Festat ne fundjave rikthehet e hena pushim

Festat ne fundjave, rikthehet e hena pushim

Nëse festat bien në fundjavë, atëherë e hëna do të jetë pushim. Kjo nuk është një shaka për 1 prillin, por është deklarata e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Vendimi do të zbatohet për festën e Pashkëve, të cilat janë këtë të dielë. Sipas vendimit të ri të qeverisë, e hëna do të bëhet pushim.

Rikthimi i të hënës pushim, vjen pas vendimit që ish-kryeministri Sali Berisha hoqi gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike. Në 23 dhjetor të 2009-s, Berisha shfuqizoi rregullin e vendosur nga Fatos Nano, që nëse dita e festës është në fundjavë, pushimi shtyhet.

Qeveria Rama vendosi sot të rikthejë vendimin që ish-kryeministri Berisha hoqi gjatë kohës së qeverisjes së djathtë, që do të zbatohet në të dielat pasardhëse, kur besimtarët katolikë dhe më pas ata ortodoksë festojnë Pashkët.

Në një deklaratë për mediat, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se vendimi respekton Kodin e Punës.

“Dita e hënë pas çdo feste zyrtare do të jetë pushim. Respektohet Kodi i Punës që e ka pasur të fiksuar ditën e hënë pushim, kur festat bien në fundjavë”, tha Niko Peleshi.

Peleshi përcolli edhe një tjetër vendim të qeverisë: “Të pajisim me bonuse administratorët, nëpunësit e shërbëtorët publikë të shkëlqyer që spikasin në punën e tyre, e kam fjalën për iniciativa financiare…”, tha Peleshi, i cili e mbylli me këtë batutë deklaratën e tij: “Faleminderit! Dua të them se kjo nuk është një shaka e datës 1 prill”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama