Filmi Bota pasqyre fotografike e Shqiperise se sotme

Filmi 'Bota', pasqyre fotografike e Shqiperise se sotme

“Karaktere tredimensionale, skenar i pasur dhe një pasqyrë e qartë fotografike e Shqipërisë së sotme me muzikë nostalgjike të një trashëgimie të kaluar”. Ky është vlerësimi i jurisë së Karlovy Vary Film Festival për filmin shqiptar “Bota”, teksa i jepte regjisores Irsi Elezi dhe skenaristit Thomas Logoreci çmimin “Fedeora” për filmin më të mirë konkurrues në seksionin “East of the West”. Përpos filmit shqiptar, të tjerë filma janë shpërblyer ditën e fundit të festivalit prestigjioz që nisi më datë 4 korrik. Europa Cinemas Label Award ka shkuar për filmin “Free Fall”, një bashkëpunim mes Francës, Hungarisë dhe Koresë Jugore. The Ecumenical Jury Award sivjet shkoi për filmin “Corn Island” nga regjisori George Ovashvilli. Historia e filmit sjell një burrë dhe jetën e tij me mbesën, një hije që parakalon mbi të dyja personalitetet.

Edicioni i 49-të i Karlovy Vary pati të ftuar specialë Mel Gibson, Mike Cahill dhe Michael Pitt. Çdo vit, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Karlovy Vary” që zhvillohet në Çeki, seleksionon filmat më të mirë europianë që shfaqen gjatë ditëve të festivalit. Shqipëria u përfaqësua me filmin “Bota”, të regjisores Iris Elezi, film që konkurroi në seksionin “Lindje-Perëndim”, ku u rreshtuan filmat më të fundit të prodhuar nga Evropa Qendrore dhe Lindore, Ballkani, Turqia dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Në këtë seksion shfaqi premierën botërore edhe filmi i regjisores Iris Elezi dhe Thomas Logorecit, bashkëskenarist. Interpretojnë aktorët Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, Alban Ukaj dhe Tinka Kurti. Brenda 100 minutave Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, përmes personazheve të tre të rinjve sjellin një tablo të Shqipërisë sot. Filmi fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C. Skena ku Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e tre personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar. ‘Bota’ është kafja ku “takohen” personazhet.

 

Në filmin e Elezit copëza historish bëhen bashkë për të rrëfyer universalen. Në të ndërthuren ëndrrat e një 20- vjeçareje që kërkon t’i shpëtojë izolimit të “botës” së vogël të fshatit të saj për t’u bërë banore e botës së madhe. Ecejaket e një 40-vjeçari për t’i dhënë një motiv jetës së tij, histori të së shkruarës që rikthehen dhe një autostradë që nis të ndërtohet. Subjekti që paraqesin Iris Elezi dhe Thomas Logoreci është eksplorimi i Shqipërisë sot përmes karakterit dhe shpirtrave të trazuar të tri personazheve, që ashtu si autostrada që po ndërtohet pranë fshatit të tyre, përpiqen të ndërtojnë jetët e tyre. Iris Elezi është një regjisore e re, e shkolluar në Amerikë për teori dhe kritikë filmi. Pas përvojës me disa dokumentarë, “Bota” është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë. Thomas Logoreci është kineast dhe skenarist amerikan me origjinë shqiptare. Te bashkëpunimi me filmin “Bota” ai gjeti dhe bashkëshorten e ardhshme, regjisoren dhe bashkëskenaristen Iris Elezi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama