Një vend nderi është rezervuar për Shqipërinë. Filmat e shkurtër shqiptarë nuk janë në garën e madhe. Për ta është rezervuar një sesion i veçantë prezantues. "Dritata e Brindisit" përfshin 6 filma të shkurtër shqiptarë. Ata do të jenë të përfshirë në programin e tre netëve të festivalit. Çdo vit do të ketë një sesion të veçantë, i emërtuar si dhoma e kinemasë së Mesdheut, ku në çdo edicion të festivalit do t'i jepet prioritet një vendi. Kjo për të shfaqur jo vetëm karakteristikat e metrazhit të shkurtër të çdo vendi, por edhe kulturën e tij. Sivjet i ka takuar Shqipërisë. Urat e komunikimit janë ngritur që në TIFF(Tirana International Film Festival). Në edicionin e katërt të festivalit, në Tiranë u la një sesion i veçantë për kinemanë puljeze. E pikërisht në ato ditë, organizatorëve u erdhi ftesa për të qenë të pranishëm në Festivalin e Brindisit.
Në Brindisi, Shqipëria prezantohet me "Edeni i braktisur", i regjisorit Eno Milkani, "Ura", e Artur Muharremit, "Metamorfoza", e Artur Dautit, "Lule bore", e regjisorit Robert Budina, "Princesha dhe hëna", e Ergys Faja dhe Bertrand Shijakut si dhe "Të rritur në rrugë", i regjisores kosovare, Burbuqe Berisha. Filmat shqiptarë nuk janë futur në garë mes shumë të tjerëve të ardhur nga kontinente të ndryshme, si Evropa, Amerika, Azia etj. E megjithatë, edhe në këtë sesion do të ketë një çmim të veçantë. Pjesëmarrja e Shqipërisë në Festivalin e Brindisit është një vazhdim i këtij shkëmbimi kulturor mes dy vendeve të afërta gjeografikisht. I ftuar në edicionin e katërt të TIFF, kritiku italian i kinemasë, Gianni Volpi u shpreh se në vazhdim të këtij bashkëpunimi, ndoshta në edicionin e 5-të të TIFF, do të sillte në Shqipëri projektin e përfunduar të Felinit. Bëhet fjalë për intervistën e fundit e tij, së bashku me një sërë intervistash të regjisorëve të mëdhenj amerikan, ku tregohen marrëdhëniet e tyre me Felinin. Të gjitha këto vijnë në një libër dhe DVD. Përveç filmave, në këtë festival është edhe një prezantuese shqiptare. Rudina Magjistari është ftuar nga organizatorët, që së bashku me Antonia Starnajolo të drejtojë për tre net festivalin në Brindisi. Ftesa ka ardhur pas takimit me një prej organizatorëve në Tiranë, në një nga edicionet e TIFF.
Festivali
Një ekran i madh është vendosur buzë detit, ku mbrëmjeve shfaqen filmat në konkurrim. Edicioni i parë i Briff (Festivalit Ndërkombëtar të Filmit) është çelur mbrëmjen e djeshme, në Brindisi dhe do të mbyllet të shtunën në mbrëmje. Festivali është organizuar nga provinca e Brindisit, në bashkëpunim me Aiace (Shoqata italiane e miqve të kinemasë) në kuadër të projektit Interreg III A Itali/Shqipëri për mbrojtjen e vlerave kulturore. Në konkurrim janë 20 filma me metrazh të shkurtër, që vijnë nga 17 vende të ndryshme nga e gjithë bota, duke nisur që nga Azerbajxhani, Amerika, nga Hong Kongu në Australi, të ndryshëm nga kultura, si dhe dy filma të shkurtër italianë, që konkurrojnë për të fituar çmimin e madh dhe Çmimin e Jurisë së këtij festivali ndërkombëtar. Gjithashtu, marrin pjesë 15 filma të shkurtër të realizuar në shkolla dhe 19 të kinemasë puljeze. Mes anëtarëve të jurisë që do të ndajnë çmimet, është edhe Ilir Butka, drejtor i TIFF. Disa personalitete të kinemasë janë ftuar të marrin pjesë në këtë festival. I ftuar special është regjisori Gianni Amelio. Për nder të tij do të shfaqen disa nga filmat më të mirë të realizuar ndër vite. Një tjetër e ftuar është edhe aktorja Anita Caprioli. E shtuna do të shënojë edhe natën finale të këtij festivali, ku mes filmave me metrazh të shkurtër do të zgjidhen më të mire.
Oliverta Lila : Gazeta Shqiptare











