Fellini nje feste

Fellini, një festë
Kur përmendet Fellini përgatitu për festë. Fatkeqësisht festa të shpirtit si këto nuk po e gjejnë një qoshk të përhershëm në Tiranën që ha dhe ha energji si ndonjë përbindësh mitologjik. “La dolce vita” u shfaq mbrëmë në Akademinë e Filmit Marubi, i prezantuar nga lektori roman i kinemasë italiane në këtë akademi, Flavio Costa.

Duke komentuar veprën e Federico Fellinit, Costa bën një rrugëtim në “kinemanë e rikonstruksionit”, e krijuar në vitet 50-70, realitetet e së cilës në njëfarë mënyre, u korrespondojnë realiteteve aktuale në Shqipëri. Fellini ishte një kineast – Pasolini, në fakt e konsideron autor më shumë se regjisor - i interesuar drejt të quajturës “kinema e rikonstruksionit”, i prirë nga kredoja artistike: ta shoh realitetin me një sy të ndershëm – por cilindo realitet jo vetëm atë social, por edhe shpirtëror, metafizik, gjithçka që njeriu ka brenda vetes.”

Gazetari i Marcello Mastroiannit në Romën e viteve 50 është një kaleidoskop i këtyre realiteteve që për habinë e atij që sheh “Jetën e ëmbël”, këmbimi i jetës me ëndrrën është një proces që nuk e kemi në dorë.

Gjysmë shekulli pas (1960) si lexohet “La Dolce vita”?

“Jeta e ëmbël” e Fellinit është një film i veçantë sepse në historinë e kinemasë, ndoshta është i pari ku shoqëria italiane jepet nudo nëpërmjet gazetarit që luan Marcello Mastroianni. Rëndësia e këtij filmi për epokën ishte se theu barrierat e hipokrizisë dhe i dha mundësinë kinemasë italiane për të përshkruar me vërtetësi realitetin që nuk ishte realiteti neorealist i pasluftës, por realiteti i një shoqërie të pasur, i një shoqërie drejt kapitalizmit industrial të avancuar si në gjithë vendet perëndimore, por mbi të gjitha, një shoqëri që mbante në vete kontradikta të mëdha, psikologjike sidomos.

Me këto do t’ia prezantoni sonte (mbrëmë) publikut në Tiranë?

Po. Personalisht them që ky është një film që unë e shoh shpesh, 2-3 herë në vit, sepse ka poezi, është magji. Kur kinemaja arrin një formë të përsosur – ky nuk është filmi i vetëm – bëhet magjike. Në këto raste tek ti zgjohen energji pozitive, kreative.

Ky film por edhe të tjerë që lidhen me kohë më të hershme kur i kam parë, kanë aftësinë që të futen në memorjen e njerëzve dhe të bëhen pjesë e proceseveremineshente.

Do të kini parasysh faktin që përballë është edhe një publik që për gjysmë shekulli është mbajtur larg kinemasë së këtij lloji?

Nuk di si t’i përgjigjem kësaj pyetjeje sepse, historinë tuaj nuk e njoh shumë mirë, jam në njohje e sipër. Besoj se tek e fundit është edhe një eksperiment. “La dolce vita” është pjesë e trashëgimisë botërore për epokën kur është bërë dhe është shfaqur. Por 48 vjet më vonë i ngjan një skulpture, një vepër arti. Ka një gjuhë universale që përdoret në të tashmen, prandaj është një ëndërr. Është njëlloj sikur t’iu dhurosh njerëzve 3 orë ëndërr.

Duke marrë shkas nga titulli i filmit, ai është në kundërthënie të hapur me historinë e dhe personazheve të tij, sidomos me gratë e Fellinit, të lira, të palumtura dhe të vetmura.

Ai jep gratë e në klase të caktuar. Në veçanti Anita Ekberg, është figurë e mitizimit të gruas, e krijesës së pësosur. Kjo grua madhështore, bjonde, kaq e pastër, e sinqertë, diellore, përfaqëson atë që Fellini shihte tek gruaja. Gjithnjë tek ajo skenë e famshme e Fontana di Trevi, Marcello nuk e prek kurrë, pikërisht për këtë motiv, përndryshe do të shkatërronte një ëndërr.

I thotë fjalë të bukura, i rri fare afër, por pa e prekur. Fellini thoshte se për të gratë nuk janë kurrë fajtore, janë bukuria e botës. Mendoj se kjo ide rikthehet gjithnjë në filmat e tij. Këtu luan rol edhe formimi i tij, ai vjen nga një mjediskulturor ku gruaja ishte parë edhe si objekt seksual, por në një mënyrë shumë të sjellshme, në një mënyrë tepër sensuale, asnjëherë vulgare. Vulgariteti erdhi më pas.

Raporti me fenë është një tjetër aspekt me interes për t’u prekur tek ky film...

Ky fakt i ka krijuar shumë probleme filmit. Fellini vetë e thotë se “La Dolce Vita” është si të gjithë filmat e tij, “autobiografik”. Këtu Roma është një qytet me Vatikanin në zemër i cili ka qenë gjithnjë shumë pranishëm, është dhe kështu ka për të qenë gjithnjë, i pranishëm në jetën publike, politike dhe të qytetarisë.

Në mesin e viteve 50, një kohë tranzicioni nga një papë tek tjetri, në Romë rilind jeta e natës, e bareve, ka një ndikim dhe prani të fortë kinemaja amerikane, aktorët, aktoret, producentët. Kështu ajo që tregohet në Via Veneto, është reale. Të gjithë ata që kanë shkruar këtë histori e kanë jetuar atë kohë, kujtimi i kësaj përvoje i çoi tek “Jeta e ëmbël”.

Fellini është shumë kontraktiktor kur shpjegon se si lindën filmat e tij, dhe ti nuk arrin asnjëherë të kuptosh se cila është e vërteta. Njëherë u pat thënë gazetarëve se e pat bërë “La dolce vita”, ngaqë një mëngjes të bukur pa tek vinte kjo grua diellore, ose njëherë pat thënë se filmi ka lindur nga një vizatim.

Mendoj se elementi biografik që është prezent në të gjithë filmat e Fellinit, është kryesor edhe tek “La Dolce vita”. Ai ka dashur të përshkruajë apo të marrë shkas nga ajo që ka jetuar në të shkuarën për të dhënë pastaj në realitet, shoqërinë ashtu siç ishte. Sipas mënyrës së tij, ky është një film realist.

Influenca e Fellinit përmendet shumë në kinematë e vendeve afër tij deri në Kinën dhe Japoninë e largët. Sa të vërtetë ka në këtë mes?

Ka regjisorë si Tim Burton që kanë deklaruar se është influencuar nga Fellini. Regjisorë të tjerë deklarojnë nëpër intervista se “Tetë e gjysmë” u ka ndryshuar jetën artistike. Influenca e Fellinit tek regjisorë të tjerë nuk më është dukur asnjëherë e gjetur. Ai është një rast unikal jo vetëm në kinemanë italiane po edhe atë botërore.

Fakti që ai flet gjithnjë për ngjarje që i kanë ndodhur, për biografinë e tij ose e përdor fantazinë për të rrëmuar në kujtime dhe këto i vë në skenë në një mënyrë fantastike. Ky mendoj se është traktati i tij. Pra Fellini është unik. Ndoshta Tim Burton është regjisori që më duket se i ngjan më shumë, për shfrytëzimin e fantazisë.

Çfarë po ndodh aktualisht me kinemanë italiane? Një vit më parë një pohim i Tarantinos se kjo kinema ka marrë fund, do të zemëronte shumë artistë.

Është e vërtetë që kinemaja italiane është në krizë që prej 30 vjetësh. Është bërë gati edhe banale të flasësh për krizën e kësaj kinemaje. Problemi sipas meje nuk qëndron tek regjisorët dhe tek teknika që janë në standarde shumë të mira. Problemi është tek historitë. Në fakt viti 2007 ka qenë i mbarë: “Gomorra” konkurron pë “Oscar”, është edhe “Il Divo” i Sorrentino-s, ka një sërë filmash që japin shpresë.

Siç e thashë problemi qëndron gjetkë dhe për këtë po marr hua një frazë që thotë: Italianët kanë reshtur së shkruari histori të bukura në momentin që hoqën dorë nga autobusi. Kjo frazë më ka bërë të reflektoj, sepse besoj që problemi këtu qëndron: Italia, si gjithë qytetërimet perëndimore, ka vuajtur dhe vuan nga procesi i një ratifikimi kulturor, i një procesi ratifikimi personal që është paksa edhe destini i shoqërive kapitaliste të cilat e kanë fshirë atë veçantësi determinante në kontekstin italian. Historitë janë, histori gjen kudo, por mungojnë ata njerëz që kanë aftësi për t’i rrëfyer pa u bërë operacione komerciale.

Çfarë mendoni për përfaqësimin e Italisë në Oscar?

Unë nuk e kam parë “Gomorra”-n, por kam lexuar librin që është një vepër e jashtëzakonshme sepse të bën të kuptosh mekanizmin si funksionon Gomorra, dhe në fund të fundit të shpjegon se si funksionon italia. Duke folur për Gomorrën kupton se gjithë Italia është e përfshirë, dhe ky nuk është një problem lokal por nacional. Potenca e atij libri qëndron tek sinqeriteti i shkrimtarit dhe mbi të gjitha tek vërtetësia. Ai pati kurajon që t’i shkruajë këto me gjithë mllefin dhe energjinë e duhur. Me këtë film Italia është një kandidaturë e fortë për të fituar Oscar.

Tek Marubi ju jeni lektor për “kinemanë italiane të rikonstruksionit”.

Kjo është një periudhe historike që shkon nga vitet 50 tek vitet 70, dhe ka në vëmendje të veçantë komedinë italiane, një makrozhanër që ka qenë më pas një motor i gjithë produksionit italian në këtë periudhë 20-vjeçare.

E bukura e kësaj kinemaje dhe e filmave që kam sjellë janë komponentët dramatikë dhe komikë, të cilët kanë pasur fat që ta kalojnë censurën e cila godiste në mënyrë drastike filmat që shpallnin polemikë, filma të regjisorëve të mëdhenj. Në filmat e “konsumit”, censura është më e vagët.

Ndoshta në këto filma është më e pranishme kritika dhe pasqyra e shoqërisë së asaj kohe, vitet 50-70. Ky kurs tek Marubi ka për qëllim të gjejë ngjashmëritë e asaj që po kalon Shqipëria, periudha e rikonstruksionit të një vendi që ka dalë nga errësira. Këtë e ka kaluar edhe Italia në vitet 50-60. Regjisorët tanë, artistët tanë e kanë përballuar në këtë mënyrë. Studentët do të nxjerrin konkluzionet e tyre dhe me këtë rast do të jenë në gjendje të bëjnë krahasime.

Keni parë kinema shqiptare?

Shumë kohë më parë, një film të viteve 70 dhe më ka goditur. Më është dukur shumë mirë i realizuar, aktorët të zotë, ndriçimi dhe mizansenat shumë të mira.

Një arsye që vazhdoj të jem këtu është njohja me kulturën shqiptare dhe ajo që po më josh është thellësia e gjuhës suaj. Dua të them se tek kinemaja juaj dua të shkoj përmes gjuhës.


Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama