Eva Alikaj nuk eshte dorezuar

Eva Alikaj nuk është dorëzuar

Flokët bjondë të çrregullt, syzet e errëta që i mbulojnë fytyrën imcake, një fustan i lehtë i zi, e bëjnë të duket si një çupëlinë. Por mjafton një buzëqeshje e madhe për ta njohur. Thjesht dhe vetëm Eva. Ndodhet në Tiranë prej dy ditësh. Do të qëndrojë pak. Por jo si një yll pa emër. Ka ardhur të na çudisë, edhe pse ky nuk është qëllimi i saj. Mbrëmjen e së dielës, në skenën e Teatrit Kombëtar, aktorja Eva Alikaj ngjit në skenë një muzikal. Bëhet fjalë për "Sot në mbrëmje: Lola Blau" ("Heute abent: Lola Blau") i autorit Georg Kraisler. Këtë herë Eva vjen si regjisore, aktore dhe për herë të parë edhe si këngëtare. Luan rolin e Lolës, një artisteje të re, me shumë ëndrra, që u thyen në mes. Lufta e Dytë Botërore, marshimi i Hitlerit në Austri shkatërron gjithçka. Nga një artiste e re, që sapo ka marrë emërimin në Teatrin e Lincës, ajo kthehet në një vajzë hebreje fatkeqe në arrati. Një njeri pa atdhe. Arrin të sigurojë një vizë për në Amerikë, ku kthehet në një seks simbol. Por nuk e kënaq më asgjë dhe bie pre e narkotikëve. Kur rikthehet në vendin e saj, me shpresën e madhe se të gjithë do ta mbanin mend, zhgënjehet. E gjithë fama e saj mbyllet në një skenë të vogël kabareje, larg syve të adhuruesve të shumtë.
 
Historia e Lolës e magjepsi Alikajn që në fillim. "Ose do ta arrija këtë vepër, ose do të turpërohesha", - thotë sinqerisht Alikaj, që pa dashur të duket patetike, thotë se nuk bëhej fjalë thjesht për një rol, por për jetën e saj. Dhe i mori përsipër thuajse të gjitha. "Nuk pretendoj të bëj regji të mirëfilltë. E njoh shumë mirë Lolën dhe të bërit e regjisores erdhi krejt natyrshëm". Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të kënduarit. Në këtë pikë Evës iu desh të merrte vërtet leksione. Për një kohë të gjatë punoi me dirigjentin austriak Bernard Klebel. "Nuk kisha kënduar kurrë më parë dhe në fillim dukesha vërtet e dëshpëruar. Por punuam shumë me zërin, bëmë prova të gjata dhe mendoj se arritëm t'i përshtateshim këngëve të kabareve", - thotë ajo, e bindur se nuk do të arrijë kurrë të bëhet një këngëtare. "Duhet shumë teknikë për të kënduar. Unë mbetem aktore, gjithsesi nëse do të më ofrohej një mundësi do ta provoja sërish muzikalin". Pjesa ka 16 këngë, që këndohen të gjitha nga Alikaj në gjuhën gjermane. Në spektaklin që zgjat një orë e 15 minuta shoqërohet nga pianisti Andreas Rentsc dhe aktori Peter Simonsberger. Krahas pjesëve të muzikuara, ka edhe monologje e dialogje të shkurtra. Që të jetë e kuptueshme për publikun shqiptar, ajo ka bërë një përmbledhje të historisë, këngët i ka përkthyer në shqip dhe në një ekrantregon stacionet e jetës së Lolës.


Por muzika është ajo që e bën këtë vepër më të dashur. "Muzika është shumë e bukur dhe mendoj se është pikërisht ajo që depërton më thjesht tek spektatori. Historia e Lolës është tragjike dhe muzika e zbut, e kthen në një balsam për shpirtin, nuk e shkatërron atë", - tregon artistja, që duket se e ka shumë për zemër rolin e Lolës. Për Alikajn, Lola nuk është thjesht një artiste. Asaj i duhet të përballet me antisemitizmin, me austriakët kokëfortë, me jetën në Amerikë.., me vetë komunitetin e saj hebre. Dhe deri diku Alikaj gjen pikëtakime me Lolën. Ashtu si personazhi që ajo luan, dikur kishte shumë ëndrra, njohu edhe suksese të mëdha madje. Vepra hapet me emërimin e Lolës në teatrin e Lincës, por pushtimi gjerman shkatërron gjithçka. "Ajo humbi punën, atdheun, dashurinë. Kjo mund të thuhet deri diku edhe për mua. Por në ndryshim nga Lola, që në fund të historisë është pesimiste dhe kokëvarur, unë nuk jam dorëzuar. E ndiej se do të jetë një shfaqje e mirë dhe që do të pëlqehet, por edhe nëse nuk do ta pëlqejnë të gjithë, do të jap maksimumin tim. Do të jem e kënaqur edhe thjesht për faktin që në sallë do të jenë prindërit e mi. Ata do të më pëlqejnë. Thonë se në sallë do jenë 100 apo 200 vetë. Unë them se do të jenë 400", - thotë ajo duke qeshur. Skenografia dhe kostumografia mbajnë gjithashtu firmën e Alikajt. Gjithçka është konceptuar shumë thjesht dhe në mënyrë funksionale. "Tek e thjeshta qëndron edhe e bukura", - thotë Alikaj. Gjithsesi pjesës nuk do t'i mungojë atmosfera e Luftës së Dytë Botërore dhe as ajo e kabareve. "Sot në mbrëmje: Lola Blau" do të shfaqet vetëm një natë, të dielën në orën 20.00 në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar. Kjo vepër është shfaqur në Austri me shumë sukses në muajin maj dhe do të ngjitet sërish në skenën austriake në muajin tetor.

Fillim çmimesh

Eva Alikaj lindi në Tiranë më 1961. Në moshën 21- vjeçare, fitoi Kupën si Aktorja më e mirë e Festivalit V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin "Njeriu i mirë" (1982). Një vit më pas, u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar. Edhe në teatër ka një fillim shumë të mirë, me rolin e Xhulietës në tragjedinë "Romeo e Xhulieta" të Shekspirit. Vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime. Linda tek "Shirat e vjeshtës" (1984) i dhuron Medalionin e Festivalit VI, Etleva tek "Treni niset në shtatë pa pesë" (1988) - Çmimin e Dytë. Role të tjerë janë Ilona në "Botë e padukshme" (1987), Ana në "Jeta në duart e tjetrit" (1990), Evgjenia në "I paharruari" (1984), Drita në "Vendimi" (1984), Irena në "Hije që mbeten pas" (1985), Edlira në "Stolat në park" (1988). Një nga rolet që do mbahet mend gjatë është ai i Elsës në komedinë "Pallati 376".

Loja e saj vlerësohej për sinqeritet dhe natyrshmëri të interpretimit, duke krijuar edhe një portret të veçantë të saj. Qysh prej vitit 1991 jeton në Austri. Më 1995 u rikthye për të interpretuar në filmin "Përdhunuesit". Rikthehet shtatë vite më vonë, në mars të vitit 2002 për të interpretuar në dramën "Ylli pa emër". Dy vjet më parë, e ftuar nga regjisori Hervin Çuli vjen në Tiranë për të interpretuar tek vepra e Çehovit "Xhaxha Vanja", por pa mundur ta realizojë rolin për të cilin ishte thirrur. Një mosmarrëveshje me regjisorin Çuli, e detyron Alikajn të kthehet në Austri, edhe pse drejtori i atëhershëm i Teatrit Kombëtar, Kiço Londo, deklaroi lidhjen e një kontrate 1-vjeçare me aktoren. Pasi kanë kaluar plot dy vjet, Alikaj, preferon të mos flasë për këtë rast. Për të, kjo është një çështje e harruar.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama