Faik Konica Ju rrefej si e njoha Ismail Qemal Bej Vloren

Faik Konica: Ju rrefej si e njoha Ismail Qemal Bej Vloren
Shkëlqesia e Tij Ismail Qemal bej Vlora duke shkuar për në Londër, qëndroi në Bruksel. Ne patëm nderin ta takojmë dhe biseduam me të mbi disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e Shqipërisë.

Shpesh shumë njerëz të mëdhenj, për së largu e kanë famën më të madhe se vlerën e tyre të vërtetë. Përkundrazi Ismail Qemal bej Vlorës e ka të madhe famën, por ca më tepër e ka vlerën dhe pikërisht për këtë shqiptarët mburren që kanë tek ai një përfaqësues të shquar dhe të madh të racës së tyre.

Ismail Qemal bej Vlora – që ka qenë zëvendësguvernator, shumë herë guvernator, kryetar i Komisionit të Danubit, vali, këshilltar shteti dhe së fundi në funksionin e rëndësishëm të guvernatorit të përgjithshëm të Turqisë në Afrikë, poste këto ku ka pëlqyer më shumë syrgjynimin me dëshirë dhe të drejtën për të thënë haptas mendimin e tij – për dyzet vjet me radhë ka vënë në shërbim të Perandorisë turke zgjuarsinë e tij të madhe dhe karakterin e tij të drejtë. Mendja e tij e lindur u mpreh veçanërisht në kontakt me problemet e qeverisjes dhe nëpërmjet një përvoje aq të gjatë dhe ai është një burrë i vërtetë shteti, me mendime të qarta dhe të thella kur flet për të ardhmen e Perandorisë turke dhe të Shqipërisë tonë.

Pa hyrë tani për tani në hollësira mbi idetë e mëmëdhetarit tonë të shquar në lidhje me marrëdhëniet e shqiptarëve me fuqitë e vogla ballkanike, mbi reformat administrative dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në Shqipëri, mbi shkollat kombëtare dhe mbi vështirësitë që hasim për shkak të ndryshimit të dialekteve shqiptarë dhe pasaktësisë së drejtshkrimit (sepse Shkëlqesia e Tij interesohet edhe për probleme gjuhësie dhe shpesh diskuton për to me mendjemprehtësi), – ne po përmbledhim vetëm me dy fjalë idenë themelore të politikës shqiptare të Ismail Qemal bej Vlorës:

Lëvizja shqiptare nuk do të ketë karakter separatist. Ajo është vetëm e vetëm gjuhësore, reformiste, mbrojtëse. Sipas traditës politike shqiptare, ne vazhdojmë ta vlerësojmë ekzistencën e Perandorisë turke si kusht; ekzistencës tonë. Por ne do të punojmë edhe në të ardhmen në mënyrë të tillë që, nëse një ditë, për faj të turqve por jo për tonin, Perandoria otomane shembet, gërmadhat e saj të mos zënë poshtë edhe Shqipërinë; dhe se – duke mos e dëshiruar këtë, por duke pritur gjithçka, të kujdesshëm dhe të matur – të mos të kapemi në befasi nga ngjarjet, por të mbrojtur me ndjenjën e të drejtës tonë për ekzistencë kombëtare, të mund të vazhdojmë të jetojmë si komb.
Kjo është themeli i këtij programi të madh, rreth të cilit duhet të bashkohen gjithë shqiptarët.

FAIK BEJ KONICA
E 12 1900 nr. 8 (shtator)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama