Feim Ibrahimi Kompozitori qe tronditi tabute socrealiste

Feim Ibrahimi, Kompozitori që tronditi tabutë socrealiste

Qytet, ku Ibrahimi mori njohuritë e para për muzikës, ku kaloi një pjesë të mirë të fëmijërisë dhe rinisë së tij, ku krijoi miqësitë e përhershme.Gjithsesi, Ibrahimi u rrit në një mjedis, ku këngët polifonike shoqëronin çdo moment të jetës familjare. Prindërit e tij ishin njohës mjaft të mirë të atyre këngëve, të cilat nuk do të kalonin pa lënë gjurmë në jetën e kompozitorit.
Ibrahimi është një nga personalitetet më të spikatura të muzikës shqiptare që prej viteve 1970 e më tej. Ai u përpoq me të gjithë mënyrat të sillte një muzikë anti dogmë, anti ideologjike, jashtë stampave të kohës, duke e "tronditur" herë-herë frymën që përshkonte muzikën socrealiste shqiptare.

Krijimtaria muzikore e Ibrahimit, përmban në vetvete vepra nga llojet më të ndryshme. Atë mund ta ndajmë në tri periudha. Në periudhën e parë, vitet 1963-1970, përfshihen krijimet e para të kompozitorit. Veçojmë këtu Tokatën për Piano, suitën e filmit Ngadhënjim mbi vdekjen, suksesi i së cilës e bëri të njohur, jo vetëm në qarqet artistike por edhe për publikun e gjerë. Ndërsa Koncerti për Violonçel e Orkestër dëshmoi qëllimin e Ibrahimit për prurje të reja, për të cilin autorin e atakuan në lidhje me tendencën e tij për të tejkaluar disa normativa akademike të muzikës së asaj periudhe, çka realisht do të përbënin një parathënie për kritikat e mëvoshme, shumë më të ashpra.

Ndonëse ende nuk mund të quhen përfaqësuese, krjimet e periudhës së parë treguan për ardhjen në skenë të një kompozitori të ri me pretendime serioze, ku gjithsesi dalin në pah simptomat e para të një autori profesionist.

Vitet 1971-1990, periudha e dytë, përmban veprat ku autori kristalizoi tiparet e tij dalluese. Veçoj këtu dy koncertete për Piano e Orkestër si edhe Koncertin për Oboe e Orkestër. Të tri këto vepra sollën një realitet të ri për muzikën shqiptare të asaj kohe. Të shquara për një frymë novatore, duke treguar tendencën e Ibrahimit për të dalë nga standartet e kohës, në to dalin në pah specifikat dalluese të krijimtarsië së autorit. Të "akuzuara" si shumë racionale, larg ideologjizmave dhe frymës kombëtare ato u shoqëruan me kritika të ashpra, duke shkaktuar kështu edhe debatet më të mëdha për historinë e muzikës shqiptare. Një vend të veçantë në këtë periudhë zë edhe vepra e vetme skenike a autorit, Baleti Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë, të cilën e krioji në një kohë kur ai e kishte arritur plotësisht stadin e pjekurisë kompozicionale, duke sjellë kështu një nga veprat më të mira për artin skenik shqiptar.

Periudha e tretë dhe e fundit përfshijnë veprat e viteve 1990-1997. Ibrahimi në këtë periudhë shfaqet një kompozitor me një dozë të madhe tragjizmi në vetvete. Kjo gjendje e tij sigurisht që lidhet ne situatën historiko-politike, që po kalonte vendi ynë. Pasi, ashtu si edhe shumë artistë të tjerë autori krijoi "iluzionin" se rrjedha e artit shqiptar me ndrrimin e sistemeve do të mirrte një rrjedhë krejt të re dhe më pas diziluzioni i autorit, për arsye se atë do ta arrinin edhe ta shpërfillnin nga muzika shqiptare. Kështu ai mbërthehet i tëri nga mendimet dhe ndjenjat më të errëta të një njeriu, duke shkuar gjithnjë drejt një gjendje të pashpresë, kjo fazë mund të cilësohet edhe si periudha "tragjike" e krijimtarisë së Ibrahimit, përfaqësuese me veprat, De profundis, Trio Vikamë, Simfonia Tragjike, romanca Dasvidanja.

Feim Ibrahimi ishte një njeri i mbushur me energji krijuese dhe me një kërkesë shumë të madhe ndaj vetes. Shumë herë pësoi zhgënjime, shumë herë mori goditje për veprat a tij, por asnjëherë nuk u mposht. Përkundrazi, sulmet apo kritikat e ashpra sikur e nxisnin të sillte një tjetër vepër akoma më të "papranueshme" se e para, akoma më antiskemë. Edhe kur ishte i detyruar të bënte ndonjë krijim sipas kërkesave të kohës, ai merrte goditje akoma më të mëdha, jo nga kritika, por nga vetvetja, sepse ai i urrente kompromiset, kjo gjë e vriste më shumë se gjithçka tjetër.

Fryma tragjike që përshkon krijmet e tij të fundit, nuk i erdhi, ashtu, krejt parpitur, përkundrazi, i kish rrënjët thellë në të kaluarën. Lind pyetja, pse Ibrahimi kishte një dozë tragjike të hershme, kur në kohën socrealiste, ai gëzonte një prestigj të madh dhe, megjithë sulmet që iu bënë, përsëri mbeti një personalitet i pacënuar? Shpjegimi për këtë ka lidhje me faktin se, ndonëse Ibrahimi mund të gëzonte një prestigj për kohën, për disa vite radhazi, atë e mundonte diçka e brendshme, pamundësia për të krijuar në mënyrë të lirë dhe ajo që e lëndonte akoma më shumë ishte fakti që muzika shqiptare ndodhej shumë prapa në krahasim me zhvillimet muzikore të përbotëshme. Për shkak të vonesës së madhe në kohë, por me kalimin e viteve sidomos për shkak të izolimit, muzika në Shqipër nuk arriti të bënte hapa të ndjeshme përpara, ndërkohë që zhvillimet bashkëkohore jashtë vendit pasuroheshin vazhdimisht me drejtime të reja. Frut i këtyre reflektimeve ishin dy nga veprat e tij kryesore të viteve '70, dy Koncertet për
Piano e Orkestër që, me frymën e tyre të re, përcaktuan edhe një fazë emancipuese të muzikës shqiptare.

Por klima e përgjithshme, pamundësia për t'i çuar më tej kërkimet e lira krijuese, për autorin do të ktheheshin në një obsesion, në një obesesion të mundimshëm që nuk mund të kalonte pa pasoja. Paradoksalisht, kjo gjendje do të merrte një nuancë tjetër me ndërrimin e sistemeve në vend. Tashmë që mund të krijonte i lirë, koha nuk i premtonte që të zhytej ashtu siç kishte ëndërruar në rrjedhat muzikore bashkëkohore dhe, ndërkohë, goditjet morale që pasuan njëra-tjetrën pikërisht atëherë kur ai nuk i priste, nuk kishin se si të mos bënin punën e tyre në shpirtin e artistit. Dhe kjo, gjithësesi, nuk do ta pengonte atë në rrugën e kërkimeve të reja, pasi vetëm me pak muaj përvojë ai arriti të krijonte në fushën fare të panjohur të elektroakustikës, veprën, të cilën ia lushtoi viktimave të regjimit komunist në vend të titulluar De profundis, duke dëshmuar edhe njëherë etjen e tij të pangopur për të hulumtuar edhe eksploruar.

Fatkeqësisht tërë këto energji, tërë këto dëshira u shuan më shpejt nga ç'mund të pritej, ai vdiq në Torino më 2 gusht 1997. Por shpirti i kompozitorit të paktën u preh në paqe, pasi, fare pak kohë përpara ndarjes përfundimtare, krijimtaria e tij u ndriçua me dy vepra, të cilat ia dedikoi të bijës së tij, pianistes Etrita. Si për t'i dhënë një fund paqtues trazimeve shpirtërore, që tashmë e kishin pushtuar të tërin, ai la pas vetes dy nga krijimet e tij ndofta më të brishta, Il regalo di nozze dhe E la tua vesta e bianca.

Për nder të tij, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes, Bashkia e Qytetit të Durrësit, nën kuadrin e aktivitetit Netët e Muzikës Klasike, ideuar nga Florian Vlashi me datë 3 gusht, do të realizojë një mbrëmje enkas për kujtim të tij, si një nga personalitetet kyç të muzikës shqiptare, i cili la gjurmë reale në historinë e muzikës sonë.


Metila Dervishi : Gazeta Shqiptare 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama