Festimet per clirimin deputete e ministra para Enverit…

Festimet per clirimin, deputete e ministra para Enverit…

Deputeti socialist Ben Blushi e gjen veten para portretit të Hoxhës në Elbasan. Në të gjithë vendin përkujtohet 70-vjetori i çlirimit, por shpesh veteranët valëvitin parulla komuniste dhe mbajnë portretet e diktatorit. Reagimi i Berishës dhe protagonizmi i PS-LSI për festimet

Për deputetët e majtë mund të jetë “një rrugë e dy punë”. Kujtojnë një përvjetor që lidhet me çlirimin e vendit nga nazifashistët, por sigurojnë edhe ndonjë votë më shumë ndër nostalgjikët e luftës, por edhe të komunizmit. Deri këtu asgjë e keqe, asgjë e paligjshme, e për më tepër jo e pamoralshme. Mirëpo nganjëherë situata u del nga duart kur mes nostalgjikëve shfaqen simbolet e komunizmit, apo edhe figurat e tyre. Kudo ku përkujtohet 70-vjetori i çlirimit të vendit, vështirë të mos gjesh të “stampuar” në ndonjë ristelë të vjetruar foton e Enver Hoxhës. Veteranët, figurën e tij e lidhin fort me luftën, por duket se për politikanët e rinj nuk është aq “trendy” sa të pozojnë krah parullave, si “Rroftë shoku Enver, Parti Enver” etj. Këtij momenti nuk i ka shpëtuar as deputeti socialist, Ben Blushi. Në festimet për çlirimin e Elbasanit, Blushi ishte i pranishëm si përfaqësues i PS-së në këtë zonë, si dhe personalitete të tjera lokale. Shalli i kuq në qafë ka një simbolikë që lidhet kryesisht me luftën nacionalçlirimtare, ndërsa fotografia e diktatorit Hoxha, duket se trazon shumë zemra njerëzish.

 

Sepse sa herë shfaqet figura e tij, ish të përndjekur reagojnë ashpër, duke rikujtuar vuajtjet në 45 vite komunizëm. Ndërkohë, Blushi është ndër përfaqësuesit e fundit të PS-së që vihen përpara portretit të Hoxhës, e sado bisht t’i bëjnë herë pas here, ua kujtojnë vetë veteranët. Në festimet në Elbasan, të shumtë ishin edhe personat që thirrnin sa të mundnin emrin e Enver Hoxhës. Një ditë më parë, deputeti Taulant Balla u përball me nostalgjikët në Librazhd që mbanin fotot e Hoxhës, por për të dalë nga situata, Balla u sugjeroi që në duar do ishte mirë të mbanin fotografi heronjsh. Nuk është vetëm qarku i Elbasanit që hedh sytë nga e shkuara, pasi në Gjirokastër, dy ministrat e qeverisë ‘Rama’, Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj e panë vetën para një grupi veteranësh që jo vetëm mbanin parulla e foto të Enver Hoxhës, por ua vërtisnin afër syve. Pa harruar këtu kurorën me lule që ministri i Drejtësisë, Nasip Naço vendosi në lapidarin e ngritur në nder të të rënëve, e ku fare pranë ishte edhe portreti i Hoxhës.

 

Në javët e fundit është hapur një debat i madh, pasi shumë persona publikë akuzojnë të majtën se po përpiqen që të rehabilitojnë figurën e Enver Hoxhës. Për shfaqjet më të fundit publike të fotove dhe parullave për Enver Hoxhën, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një postim në facebook, ai u shpreh se “neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama po përdor 70-vjetorin për të rehabilituar Enver Hoxhën, ‘Hitlerin shqiptar’ të pasluftës, diktatorin më mizor e më të egër që shqiptarët kanë njohur në tërë historinë e tyre. Sipas Berishës, lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë përbën një faqe të ndritur të historisë sonë kombëtare, por ajo, në vend të lirisë për të cilën luftuan dhe ranë për t’u bërë të pavdekshëm mijëra e mijëra shqiptarë, nuk solli lirinë, por solli Enver Hoxhën dhe regjimin e tij të shtypjes më të egër”, – thekson Berisha. Gjithsesi në ditët në vijim, përkujtimet për 70-vjetorin e çlirimit të vendit do të jenë më intensive, ku fotot e Hoxhës do bëjnë xhiro bulevard më bulevard në duart e veteranëve dhe nostalgjikëve të komunizmit. Ministrat dhe deputetët e përfshirë në këto festime herë japin ndonjë buzëqeshje, herë përzihen me veteranët e ngrenë grushtin përpjetë (si rasti i ish-kryeministrit Pandeli Majko), e herë bëjnë indiferentin. Megjithatë duket se një rivalitet i hapur ka nisur prej kohësh mes PS-së dhe LSI-së, se cila palë është më e “dhënë” pas festimeve e përkujtimoreve mbi ngjarjet e luftës në vendin tonë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama