Fanny Ardant Kinemaja eshte nje forme morali

Fanny Ardant: Kinemaja eshte nje forme morali
"Hi dhe gjak" e mori motivin nga një vepër e shkrimtarit Ismail Kadare, por Fanny Ardant, ia kushton filmin e saj të parë një bote imagjinare që me zor do t'i përkiste Shqipërisë. Për motivin e gjakmarrjes aktorja frënge i referohet mitit, jo Kanunit Aktorja franceze, për herë të parë regjisore me një histori irracionale mbi gjakmarrjen

Në prodhimet e huaja kinematografike dhe dokumentare të viteve të fundit, tërheq vëmendjen trajtimi i elementeve të botës shqiptare si rudimente të një tradite të vjetër, të gjatë. Komunitete të izoluara të fshatit, katundit, malit që vetërregullojnë marrëdhëniet njerëzore me mjete të cilat e përligjin po aq sa edhe pretendojnë ta kompensojnë daljen jashtë kontrollit të natyrës njerëzore.

Te këto vepra bie në sy shitja e fenomeneve si të ishin produkt për një turizëm kulturor i vendeve që nuk janë në gjendje të eksportojnë një indentitet qytetar, një mendim dhe dialog të brendshëm për këtë identitet, një përkufizim për fatin e njeriut që jeton në një botë në zhvillim.

"Hi dhe gjak" (Cendres et sang) i Fanny Ardant i shfaqur për herë të parë për publikun shqiptar më 3 shtator në Festivalin e Durrësit, është i kësaj serie. Bashkëprodhimi ndërmjet Francës dhe Rumanisë, filmi i parë i shkruar dhe realizuar nga aktorja franceze, u prezantua më 2009 në seksionin zyrtar të edicionit të 62 të Festivalit të Kanës, jashtë konkurrimit. Historia e Xhuditës (në rol aktorja izraeliane Ronit Elkabetz, fituese e çmimit Aktorja më e mirë në Festivalin e Durrësit) është nisur për një histori gjakmarrjeje. Bashkë me tre fëmijët e saj, gruaja ka ikur nga vendlindja drejt Francës për shkak të vrasjes së të shoqit.

Një ditë Xhudita vendos të kthehet në vendlindje, vend që regjisorja nuk e identifikon. Megjithëse e ndjekin frika nga e kaluara dhe hijet e urrejtjes së një klani që do të hakmerret. Gjaku kërkon gjak, thonë personazhet e Ardant-së. Në role interpretojnë Marc Ruchmann (Ismail), Abraham Belaga (Pashku), Claire Bouanich (Mira) etj. Filmi është komentuar ndër të tjera si "një epope e mahnitshme ballkanike" me urrejtje dhe sekrete. I xhiruar në Transilvani, "vepra evokon Ballkanin, Shqipërinë sidomos", thonë disa kritikë.

Ardant tregoi në intervistën për "Shekullin" pas prezantimit të filmit në Durrës ku ajo ishte e pranishme. Nuk i është referuar asnjë vepre mbi Kanunin. Ka marrë vetëm motivin e gjakmarrjes, atë version që Ismail Kadare trajton në veprën eseistike "Eskili, ky humbës i madh". Kadare merret me migrimin e motivit në Ballkan, me trajtimin që i bën Eskili në mitet e tragjedive të tij dhe formën e përpunuar që e gjen në kodet e botës së lashtë shqiptare.

"Hi dhe gjak" i Fanny Marguerite Judith Ardant (1949), hyn në serinë e veprave të përmendura më lart për steriotipin, për trajtimin jo korrekt, veçimin e fenomeneve nga konteksti i rrethanave sociale dhe psikologjike të komuniteteve. I vetmi ndryshim është se vepra e saj nuk ka ngjyrat dhe atmosferën e një bote të kalcifikuar.

Përkundrazi, jepet si një botë turistike, me peizazh kartolinash, me kostume dhe modë, me shtëpi që tregojnë mirëqenie, me kopshte të krasitura të gjelbra gjithmonë, me pemë dhe përrenj, me burra që kalërojnë nëpër korije dhe kamera që u kap vështrime fatale, me kapele dhe gra që keqtrajtohen nga burrat dhe nuk kanë frikë të dashurohen me burra të tjerë. Personazhet e Ardant-së janë në një adoleshencë të përjetshme.

Kjo e bën historinë e "Hi dhe gjak" histori pasioni dhe gjaku jo në kuptimin e gjakmarrjes. Shtoji kësaj përzierje irracionale, emrat shqiptarë, frënge, latinë, grekë. Çdo gjë lejohet. Si në një serial televiziv që mund të vazhdojë deri sa autori të mos ketë më fuqi t'i vdesë heronjtë nga melodramat e tyre.

Zonja Ardant, sa ju ka vlejtur për këtë film vepra e Ismail Kadaresë, "Eskili ky humbës i madh"?

Kur e mbarova skenarin i nisa një kopje Ismail Kadaresë, por kurrë nuk mora përgjigje. Doja të dija nëse kisha gabuar gjëkundi, apo t'i merrja ndonjë këshillë, por asnjë përgjigje. Pastaj bëra filmin.

Nuk kemi të bëjmë me përshtatje të librit. "Eskili ky humbës i madh" vetëm sa më dha idenë. Nuk doja që Kadare të hynte në këtë punë. Doja thjesht të konsultohesha me të si shkrimtar shqiptar që është, për këndvështrimin e tij. E merrja me mend se ai do të thoshte jo, mos i hyr asaj pune, por ja që nuk m'u përgjigj. Nuk pata asnjë kontakt me të.

Çfarë ju lidhte ju me motivin e gjakmarrjes, motiv që ka migruar sa në Ballkan, sa në vendet e Mesdheut pranë nesh po edhe afër vendit tuaj?

Ah, këto pyetje kërkojnë përgjigje racionale. Mendoj se nuk ka gjithnjë një përgjigje racionale për gjërat. E kam adhuruar mitologjinë, tragjedinë greke, Homerin, Eskilin, autorë që më kanë ushqyer qysh fëmijë. Ishte sikur t'u bëja atyre një homazh në kohën tonë me këtë motiv: gjaku thërret gjakun, që është histori e tragjedisë, është diçka që i tejkalon brezat, trashëgimtarët të cilët duhet paguajnë për këtë.

Doja nga të njihja këtë tokë të vogël për të cilën më kishin folur francezët e mi që e kishin vizituar dhe kishin ndeshur me një kod që për ta është i pakuptueshëm.

Po Rumania, përse hyn këtu?

Është thjesht një dekor. Nuk mund të xhiroja në Shqipëri dhe as në Kosovë. Asnjë producent nuk më kish lejuar të xhiroja këtu. Do ishte shumë e vështirë, e kushtueshme për të sjellë materialet. Nuk kishte strukturë kinematografike. Pra vendosëm ta stilizonim vendin. Dhe unë zgjodha Transilvaninë sepse nuk kishte asnjë lidhje me botën moderne. Nuk mund të identifikosh asnjë vend aty. Është një fshat ku nuk ka asgjë.

Emrat që ju keni përdorur, për shembull Pashk, janë tipik për Shqipërinë Veriore, ndërsa Xhudit nuk ka lidhje.

Mua më quajnë Xhudit. Në film kemi edhe emra si Lupos që është emër grek, emrat Ismal dhe Mira që janë shqiptarë. Kam shkuar në konsullatën shqiptare në Paris dhe gjeta një libër të vogël ku ishin gjithë emrat, le të themi të pagëzimit. Kemi edhe emra si Iliria. Në këtë rast kam pasur parasysh emrin e Liri Begejës, regjisore me origjinë shqiptare, mikeshë imja. Apo Saimir. Pra, më pëlqenin shumë emrat shqiptarë.

Çfarë i keni dhënë nga vetja Xhuditës, personazhit që mban emrin tuaj të vërtetë?

Si aktore do doja ta interpretoja vetë këtë rol. Pastaj ju e dini që në një film mund të fusësh shumë gjëra prej vetes. Jo jetën reale, por plot të dhëna personale. Xhudita ka mall, ka ndjeshmërinë ndaj tokës që iu desh ta braktisë sepse familja kishte hyrë në gjak për shkak të saj.

Dëshira për t'u kthyer në vendlindje është më e fortë se ajo vetë. Edhe pse ka frikë për fëmijët, ajo rikthehet tek rrënjët e saj, atje në vendin të cilit i përket. Por gaboi, sepse edhe nënat gabojnë.

Protagonistja juaj është një grua në telashe por e modës, vesh lloje fundesh, taka të larta në një terren me rrëpira. Pra nuk i ngjan gruas së "egër" që mund të hamendësohet për një personazh me të dhënat e saj.

Pikërisht, sepse nuk doja të bija në karikaturizimin e gruas tragjike, me shaminë e zezë në kokë, veshur si vejushë. Kam dashur që ajo të shenjohej nga marka franceze. Ajo është një e huaj në Francë sa ç'është e huaj edhe në vendin e saj.

Me përjashtim të finales ku ajo është e veshur e gjitha në të zeza. Pra është rikthyer në tokën e saj.

Kishte rëndësi për mua të mos bija në një klishenë e gruas së egër. Ajo ka njëzet vjet e ikur nga vendi i saj drejt Francës.

Në ritualin e dasmës, dhe sidomos në ritualin e përballjes së gjaksit me familjen e viktimës. Çfarë keni shmangur dhe çfarë keni krijuar?

Është film, nuk është dokumentar. Filmi është pjesë e imagjinatës. Në ritualin e vdekjes, shfaqen tri gra. Janë krijesa të miat. Nuk ka ndonjë ritual që t'iu kërkon tri grave të sillen me pasqyrë rrotull atij që ka kryer krimin. Unë i njoh ritualet që parashikon Kanuni për pjesëmarrjen e vrasësit në funeral.

Di për shembull që, nëse vrasja kryhet me thikë është më e rëndë se vrasja me armë. E kam lexuar Kanunin, por ka disa gjëra që për hir të kinematografisë, për hir të mjetit me të cilin kam zgjedhur të flas, i kam krijuar vetë.

Keni lexuar vepra që merren me gjakmarrjen në Shqipëri?

Jo.

Që të mos influencoheshit?

Para së gjithash ishte imagjinata ime. Pastaj e kisha shumë të vështirë që të gjeja në Paris libra për Shqipërinë. Gjeta vetëm një libër të vogël për Gjirokastrën, bardhë e zi, gjeta imazhe të bukura dhe vende që kisha përfytyruar: shtëpitë e mëdha të dy familjeve që ju shikoni në film, kishën e vogël.

Të gjitha këto që kisha imagjinuar i gjeta në Transilvani. Është e çuditshme se si jeta ka më shumë imagjinatë se ne. E theksoj, unë nuk kisha legjitimitetin për të shkruar një histori shqiptare. U nisa me këtë qëllim, por hoqa dorë më pas, sepse kinemaja është një ëndërr.

Ju folët në takimin me publikun në Durrës për një ide tuajën për Evropën siç mund të jetë Ballkani për njerëzit që jetojnë në këtë gadishull.

E shoh Evropën si një mënyrë të menduari, të jetuari, një mënyrë për t'u ndjerë në familje, në marrëdhënie. Në këtë peizazh familjar unë shoh pazaret, pleqtë, fëmijët, fshatrat, pemët, shumë gjëra.

Edhe në fund të Anglisë të shkoj, në Serbi apo Transilvani, nuk e ndjej vetën jashtë pragut. Më kujtohet ajo që Gjeneral De Gaulle e thoshte për Evropën: nga Atlantiku në Urale dhe përtej Orienti ku fillojnë të shfaqen toka të tjera misterioze.

Pra ky mit i Evropës, me gjithë Ballkanin, i jep kontinentit një aromë që vjen nga kultura. Për mua aroma e Evropës vjen nga piktura, nga muzika, nga poezia. Kjo ka qenë bota për mua. Kur dëgjoj një poemë të Pushkinit e mendoj atë si poet francez, kur lexoj një vepër të Dostojevskit, e mendoj atë si shkrimtar francez. I kam lexuar në moshën 15-vjeçare.

Më vonë do të lexoja letërsi amerikane. U bëra vërtet admiruese e kësaj letërsie, por ishte njëlloj si për kinezët, për japonezët, të cilët mund t'i admiroj, pa mundur dot të bëhem pjesë e asaj bote. Për shembull, është shumë bukur kur shkon në Tokio, ja që aty unë nuk gjej pikë referimi.

Ndërsa në Evropë si në një magji shfaqet bota familjare, kafenetë e vogla... është shumë e çuditshme përse unë e ndjej në këtë mënyrë Evropën. Ballkanin e shoh pjesë e gjithë kësaj Evrope. Unë nuk kam kurrë nga Atlantiku, kam parë nga Evropa e Lindjes.

Përmendët diçka për historinë moderne të Shqipërisë, për periudhën e komunizmit...

Fjalët gjithmonë bien në fund të gotës... Ju e dini se pas një furtune të madhe, nuk mund të gjykosh dhe të parashikosh të ardhmen. Është herët akoma. Shqipëria është tokë e kontrasteve, tokë tepër e vuajtur, tepër e ndryshme, edhe pse është pjesë e Evropës.

Keni takuar shqiptarë të dëshpëruar, keni diskutuar për këto gjëra?

Po, unë nuk kam dëshpërimin e atyre shqiptarëve që kam takuar. E kuptoj dëshpërimin që vjen prej kësaj toke, mund ta marrë me mend, nuk jam e verbër. Por them: prit, është herët. Shikoni Evropën Perëndimore.

Është dashur kohë që gjërat që të shkojnë në vendin e tyre. Era e konsumit dhe materializmit që fryu pas luftës, solli dëshirën për ndryshim: ndodhi '68-ta. Për të mbërritur këtu ku është kjo pjesë e Evropës, njëzet vjet nuk janë shumë.

Sipas kësaj logjike, e pranuat ftesën nga Festivali i Durrësit edhe për të parë Shqipërinë?

Ah jo, mua e vetmja gjë që më shtyn të udhëtoj është kinemaja. Turizmin e urrej. Nuk kam blerë kurrë një biletë avioni për turizëm, sepse turizmi është fals. Udhëtim për mua do të thotë të takoj njerëz si ata që e duan kinemanë. Për mua kinemaja është një çantë e vogël shpine me të cilën mund të udhëtosh kudo.

Ah po, edhe librat, por jo turizmi. Parisi është i mbushur me turistë, e çfarë dinë ata për Parisin? Asgjë. Sepse të udhëtosh do të thotë të jetosh për një kohë me dikë, me një krijesë njerëzore, jo me peizazhe.

Do kishim dëshirë të mos e harronim në këtë bisedë François Truffaut-në (1932 -1984), themeluesin e Valës së Re në kinemanë franceze, njeriu që ju e keni njohur nga fare afër.

Ai thoshte gjithnjë: on film qu'est-ce qu'on aime, bëjmë film për atë çka dashurojmë. Dhe kjo më ka lënë shenjë përfundimisht. Kjo më ka shtyrë të besoj se dikush që filmon diçka, do të thotë se e ka dashuruar atë që ka filmuar. Nuk ka rëndësi nëse është fjala për dhunën, pornografinë, për degjenerimin e grave, burrave, fëmijëve. Kinemaja është një formë morali.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama