Familja Gjika “streha” ku ndriten yjet e sportit shqiptar

Familja Gjika, “streha” ku ndritën yjet e sportit shqiptar

Fillesat e Miri Gjikës

Miri Gjika lindi në vitin 1901, në Elbasan ku kaloi një fëmijëri jo të lehtë për shkak se babai i kishte vdekur herët dhe e ëma me sakrifica të mëdha, e rriti në kushte të vështira. Ai filloi zanatin e samarxhiut. Në periudhën e luftës së parë botërore Miri, ishte pjesë e shoqatës së këtij enti në Elbasan, dhe në një kohë kur sipërmarrja e Mirit të Gjikës filloi të ecte me ritme tepër të shpejta falë aftësisë së tij tepër të madhe, dhe ai nisi edhe të futej në sektorin e ndërtimit, ku ngriti spitalin ushtarak në Krastë dhe kazermat e ushtrisë. Ndërkohë aftësia e tij në treg, i zgjeroi kufijtë edhe jashtë vendit, ku Italia u bë një vend, më të cilin marrëdhëniet e tij tregtare ishin tejet të fuqishme. Në vitin 1943 në kohën e kapitullimit të Italisë, Miri në fakt do të kishte edhe humbje në biznesin e tij. Në këtë periudhë kohë ai fillon dhe blen edhe toka të shumta në qytetin e Elbasanit, ku 6 dynym i merr në lagjen e tij Shënkoll, dhe 8 dynym, në Bejlerbej. Por ajo që e dallonte Mirin nga tregtarët, ishte fisnikëria dhe zemërgjerësia e tij ndaj shtresës së varfër. Ishin të shumtë ata që në mungesë të të ardhurave i drejtoheshin, dyqanit të tij dhe asnjëherë nuk dilnin prej andej me duart bosh.

Mbërritja e komunizmit

Ardhja e sistemit komunist në Shqipëri do të ishte tepër fatale jo vetëm për vetë Mirin, por për të gjithë familjen e tij të përbërë nga e shoqja Dhoksia, dhe 9 fëmijët, Llazari(Tomorri) Jovani, Mihali, Dhimitri, Petriti, Spiro, Marianthi, Lumnija dhe Donika. Llazari( Tomorri) djali më i madh i shtëpisë i kujton të freskëta ato ditë. “Në vitin 1945 na erdhën komunistët në shtëpi dhe na konfiskuan të gjithë pasuritë që kishim”, tregon ai. Sikur të mos mjaftonte kjo Miri Gjika arrestohet dhe futet në burg së bashku më 7 tregtarë të tjerë ndër më të mëdhenjtë të qytetit të Elbasanit, ku bënin pjesë Spiro Nosi, Gani Bej Bungo, Bizat, Pent, e të tjerë njerëz të respektuar në qytet. Për një vit ai mbahet i burgosur në Elbasan. Llazari (Tomorri) cili shkonte ta vizitonte tregon se ata mbaheshin të burgosur në bodrumin e ndërtesës në një sipërfaqe rreth 20 metra. “Ishte një makth i vërtetë “ shprehet ai. Megjithatë pas një viti Miri Gjika lirohet dhe duke qenë se çdo gjë që ai kishte ndërtuar me mund ia kishte marrë pushteti i ri, rifillon të punojë në zanatin e vjetër atë të samarxhiut. “Ishte 8 nëntori i vitit 1956, kur na erdhën tek vendi ku punoja bashkë me babanë”, tregon Llazari(Tomorri) “Përpara nesh paraqitet majori Gaqo Ligori i shoqëruar nga dy oficerë të tjerë dhe duke iu drejtuar babait, thotë: -Në emër të Prokurorit të Përgjithshëm je i arrestuar! “Përpara se ta çonin në qeli, na kthyen përsëri tek shtëpia, ku bënë një kontroll, duke kthyer gjithçka përmbys dhe teksa diku majori, gjente letrat e pasurive të konfiskuara të babait i kthehet nënës, Dhoksisë dhe i thotë:- Po këto ç’i mbani akoma, apo prisni të shembet pushteti popullor. Majori pasi largohet nga shtëpia duke marrë me vetë babain, nëna e tronditur i merr të gjitha dokumentet e pasurive të sekuestruara dhe i vendos në oxhak duke u vënë zjarrin”. Miri do të dënohej me 5 vjet burg, me akuzën për agjitacion dhe propagandë, por përfiton më pas nga një amnisti me rastin e vizitës së Hrushovit në Tiranë dhe del nga burgu pas 3 vjetësh në vitin në vitin 1959. I lodhur dhe i vrarë shpirtërisht ai rifillon zanatin e tij të vjetër deri sa në vitin 1966 do të ndërronte jetë.

Djemtë Gjika

Miri la pas një familje të madhe me fëmijë, të cilët arritën që me forcën, punën, karakterin e tyre të hekurt dhe me këmbënguljen e madhe të hynin edhe ata në zemrat e qytetarëve të Elbasanit, këtë herë në një tjetër fushë, në atë të sportit. Në fakt është një ndër rastet e rralla si ajo e familjes Gjika ku të gjithë vëllezërit dhe motrat, janë marrë me sport. Llazari(Tomorri) vëllai më i madh, ka qenë futbollist në vitet 1952-‘54, me ekipin e asaj kohe Spartakun. Jovani gjithashtu ka qenë futbollist me Labinotin. Ndërkohë natyrisht më të spikaturit ndër vëllezërit, në fushën e sportit kanë qenë Mihali, Dhimitri dhe Petriti, të cilët kanë qenë pjesë e ekipeve të futbollit të Elbasanit dhe Lakja edhe me Partizanin, ndërkohë që Titi, karrierën e tij më të gjerë futbollistike e vazhdoi me Lokomotivën e Durrësit. Mbasi përfundoi detyrimin ushtarak Titi u bë pjesë e ekipit të Labinotit. Madje në një ndër rastet e rralla që mund të kenë ndodhur në fushën e futbollit, në ndeshjen e luajtur për kupën e Republikës, mes Elbasanit dhe Partizanit, në vitin 1974 në fushën e lojës kanë qenë të pranishëm 3 vëllezërit e familjes Gjika, ku rezultati i lojës ishte 2-0 për Elbasanin. Një meritë tejet të mëdha në karrierën e tyre futbollistike, vëllezërit Gjika shprehen se ka edhe trajnerët e shquar, Shefqet Lamçja(Lala), Fadil Kovaçi, Agron Stringa, por edhe vëllai i vogël i familjes Gjika Spiro ( Pila), ka qenë një futbollist tejet i talentuar, si sulmues në ekipin e të rinjve, me trajnerin e palodhur Shefqet Lamçja.

Dhimitër Gjika

“Në lojë nën presionin e biografisë së keqe”

Dhimitër Gjika thotë se edhe karriera sportive e tyre, në futboll nuk ka qenë e lehtë pasi biografia e keqe ishte e pranishme kudo. “Sa herë që do të grumbulloheshim me ekipin kombëtar, gjithnjë unë dhe Mihali kishim një trajtim të veçantë psikologjik”, thotë ai, kur veçmas dy të “njollosurve” në biografi u bëhej e ditur se në rast të ndonjë veprimi të largimit, gjithçka që linin pas në Shqipëri do të goditej me të gjitha metodat më të ashpra të pushtetit. Karriera futbollistike e tij zgjati më shumë se e vëllezërve, nga viti 1965- 1982. Në karrierën e tij numërohen, mbi 10 takime ndërkombëtare gjithnjë si një lojtar i formacionit bazë. Por prezenca e tij në ekipin e Elbasanit ka qenë gjithnjë e pazëvendësueshme duke u kthyer në një ikonë për tifozerinë. Mita sot është Mjeshtër i Sportit.

Mihal Gjika

Si e kërkuan klubi i Torinos dhe Karlsruhes

Padyshim që Mihal Gjika mbetet një ndër legjendat e futbollit Shqiptar. Një futbollist me një talent të jashtëzakonshëm, ai do të luante me 2 klube në Shqipëri, me Partizanin, dhe me Elbasanin skuadrën e tij të zemrës të cilën nuk e braktisi, edhe kur të kuqtë i bënë ofertën e sistemimit në Tiranë, me një shtëpi e punë. Në fakt nuk ishte e lehtë për Laken që me biografinë që kishte të arrinte të luante futboll, por siç thotë Dhimitri, ka qenë djali i Beqir Ballukut, Ladi edhe ky futbollist tek Partizani i cili tek shihte talentin e jashtëzakonshëm, të shokut të tij të skuadrës, ndikoi që ai të luante me Partizanin. Mihal Gjika do të ketë një karrierë të shquar në fushën e futbollit, ku do të luaje në rreth 25 ndeshje të formacionit bazë të kombëtares, gjithnjë ndër më të mirët në fushë, duke lënë të habitur edhe përfaqësuesit e klubeve më të mëdha të asaj kohe në botë. Ndër këto oferta veçohen ato të një ndër klubeve më të mëdha të momentit në Itali dhe në botë, në vitin 1969, FC Torino, përfaqësuesit e të cilit i kërkuar Mihal Gjikës, të mrekulluar nga ky lojtar të qëndronte dhe të luante në këtë klub, me një kontratë që mund të cilësohej si e jashtëzakonshme. Në vitin 1971 do të jenë përfaqësuesit e klubit të Karlsruhes, në Gjermaninë Perëndimore që do të bënin ofertën e radhës për Laken, por ai gjithnjë mendonte për familjen dhe të afërmit e tij në Shqipëri. Mjeshtër i Madh i Sportit, Mihal Gjika do të mbahet mend, si një ndër futbollistët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave.
Ledia LLeshi : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama