Ekspertizat e pritshme
Automjeti i Kosta Trebickës, i gjetur disa metra larg kufomës, do të jetë epiqendra e hetimeve nga ekspertët e kontaktuar prej ambasadës së Shteteve të Bashkuara, për t‘u ardhur në ndihmë të hetimeve. Ata do të kryejnë një ekspertim autoteknik të automjetit. Shoqëruar me këtë ekspertim, organi i akuzës do të marrë në pyetje familjarë të viktimës për të hedhur dritë mbi servisin e fundit të automjetit. Amerikanët do të përqendrohen edhe në dheun e sekuestruar në pjesë të ndryshme të automjetit, i cili do të krahasohet me mostrat e marra nga sipërfaqja e tokës, ku kishte rënë viktima. Në tavolinën e ekspertëve të huaj do të jetë edhe një "punë" tjetër për t‘u bërë, për të zgjidhur dilemën nëse viktima është goditur nga automjeti apo nga persona të tjerë, të dyshuar si "të mundshëm", gjatë hetimeve të para të drejtësisë shqiptare. Pjesët e stukos së makinës dhe boja e saj, të gjetur pranë vendit të ngjarjes dhe te veshi i viktimës gjatë këqyrjes së kufomës do t‘i nënshtrohen një ekspertize, duke marrë modele krahasimi nga automjeti. Gjithashtu, copat e xhamit të gjetura pranë kufomës do të krahasohen me ato të makinës.
U aksidentua, apo e aksidentuan?
Në ndihmë të amerikanëve, krahas hetuesve të prokurorisë dhe policisë, do të jenë edhe ekspertimi i armës së gjahut, si dhe ekspertimi daktilastrofik për këqyrjen e gjurmëve të mundshme në këtë armë. Një enigmë tjetër e akuzës shqiptare është ekzistenca e ndonjë personi tjetër (verifikimi i gjurmëve) afër vendit ku është gjetur viktima. Nëse arrihet të vërtetohet dyshimi i sipërpërmendur, atëherë Prokuroria Shqiptare mund të regjistrojë një tjetër version pas gjetjes së trupit të pajetë të dëshmitarit të çështjes së Gërdecit, Kosta Trebicka. Për të evidentuar çdo detaj është përgatitur një ekspertim për rrobat e trupit të viktimës, ndërsa bidonët e pijeve që janë gjetur në vendngjarje do të jenë gjithashtu në tavolinën e punës së amerikanëve. Këta të fundit do të bëjnë edhe një krahasim me pjesët e flokut të marra nga koka e viktimës, me qimet e gjetura në rrobat e viktimës dhe ato të zagarit të gjahut. Gjithashtu, edhe fishekët e gjetur në dhomën e hotelit ku ka fjetur viktima do të krahasohen me fishekët në folenë e armës së gjahut. Në lidhje me një helmim të mundshëm të viktimës, organi i akuzës është gati të kryejë edhe ekspertimin toksikologjik të lëngjeve të gjetura në bidonët me mbishkrim "Coca-Cola" dhe "Bureto", i cili do të krahasohet me ekspertimin e organeve të viktimës gjatë autopsisë.
Viktima
Ekspertiza mjeko-ligjore e kufomës
Ekspertimi i armës së gjahut
Ekspertimi daktilastrofik për këqyrjen e gjurmëve të mundshme në armë
Ekspertimi tekniko-kimik, për përcaktimin e prezencës së faktorëve të tjerë në rrobat e viktimës
Ekspertimi i bidonëve të pijeve, që janë gjetur pranë viktimës
Ekspertimi biologjik për pjesët e flokut të marra nga koka e viktimës, si dhe nga qimet e gjetura në rrobat e viktimës dhe ato të qenit të gjahut
Ekspertimi toksikologjik i lëngjeve të gjetura në bidonët me mbishkrim "Coca-Cola" dhe "Bureto"
Ekspertimi i organeve të viktimës gjatë autopsisë
Ekspertimi i gjakut të viktimës për të përcaktuar masën e gjakut të viktimës
Automjeti
Ekspertimi biokimik për masën e dheut të sekuestruar në automjetin e viktimës, krahasuar kjo me mostra të marra nga sipërfaqja e tokës, ku kishte rënë viktima
Ekspertimi për pjesët e stukos dhe bojës së makinës, të gjetur pranë vendit të ngjarjes dhe te veshi i viktimës gjatë këqyrjes së kufomës, duke marrë modele krahasimi nga automjeti
Ekspertimi i copave të xhamit në vendin e ngjarjes nga ato të marra prej makinës
Ekspertimi i fishekëve të gjetur te çanta në dhomën e hotelit ku ka fjetur viktima
Ekspertimi autoteknik i automjetit do të bëhet nga prokuroria dhe ekspertët e kërkuar nga jashtë vendit
Provat
Prokuroria mban çelësat e garazhit të vulosur, askush nuk ka autorizim të hyjë
Korçë, si ruhen provat e "Trebickës"
Nën administrimin e Prokurorisë së Korçës, provat të cilat janë siguruar nga vendi i ngjarjes, ku gjeti vdekjen Kosta Trebicka, janë në ruajtje gjatë 24 orëve me shërbim policor të caktuar enkas për këtë qëllim. Provat, të cilat kanë kaluar për ekzaminime shkencore në kryeqytet për t‘u bërë pjesë e konkluzioneve të aktekspertimeve mbi gjurmë gishtash, ato të armës, fijet e flokëve, objektet që ka pasur me vete dhe pijet e kështu me radhë, janë vetëm një pjesë e elementeve të hetimit mbi ngjarjen e 12 shtatorit. Makina e Kosta Trebickës është bllokuar dhe mbahet e izoluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Korçës në kushte të rrepta sigurie, nën ruajtjen e forcave policore. Krahas patrullave të shpeshta të policisë, të cilat janë shtuar si shërbim edhe gjatë natës, ruajtja në objekt me turne është një tjetër element që i shtohet mbajtjes nën kushte sigurie të makinës "Nissan Patrol", me të cilin udhëtonte Trebicka. E mbyllur në një garazh, me vulë dhe çelësa që mbahen nga prokuroria, asnjë person nuk është i autorizuar të hyjë në vendin ku mbahet e mbyllur makina, deri në ardhjen e ekspertëve të huaj. Gjurmët që janë marrë nga mjeti, edhe pse një procedurë e mbyllur tashmë që në momentet e para të ekspertizave, duhet të ruhen të paprekura deri në mbylljen përfundimtare të ekspertimeve, mes të cilëve ai ende i pakryer: ekspertimi autoteknik. Mes dëmtimeve të mjetit dhe një pasqyre të thyer, është edhe targa disi e shtrembëruar në pjesën ballore të saj si pjesë e pandarë e hetimit dhe tepër e rëndësishme për të provuar atë që ka ndodhur me të vërtetë në vendin e ngjarjes. Fakti se mjeti është një nga elementet më të rëndësishme të hetimit, për shkak të dyshimeve mbi një aksident të mundshëm. Edhe çelësat me të cilat është mbyllur në garazh ky mjet mbahen nën administrimin e prokurorisë dhe asnjë person nuk ka të drejtën të hyjë në zonën e izoluar pa një autorizim, që zor se lëshohet edhe nga ana e prokurorit të kësaj çështjeje, Përparim Vukaj. Në pritje të ekspertëve nga Amerika, të cilët do të kryejnë ekspertimin autoteknik, burime nga prokuroria kanë konfirmuar se mjeti është një nga elementet kyçe të procesit të hetimeve. Kjo makinë është bllokuar për llogari të palës amerikane në bazë të një marrëveshjeje me prokurorinë, për të sqaruar në mënyrë të specializuar dhe shkencore rrethanat në të cilat ky mjet ka përfunduar në një distancë të largët nga trupi i viktimës, kushtet teknike që ka pasur në momentin e rrëzimit, shpejtësinë dhe trajektoren e përshkruar në bazë të kësaj shpejtësie, të cilat do të krahasohen me provat që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, nga dheu, por edhe nëpërmjet matjeve topografike e fotografive dhe pamjeve filmike që janë kryer në vendin ku u gjet viktima.
Edhe pse deri më tani nuk është bërë publike nga ana e prokurorisë, duket se kjo e fundit ka "blinduar" gjithçka për të vazhduar punën hetimore në qetësi dhe për t‘i kushtuar vëmendjen më të madhe kësaj çështjeje. Të dhëna të sigurta pranë prokurorisë bëjnë të ditur se takimet janë të përditshme për të analizuar situatën dhe për të rrahur mendime mbi versionin hetimor që ka në dorë ky organ.
Burime pranë organit të hetimit kanë sqaruar se edhe pse çdo veprim tani është në varësi të ekspertëve të huaj që priten të vijnë për mjetin, nuk përjashtohet mundësia e një eksperimenti në vendin e ngjarjes, ku në bazë të shpejtësisë që do të vlerësohet nga ekspertët mund të realizohet një lëshim nga drejtimi në të cilin vinte makina, deri në pikën ku është gjetur më pas.
Ekspertimi autoteknik me dëmtimet mbi mjet do të krahasohen me të dhënat nga vendi i ngjarjes dhe matjet mbi trajektoren e distancën nga trupi. Ky akt-ekspertimi do të sqarojë edhe rrethanat në të cilat mund të ketë ndodhur një aksident i mundshëm.
Gazeta: Shqip











