Festivali i 50-te nderkombetar i filmit dokumentar ne Leipzig

Festivali i 50-të ndërkombëtar i filmit dokumentar në Leipzig

Një dritare në botë quhej festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar në Leipzig në kohën e RDGJ-së. Atje takoheshin rregjizorë nga Lindja dhe Perëndimi, në Leipzig në mes të luftës së ftohtë mund të shihje gjithë botën të paktën në ekranin e kinemasë. Pikërisht kjo histori e bën festivalin në një nga më pasionantët në llojin e vet. Të djelën (05.11)përfundoi edicioni jubilar i festivalit. Sërisht Leipzig-u ishte një dritare në botë, 315 filma dokumentarë dhe të animuar nga 60 vende të botës u shfaqën në ekranin e madh të kinemasë. Pëllumbin e Artë, çmimin kryesor të festivalit, e mori këtë vit Rumania.

Adina Pintilie është një fituese modeste. Kur dëgjon se filmi i saj "Don't get me wrong - Mos më keqkupto" ka fituar çmimin kryesor, ajo qëndron fillimisht në karrigen e saj. Rregjizorja 28 vjeçare nga Bukureshti ka fituar me filmin e saj debutues pëllumbin e artë çmimin e festivalit si filmi më i mirë dokumentar, çmim që shoqërohet nga 10.000 euro.

"Për mua kjo ishte një surprizë e vërtetë pasi filmin nuk e kam bërë që të marr ndonjë çmim, ai është shumë i vështirë për këtë. Por unë natyrisht gëzohem shumë dhe shpresoj që kështu ëndrra jonë për ta realizuar filmin në 35 milimetra të jetë realizuar."

Adina Pintilies me filmin e saj i shpie shikuesit në një spital psikiaktrik në Rumani. Në vend të atmosferës së shtypjes të një spitali të tillë nga filmi buron para së gjithash një gjë: shpresa.

Krahas debutantes së re nga Rumania në edicionin e 50-të të festivalit qëndronin mjeshtrat e vjetër të zhanrit të dokumentarit. P.sh. kubanezi Octavio Cortazar. Si pjesë e jurisë së konkurrimit ndërkombëtar ai nderoi filmin e rregjizores rumune Pintilie. 40 vjet më parë ishte vetë Cortazar fituesi i Pëllumbit të Artë me filmin "Por Primera Vez - Hera e parë". Në të tregohej se si e përjetonin kinemanë njerëzit në një fshat të vogël kubanez.

"Çmimi pati atëherë një rëndësi të madhe për mua. Ishte filmi im i parë dhe duhet të them se çmimi u bë një shtysa për të cilën kisha nevojë", thotë Cortazar.

Filmin e tij fitues vizitorët e festivalit patën mundësi ta shihnin edhe njëherë në ekranin e madh të kinemasë. Në edicionin e tij të 50-të festivali i filmit dokumentar në Leipzig prezantoi një retrospektivë, kërkim gjurmësh në filmat e së kaluarës. Kuratorja e festivalit Grit Lemke ka kaluar muajt e shkuar një gjysmë shekulli histori të festivalit të filmit.

"Në Leipzig për vite me rradhë pikërëndësa kanë qenë lëvizjet nacionale për liri në vendet e botës së tretë. Ka patur shumë filma nga Afrika, Amerika Latine. Për rregjizorët nga Amerika Latine Leipzig-u ishte shumë i rëndësishëm pasi një pjesë mund t'i shfaqnin vetëm këtu filmat e tyre. Kjo vlen edhe për rregjizorët arabë të cilët këtu në Leipzig kanë themeluar unionin e rregjizorëve arabë.  Dhe nuk duhet të harrojmë as pjesëmarrësit nga Vjetnami."


Leipzig-u përmes aktiviteteve të shumta synon pikërsht takimin e producentëve dhe rregjizorëve. Koncepti është i suksesshëm: 1.400 vizitorë profesionistë ishin të pranishëm në festival këtë vit, rreth 300 më shumë se një vit më parë. Edhe numri i shikuesve në kinema ishte sërisht një rekord, 30.000 vetë ose 30 për qind më shumë se vitin e kaluar mbushën plot e përplot sallat e kinemave.

Këtë vit ditët e filmit dokumentar në Leipzig ishin para së gjithash një takim i njerëzve që i kanë dhënë formë festivalit për vite me rradhë: takim i mjeshtrave të vjetër të këtij zhanri. Krahas kilianit Patricio Guzman dhe amerikanit Richard Leacock në rradhën e tyre bën pjesë edhe polaku Kazimierz Karabasz. Prej mëse 50 vjetësh shoqëron ai njerëzit e thjeshtë në filmat e tij duke hequr dorë plotësisht nga çdo lloj inskenimi. Dhe gjatë gjithë viteve ai ka mbetur një krijues modest:

"Unë vërtet nuk kam bërë kurrë filma dokumentarë me synimin që ato dikur të jenë vepra mjeshtërore. Kjo nuk është e mundur. Por mund të bëhet punë e mirë profesionale dhe dokumentarë të trajtuar me thellësi e në detaje. Kjo është aftësia që nevojitet në këtë zanat. Përshkrimi 'mjeshtër' është për mua megjithatë një fjalë shumë e madhe."

Linda Vierecke : Dw-World.de

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama