Festat kombetare Ambasada e Shqiperise ne Itali feston me artistet shqiptare ne Rome

Locandina 27-28 Novembre Ambasciata AlbaniaTIRANË, 22 Nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, në bashkëpunim me Bashkinë e Romës dhe Teatrin e Vila Torlonia-s, me rastin e festave kombëtare, i ofron publikut të kryeqytetit italian dhe komunitetit shqiptar atje, dy mbrëmje me repertor të operas shqiptare dhe ndërkombëtare, të sjella në skenë nga artistët shqiptarë që jetojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre artistike në Itali.

27 nëntor, ora 19:00 do të jetë programi, "Artistët shqiptarë kremtojnë Pavarësinë"

Është kjo tema e natës së parë të propozuar nga Ambasada e Shqipërisë për publikun e Romës. Do të ngjiten në skenë sopranot Hersi Matmuja, Ana Lushi dhe Donika Mataj, pianistët Aleksandër Gashi dhe Marsida Koni. Repertori i zgjedhur reflekton dëshirën e artistëve për të ndërlidhur kompozime të vendit amë me pjesë ndërkombëtare që tanimë, pas shumë shfaqjesh në skenat italiane, janë pjesë e repertorit të tyre. Aktorja Daniela Conversi do të prezantojë mbrëmjen ndërsa udhëheqja artistike i është besuar kompozitorit Spiro Kalemi.

28 nëntor, ora 19:00; "Dedikuar Migjenit"

Koncerti i dytë për të cilin kujdeset Ambasada shqiptare në kuadër të skenës së Teatrit të Villa Torlonia ka lindur nga ideja e mjeshtrit të pianos Aleksandër Gashi. Mbrëmja ndërthur vargjet e Migjenit me kompozimet e Friederich Chopin, të orkestruara nga vetë Gashi. Pianisti gjithashtu do të shoqërojë sopranot Ana Lushi, Hersi Matmuja dhe Irida Dragoti, të cilat interpretojnë pjesë nga repertori operistik ndërkombëtar dhe shqiptar. Poezitë e Migjenit interpretohen gjatë mbrëmjes nga aktorja Daniela Conversi. Merr pjesë në koncert edhe Federica Vincenti, këngëtare e aktore e mirënjohur italiane./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama