Fati i Greqise do te vendoset pas referendumit te se dieles

Fati i Greqise do te vendoset pas referendumit te se dieles

Për Greqinë nuk do mund të ketë asnjë vendim përpara zhvillimit të referendumit të së dielës. Ky ka qenë dhe “rezultati” konkret i samitit të jashtëzakonshëm, apo telekonferencës, e mbajtur dje pasdite mes krerëve të financave të vendeve të Eurozonës mbi çështjen e shumëdebatuar të borxhit grek. Lajmin e ka bërë të ditur ministri sllovak, Peter Kazimir, duke deklaruar se:  “Eurogrupi vendosi unanimisht që të presë rezultatin e referendumit grek para se të zhvillohen bisedime të mëtejshme”.  Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ai është shprehur: “Të mos vendosim karrocën përpara kalit”. Para përfundimit të saj, shefi i Eurogrupit, holandezi Jeroen Dijsselbloem, deklaroi se “ka pak shance” për të parë përparime në negociatat për borxhin.

 

Merkel: Jo kompromisit me çdo kusht



Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, është shfaqur e papërkulur përballë qëndrimeve të Kryeministrit grek, Aleksis Cipras, të shfaqura me një letër të dërguar natën mes së martës dhe së mërkurës në Bruksel. Në letrën në fjalë, Cipras pranonte në thelb të gjitha pikat e propozimit të diskutuar në nivel teknik, por pa tërhequr referendumin. Letra e kreut të ekzekutivit grek iu shpërnda dje mediave, pak orë përpara se ministrat europianë të Financave të mbanin një telekonferencë për të diskutuar një lutje të fundit të Greqisë për marrëveshje.

 

Nga letra del se Greqia mund të jetë më e gatshme se sa kishte treguar më parë për t’u hapur rrugë kërkesave të kreditorëve. Sidoqoftë, “nuk ka negociata për ndihma të reja para referendumit në Greqi. Athina nuk i ka respektuar plotësisht detyrimet e saj, edhe pse dyert për negociata mbeten të hapura”, ka thënë kancelarja Merkel. Ajo është shprehur se, Greqia ka të gjitha të drejtat për konsultime të brendshme mbi propozimet e BE-së, “por partnerët europianë kanë po ashtu të njëjtat të drejta që t’i përgjigjen rezultatit”, ka thënë Merkel, duke iu referuar referendumit. “Jo kompromisit me çdo kusht”, ka shtuar ajo. “Bota po na vëzhgon, – tha ajo. – Por e ardhmja e Europës nuk është në rrezik. Ajo do të ishte në rrezik nëse ne harrojmë se cilët jemi dhe se çfarë na bën të fortë – një komunitet i bazuar në rregulla dhe në përgjegjshmëri”,- tha kancelarja Merkel.

 

Renzi: Referendumi, një gabim!



Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili e cilësoi paraprakisht si të paqartë përmbajtjen e letrës greke. Nga Berlini, edhe Kryeministri italian, Matteo Renzi, pas takimit që pati me homologen gjermane, Merkel, e ka vlerësuar si veprim të gabuar mbajtjen e referendumit grek mbi kushtet e BE-së. “Me kancelaren Merkel kemi folur gjatë për Greqinë dhe kemi rënë dakord se referendumi është një gabim”, tha Renzi. Qeveria e Romës ka deklaruar disa herë se vendi është imun ndaj krizës greke, por polemikat mes qeverisë dhe opozitës nuk kanë munguar.

 

Më herët gjatë muajit, Renzi u shpreh se ndërkombëtarët duhet ta ndihmojnë Greqinë, por edhe ajo, nga ana e saj, duhet të bëjë detyrat që i takojnë. Në takimin e tyre të së martës, ministrat europianë të Financave pritej të shqyrtonin kërkesën e Greqisë për një paketë të minutës së fundit prej 32,4 miliardë eurosh, por Eurogrupi vendosi të mos i japë OK një programi të ri ndihmash për Greqinë. Po dje, situata në Athinë e qytete të tjera greke dukej e tensionuar, ndërsa mijëra degë bankash në të gjithë vendin qëndruan të hapura për pensionistët që nuk kanë karta bankomatesh dhe kanë nevojë të tërheqin para. Në mbrëmjen e së martës duke u gdhirë e mërkura, në sheshin kryesor të Athinës, “Sintagma” u mbajtën tubime të dy palëve që mbështesnin ose jo vendimet e qeverisë greke e ato të masave shtrënguese të kreditorëve europianë.

 

Cipras: Grekë, votoni “Jo” në referendum!



Më parë gjatë ditës, para se krerët e Eurogrupit të debatonin në telefon për çështjen greke, Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, në një deklaratë për televizionin grek, tha se vota popullore e së dielës është më e rëndësishme se vendimet e qeverisë. Ai nënvizoi se: “ultimatumi që i është dhënë vendit tonë, është i papranueshëm dhe për këtë arsye, kërkova referendum. Por, ky referendum nuk është për qëndrimin apo jo të Greqisë në Eurozonë. Pas referendumit, ditën e hënë, Greqia do të jetë në tavolinën e negociatave për një marrëveshje më të leverdishme për grekët”. Cipras përsëriti thirrjen e tij për një votë “Jo”: “Një votë “Jo” do të thotë presion për gjetjen e një marrëveshjeje të drejtë ekonomike.

 

Nuk mund të pranohet që në Europën e solidaritetit, të mbyllen bankat si përgjigje ndaj qeverisë që lë popullin të vendosë”. Kryeministri grek, në një intervistë të mëparshme, u kishte bërë thirrje grekëve të votonin “jo” në referendumin e së dielës për të hedhur poshtë kërkesat e kreditorëve, pasi kjo votë kundër masave shtrënguese do ta ndihmojë Greqinë të negociojë një zgjidhje më të mirë ndaj krizës. Në rast të kundërt, nuk jam një kryeministër i përhershëm, ka thënë ai, duke nënkuptuar se, nëse vendimi i grekëve do të jetë pro masave, atëherë ai do të japë dorëheqjen dhe vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme. Vetë grekët ndërkaq, sipas mediave që raportonin dje nga terreni, shfaqen të dyzuar për votën që do të hedhin në referendum. BBC citonte të rinj grekë që në një situatë dëshpërimi pohonin se në fund ata do të preferonin që të largoheshin nga Greqia, cilido qoftë rezultati i referendumit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama