Fan Noli dhe Shekspiri

Fan Noli dhe Shekspiri

Uillam Shekspiri, shkrimtari i madh i Anglisë së shek. XVIXVII mbërriti për herë të parë në Shqipërinë shek. XX, i pajisur me “pasaportën” e lëshuar nga Fan S.Noli. Shekspiri ishte një vizitor i vonuar në Shqipëri. Në vende të tjera kishte shekuj që kishte hyrë, diku duke i mrekulluar lexuesit e tij të rinj, diku pa bujë e në ndonjë rast i vringëllinë në armët e kritikës të rreptë. Në vendin tonë Shekspiri hyri vrullshëm në kohë të turbullta, hyri i freskët, befasues e i mirëpritur dhe zuri vend në krye të vatrës së letrave shqiptare, u bë një mysafir i përhershëm e bashkëkohor i historisë sonë kombëtare, tejet “shekspiriane” me aspektet tragjike e komike të saj. Shekspiri ishte dashuria intelektuale, shpirtërore e pandarë e Fan Nolit, ishte bukuria më e përsosur, e parapëlqyer e tij. Siç ka rrëfyer vetë, Noli u takua me Shekspirin qysh kur ishte 15 vjeç, kur rasti ia solli që t’i lexonte dramat shekspiriane me cilësinë e suflerit të vëmendshëm teatror. Këtë takim ai e ka quajtur “një nga ngjarjet e jetës time”.

Shekspiri u bë pika kryesore e referimit për gjithë jetën e tij, për të kuptuar veten dhe për të përcaktuar identitetin e personalitetit të tij, idealet që e frymëzuan dhe që iu mbeti besnik përherë, për të kuptuar jo vetëm artin, por edhe historinë e njerëzimit. Aq shumë sa mori e sa përfitoi Noli nga Shekspiri, po aq guxojmë të themi, edhe i dhuroi gjeniut të Anglisë. Ky pohim yni mund të duket një hiperbolë e thjeshtë artistike, por në fakt përbën një të vërtetë të gjallë, të kapshme në shumë anë. Noli ishte një nga ata, që e çmuan më të drejtë dhe plotësisht vendin e rolin e Shekspirit në historinë e qytetërimit botëror. Mund të mos e quash ndonjë meritë të madhe këtë pohim. Cili do të guxonte të mos e çmonte Shekspirin si të madh?! Sado paradoksale që mund të duket, ka patur personalitete, madje gjenialë, që e kanë vënë në dyshim madhështinë e pafundme të Shekspirit.

Kundër Shekspirit s’është lënë gjë pa u thënë. Fortbs, kritik anglez i shek.XVII pat shkruar: “Shekspiri s’ka as talent tragjik, as talent komik. Tragjedia e tij ishte artificiale, kurse komedinë e shkroi instinktivisht”. Duke përsëritur të tilla kritika Xhonsoni (shek.17) e akuzoi për plagjiaturë. “Shekspiri, s’ka lënë autor pa vjedhur, ka shkruar ai. Një tjetër kritik është tallur me ‘Otellon’. Morali i kësaj përralle është pa dyshim shumë instruktiv. Drama është një paralajmërim për amvisat që të tregojnë kujdes për t’i ruajtur plaçkat e tyre (shaminë)”, pat ironizuar ai. Sheftsberi ka thënë: “Shekspiri ka mendjen e një barbari dhe është vulgar”. Xhonsoni e pat quajtur “Otellon” “një farsë e përgjakur, kurse “Jul Çezarin”, “një dramë e ftohtë”. “Vulgare” e quajti Volteri skenën e takimit të Hamletit me varrmihësit, sepse “këta duke hapur varre, pinë, këndojnë ca këngë banale dhe bëjnë shakara me kafkat, shaka të denja vetëm për profesionin e tyre”.

Volteri e pëlqente Shekspirin, por nuk shihte tek ai përsosmëri shijeje dhe prandaj e pat quajtur “barbar, të egër”. Edhe pasi romantikët e vunë në një piedestal të lartë e të patundur, Niçja e pastaj gjeniu i Rusisë, Leon Tolstoi. Anglezi Bernard Shou ia mohoi Shekspirit, jo vetëm bukurinë, por edhe moralitetin dhe ngjallën dyshime për gjenialitetin e tij. Fan Noli u çudit me të tilla vlerësime dhe i kundërshtoi qysh në fillim të jetës së tij në artikullin “Shekspiri në rrezik” (1906). Ja si e pat mbrojtur Shekspirin Noli: “As me krishterimin e Tolstoit, as me logjikën praktike amerikane të anglezit Shou, nuk ka për të zbritur Shekspiri, që atje ku hipi vetë me mendjen e tij të egër, të marrë, pa rregull, por të bukur si natyra”.

Ky ishte shërbimi i parë, që Fan Noli i ka bërë Shekspirit. Shërbimi tjetër ishte se e solli në trojet e Ilirisë, aty ku Shekspiri pat vendosur të zhvilloheshin ngjarjet e komedisë “Nata e 12”. Aty ku ndodhej për të “Arkadia e hidhur”. Kush e di se sa do të ishte vonuar Shekspiri për të ardhur në Shqipëri, sikur të mos kishte qenë Fan Noli. Ky pohim mund të vihet në dyshim: do të ishte gjendu ndonjë përkthyes tjetër që do ta kishte shqipëruar. Ne mendojmë ndryshe: Zor se mund të kishte pasur një të dytë, që ta kishte bërë këtë punë aq mirë e aq shpejt në atë kohë që e bëri Fan Noli. Kësaj pune, të filloje shqipërimin e Shekspirit mund t’ia hynte vetëm një njeri, të cilit i ishin dhënë “nga Zoti apo Natyra?! forca ‘Faustiane’”, tek i cili gjallonin energji të atij lloji, që e patën venë në lëvizje mendjen e Shekspirit.

Dihet se pat qenë një shqiptar tjetër i madh, Faik Konica, që i pat sugjeruar Fan Nolit t’i hynin përkthimit të Shekspirit në shqip; bashkërisht ndanë edhe parapëlqimet; Konica kërkoi ta niste punën me “Romeo e Zhulieta”, kurse Fan Noli me “Otellon” e më tej me “Hamletin”. Por ndërsa Konicës i munguan aq forca, vendosmëri e vullnet sa duheshin për të plotësuar angazhimin e tij (ai hoqi dorë nga qëllimi), Noli qysh më vitin 1915 përktheu “Otellon” dhe pas dhjetë vjetësh (pasi “e kisha mësuar më mirë atë punë të vështirë”, ka rrëfyer vetë) botoi njërën pas tjetrës “Hamletin”, “Jul Çezarin” dhe “Makbethin”.Vështirësitë nuk vinin vetëm nga Shekspiri, që dihet se ç‘kolos është, por edhe nga gjendja e gjuhës shqipe, e cila nuk ishte ndeshur ende me madhësi të tilla, si ato shekspiriane. Përveç aftësive, duhej edhe guxim i madh, i jashtëzakonshëm të hyje në botën e Shekspirit me një gjuhë që për herë të parë aktivizohej në një eksperiment kaq të vështirë kulturor- artistik. Me shqipërimin e tragjedive shekspiriane nuk u provua vetëm potenciali i fuqishëm poetik i shqipes, një zbulim i madh për atë kohë.

Fan Noli preferoi të sillte në shqip tragjeditë e Shekspirit

Noli e vuri Shekspirin të parin në vargun e shkrimtarëve më të shquar botërorë, që zunë të hyjnë njëri pas tjetrit në gjirin e kulturës e të botës shqiptare. Shërbimi i tretë që Fan Noli i bëri Shekspirit, qëndron në zgjedhjen e veçantë të veprave të tij; ai parapëlqeu tragjeditë. Kjo nuk ishte një zgjedhje e rastit; ai kishte vendosur të përkthejë disa nga veprat më të vështira, por edhe më kuptimplote, më përfaqësuese të gjenisë shekspiriane. Mesa duket Noli besonte se tragjeditë qenë vepra, që më mirë se çdo krijim tjetër i Shekspirit zbulonin madhështinë e tij, shprehin universalitetin dhe thellësinë e mendimit të tij estetik. Sigurisht, të njihesh me “Otellon”, “Hamletin”, “Jul Çezarin” dhe “Makbethin” do të thotë të zbulosh pjesën më të rëndësishme të universit shekspirian.

Në zgjedhjen që bëri Fan Noli duhet të kenë influencuar dhe konsiderata të tjera, sidomos synimi për të ç’projektuar veprën e Shekspirit në bashkëkohësi. Noli jetonte në situata tragjike për veten e vet, për vendin e tij dhe për botën. Ky fakt na shtyn të mendojmë se ai bëri zgjedhjen e parapëlqyer jo vetëm për të treguar se ç‘thoshte Shekspiri për kohën e tij, për Epokën e Rilindjes Europiane, për historinë e Anglisë, por edhe për botën shqiptare. Këtë gjë e tregojnë qartë “introduktat”(parathëniet), me të cilat ia prezantoi lexuesit shqiptar tragjeditë shekspiriane. Ai solli një mesazh të dyfishtë, për vlerat e veprave të Shekspirit, por edhe për projektimin që Noli u bëri tragjedive në fjalë në jetën, problemet dhe historinë e Shqipërisë.

Katër dramat e krijimtarisë dramaturgjike të Shekspirit

Të njohësh e të zbërthesh idetë estetike të një vepre artistike nuk do të thotë të nisesh nga pozitat e sociologjizmit vulgar. Kritiku italian i shek.19 De Sanktis ka thënë në një rast se, s’ke për të kuptuar asgjë po të mos shikosh te Shekspiri një trinitet të pandarë, domethënë poetin, filozofin e historianin. Thelbi i këtij triniteti nuk mund të kapet as me gjurmimin e imtësive formale, as me instrumentalizime politiko-sociologjike, por vetëm me zbërthimin e ideve estetike, në të cilat përmblidhet artistikisht gjithë përmbajtja e pasur, e thellë dhe e shumanshme (filozofike, etike, historike, sociale,erotike, psikologjike, politike, juridike etj.), mbi qenien e ekzistencës njerëzore. Në kritikën letrare këtë metodë ka ndjekur Noli; këtë metodë, domethënë analizën e ideve estetike, që i parapëlqejmë edhe ne, e që përpiqemi t’i zbatojmë edhe në esetë, etydet tona. Po të niseshim nga radha e botimit të përkthimeve do të na duhej që këto shënime t’i fillonim me analizën e “hyrjes” së Nolit për dramën “Otello”, që në shqip u botua në SHBA më vitin 1916, kurse tri tragjeditë e tjera “Hamleti”, “Jul Çezari” dhe “Makbethi” u botuan më 1926 në Bruksel.

Një periudhë e gjatë i ndan këto dy data, por nuk vëmë re ndonjë ndryshim parimor të Nolit ndaj Shekspirit; veçse mjeshtëria përkthyese e tij u përsos më tej dhe përvoja e re shoqërore ia pat forcuar bindjen për zgjedhjen e qëlluar që pat bërë, duke përkthyer katër tragjeditë e sipërpërmendura. Të katër këto drama i përkasin periudhës së dytë të krijimtarisë dramaturgjike të Shekspirit, domethënë të viteve të para të shek.17. Kronologjikisht ato kanë qenë shkruar: “Jul Çezari” më 1599, “Hamleti” më 1601, “Otello” më 1604 dhe “Makbethi” më 1605. Kjo tufë dramash përfaqëson një nga shkallët më të larta të krijimtarisë dramaturgjike. Ndonëse secila prej tyre ka veçori dalluese, ato i afron edhe një bosht i përbashkët ideoestetik, ato i frymëzon filozofia humanitare e Renesansës, që himnizonte njeriun, individin e lirë me forca titanike e me zhvillim të gjithanshëm. Këtë bosht të këtyre dramave B.Brehti e ka quajtur “epik”, “heroik”.

Secila prej këtyre dramave rrëfejnë tragjedi heronjsh të papërkulur. Ja si e ka zbërthyer historiani Gizo përmbajtjen e tyre: “Heroi është fillimi e fundi i tyre; mjeti e qëllimi i përcaktuar nga fati, sipas vullnetit të të cilit në këtë botë të krijuar për njeriun, çdo gjë bëhet me duart e njeriut, por asgjë sipas dëshirave të tij. Fati e detyron vullnetin njerëzor të kryejë diçka që s’e parashikonte, dhe i lejon të shkojë lirisht drejt qëllimit; që nuk e pat shtruar. Por njeriu duke qenë nën pushtetin e ngjarjeve, nuk bëhet rob i tyre;në qoftë se fati i rij është pafuqishmëria, natyra e tij është liria”. Boshti i përbashkët ideoestetik i këtyre dramave ka qenë shumë i afërt dhe i pëlqyer subjektivisht për Nolin, i cili siç dihet ishte adhurues i heronjve liberatorë të historisë botërore, për të cilët përdorte epitetet e “Mesisë”,”Mb injeriut””Marathomomakut” etj. Heronjve të kësaj race ai u ka kushtuar krijimet e tij kryesore poetike letrare e dramaturgjike.

Me këtë rast duam të kujtojmë se drama “Jul Çezari”, që pat çelur serinë e dramave të periudhës së dytë krijuese të Shekspirit, përcillet me dedikasën e Nolit: “Liberatorëve të kombit dhe martirëve të çështjes me lot e admirim, për kujtim e mirënjohje”. Ky përkushtim, i qëlluar bukur për domethënien estetike të dramave të kësaj kategorie, dëshmon edhe për parapëlqimet e Nolit, si të karakterit estetik, ashtu edhe social-politik, si për të kuptuar më mirë konceptin shekspirian të tragjikes, ashtu edhe për ta projektuar atë në bashkëkohësi, në historinë tonë kombëtare. Idetë estetike të veprave shekspiriane janë të pavdekshme Mendimet e tij për veprat e Shekspirit, Fan Noli i ka quajtur me modestinë që e karakterizonte, “shpjegime elementare” dhe i konsideronte të vlefshme për t’i zgjuar kureshtjen lexuesit “ta shikojnë, ta shijojnë e ta gjykojnë vetë” dramaturgjinë shekspiriane.

Noli besonte se, sado të mira të jenë shpjegimet kritike të veprave dramaturgjike, ato nuk mund të zëvendësojnë as leximin, as përjetimin e tyre në teatër. Kjo është e vërtetë, por nuk e zvogëlon aspak vlerën e “introduktave” noliane për tragjeditë e Shekspirit, të cilat dëshmojnë qartë se sa thellë iu pat hyrë atyre përkthyesi, pa dyshim, ato përbëjnë një kontribut të çmuar në shekspirologjinë moderne. Ftesa që iu bë Fan Nolit më vitin 1964 nga Komiteti Festiv Anglez (i ngritur me rastin e 400-vjetorit të lindjes së Shekspirit) për të dëshmuar punën e tij për përkthimin, botimin e studimin e veprave të shkrimtarit anglez, ka qenë edhe shprehje mirënjohjeje për ndihmesën e tij në këtë fushë studimesh. “Introduktat” janë edhe më të çmuara për kulturën shqiptare, sepse përmbajnë edhe një varg paralelizmash interesante historiko-kulturore, që projektojnë tragjeditë e Shekspirit në jetën e historinë e Shqipërisë.

Me gjithë këtë, Fan Noli e ka quajtur të pashtershëm hulumtimin dhe interpretimin e dramaturgjisë shekspiriane. Artikullin e tij “Shekspiri dhe Unë”, shkruar më 1964, e mbyll me këto fjalë:“Pavarësisht se sa bëjmë për Shekspirin, ne kurrë nuk arrijmë të bëjmë mjaft për të. Ta themi këtë me një fjalë të Shekspirit nga ‘ Jul Çezari’:Ky është më i madhi i gjithë poetëve”. Në studimet shqiptare janë dhënë analiza të thella të vlerave kritikoletrare të “introduktave” të Nolit, janë evidentuar mendime origjinale të autorit për dramat shekspiriane dhe synimet e tij për të projektuar në bashkëkohësi. Por nuk mund të themi se është shterur dhe ezauruar analiza e ideve, që Noli ka parashtruar në “introduktat”. E quajmë të dobishme përpjekjen për thellimin e saj, qoftë për të treguar se sa pak të drejtë ka patur ai studiues, që e ka ngushtuar shqyrtimin e tyre vetëm në një plan kritiko-letrar, duke e nënvlerësuar përmbajtjen e gjerë të tyre.

Në shumicën dërrmuese të rasteve, Noli i ekspozon lexuesit shqiptar atë përvojë estetike, filozofike e social-politike, që buron drejtpërdrejt nga Shekspiri, sidomos nga dramat e shqipëruara prej tij. Ai tregohet mjaft objektiv në zbërthimin e ideve autentike të shkrimtarit anglez. Kjo nuk ka qenë e lehtë, po të kemi parasysh kohën e gjatë, që ndante dy epoka të ndryshme historike (të Shekspirit dhe të Nolit), si dhe ngarkesën shumëkuptimore të dramave të tij, për të cilat nuk rreshtin diskutimet edhe sot në gjithë vendet e botës së qytetëruar. Noli ka çmuar fort te Shekspiri aftësinë për të mishëruar me vërtetësi artistike frymën e epokës elizabetiane e të muzgut të Rilindjes europiane; për prapa historizmit. Noli çmonte edhe frymën universale, mbihistorike, që sintetizonte përvojën globale të historisë njerëzore.

Kjo i jepte të drejtë Nolit që dramaturgjinë shekspiriane ta bënte pikënisje për të kuptuar edhe ca të vërteta mbi jetën e historinë së kombit tonë. Prandaj në analizën me temë “Shekspiri në botën shqiptare” do jemi përpjekur të kapim të 3 hipostasitë, që pleksen në këtë temë, domethënë: shpjegimet e shqipëruesve për kuptimin autentik të veprave shekspiriane, idetë e mendimet e tyre, që sintetizojnë një përvojë të re historike, të përkthyer përmes dramaturgjisë së Shekspirit dhe ndonjë shpjegimi plotësues ose alternativ, që buron nga koha jonë. Ne nuk do të ndalemi në hollësitë formale dramaturgjike të veprave të Shekspirit, por i jemi përmbajtur asaj metode substanciale që ka përdorur F.Noli, i cili ka evidentuar, para së gjithash, idetë estetike, të cilat përbëjnë vlera të pavdekshme të krijimtarisë së tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama