Finalja e pamundur per Çollakun

Finalja, e pamundur për Çollakun
Gjithashtu, Selenica bëri me dije se ishte e pamundur të hyje në finale. “Ne kishim deklaruar edhe para Olimpiadës se çekiçin do ta hidhnim nga 70 deri 72 metra, pasi të hyje në finale ishte diçka e pamundur. Dhe ne vetë ishim të vetëdijshëm se s’mund ta hidhnim çekiçin në një distancë 79 apo 80 metra. Pra, e dinim sa e kishim hapin”, u shpreh tekniku Selenica, i cili një pjesë të këtij prezantimi ia faturoi edhe mungesës së mbështetjes financiare për Çollakun. “Ndihma që ne kemi pasur këto kohë lë shumë për të dëshiruar. Për të mos thënë që nuk jemi përkrahur fare financiarisht. Mund të tregoj një fakt që Dorian Çollaku është i vetmi sportist, i cili e ka arritur 2 herë normën në Olimpiadë dhe nuk përkrahet financiarisht nga ndonjë sponsor, të cilin duhet t’ia gjejë shteti. Të paktën t’ia japin 50 apo 100 mijë lekë. Ndërsa sportistët e tjerë që kanë arritur normën olimpike trajtohen krejt ndryshe nga Çollaku”, theksoi Selenica.

Selenica: “Çollaku, i harruar nga të gjithë”

Tekniku Selenica ka qenë i zhgënjyer me vëmendjen që i është kushtuar këtij sportisti vetëm e vetëm se ai ka qenë kritik ndaj asaj që po bëhet në sport.“Në revistën e fundit që KOKSH-i publikoi, në CV e sportistit Çollaku nuk është përmendur fare rekordi i tij, të cilin e ka realizuar plot 1 muaj më parë. Çuditërisht në atë botim ishte shkruar 70.06 m, ku shumë mirë mund të shkruhej rekordi dhe shumë rezultate të kënaqshme që ai ka shënuar në këtë periudhë. Apo edhe fakti tjetër që këtë vit në të 6-ta garat ku ka marrë pjesë, ai ka qenë mbi normë. Më duhet të theksoj se asnjë nuk na ka përgëzuar për rekordin. Por të gjitha këto janë probleme që ndikojnë jo pak në moralin e sportistit, por edhe tek unë si trajner. Ndërkohë që prezantimi i sportistëve të tjerë që ishin ftuar me ftesa u bë sikur kishin arritur qiellin, Çollaku u duk sikur të ishte një fundërrinë e ekipit shqiptar. Por pse ndodhi kjo? Sepse në kampionatin kombëtar, Çollaku kritikoi punën e dobët që është bërë për të gjithë sportin dhe jo vetëm në aspektin personal. Madje, u bë gjithë ajo zhurmë dhe arriti deri atje sa i mbyllën edhe telefonin”.

Protagonist i medias nordike

Gjatë qëndrimit në Fshatin Olimpik Dorian Çollaku për tri ditë rresht u shndërrua në personazh të gazetave dhe televizioneve të Finlandës. Madje, sipas Selenicës, në adresë të tij nuk munguan edhe përshëndetjet nga ekipi olimpik i atij vendi. “Në një bisedë që zhvilloi me kryetrajnerin e ekipit olimpik të Finlandës, ky i fundit e ka përgëzuar Dorianin për rezultatin e arritur”. Në konkurrimin e vet sportisti kuqezi mundi të lërë pas vetëm argjentinasin Inacio Huan Seria me 70.16 metra. Gjithsesi, rezultati i 31-vjeçarit ishte më i mirë se ai i arritur në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, ku arriti në 70.06 metra.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama