse shteti ynë do të jetë partner sovran në marrëdhëniet me të tjerët, në mbrojtje të vlerave e të qytetarëve të vet, duke respektuar dhe promovuar vlerave universale në udhën e progresit për të gjithë.

Institucionet e përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës – IPVQ, siç janë quajtur me një akronim jo fort kumbues – Republika i shndërron në institucione të përkohshme që s’do të quhen të përkohshme, por as të përhershme. E përhershme është tani vetëm Republika – është liria e Kosovës.

E përjetshme qoftë Republika e Kosovës! Sot e për mot një ode gëzimi për ne vdektarët, për kalimtarët e kësaj bote.

Republika e Kosovës kërkon përqafimin e botës.

Ju falemnderit!

Presidenti i Kosovës

Dr. Fatmir Sejdiu

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama