Fatos Lubonja Si me arrestuan me babain e xhaxhain dhe frika nga akuzat se donim te vrisnim Enver Hoxhen

Fatos Lubonja: Si me arrestuan me babain e xhaxhain, dhe frika nga akuzat se donim te vrisnim Enver Hoxhen

Fatos Lubonja në një shkrim të publikuar tek Panorama, ka rrëfyer momentet kur arrestuar bashkë me të atin.

“Afro një vit pas Plenumit IV unë jam arrestuar, vetë i katërt, së bashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës, pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij, arriti të marrë informacion se në shtëpinë e xhaxhait gjendeshin të fshehura disa armë të babait (trofe të Luftës).

Aty, gjatë kontrolleve, gjetën të fshehura edhe materiale të tim eti dhe shkrime të miat: një antiroman, poezi dhe ditarët e pesë viteve universitet, që i kisha fshehur pasi kishin përmbajtje kundër regjimit.

Gjatë kontrollit në shtëpinë time m’u gjet edhe një letër kundër Enver Hoxhës, që ma kishte dërguar im atë nga Lezha, ku gjendej asokohe gjysmë i internuar.

U gjenda, pra, përballë këtyre fakteve që hetuesit i kishin të përforcuara dhe me dëshmi të të arrestuarve e dënuarve më parë, me dëshmitarë nga jashtë e përgjime të teknikës operative që kishin kryer.

Gjëja më e frikshme ishte kërcënimi lidhur me armët që donin të na i vishnin si përgatitje për të vrarë Enver Hoxhën, d.m.th., terror.

Janë situata, që, kush i ka provuar, e di mirë se ç’do të thonë. Hetuesia luante me ty si macja me miun, pasi ti nuk dije as se ç’thoshin të tjerët jashtë e brenda, ndërkohë që ata të kishin futur dhe spiunin e birucës në qeli. U përpoqa të mbroj veten, duke mohuar akuzën për terror dhe, kur erdhi puna për të shpjeguar se pse kisha shkruar ato gjëra, si dhe pse im atë kishte shkruar një letër aq të rëndë kundër Enver Hoxhës, u përpoqa të reduktoja gjithçka në pakënaqësitë tona personale.

Se të thosha të vërtetën që mendoja, se e keqja nuk ishim ne, por regjimi dhe Enver Hoxha, kjo ishte barazi me vetëvrasje dhe, për fat të mirë a të keq, më mungonte ky guxim.

Kur kam parasysh se edhe pa gjetur armë të fshehura e dokumente ku udhëheqësi cilësohej si “idiot”, shumë të arrestuar kanë pranuar akuza për agjenturë e komplote e terror, them se, me papërvojën që kisha, kemi shpëtuar mirë vetëm me akuzën për agjitacion e propagandë.

Merita kryesore për këtë e pati im atë, i cili mohoi se armët ishin të tijat, mohoi se letra ishte për Enver Hoxhën, por ai kishte edhe më shumë përvojë, ishte edhe më trim”, shkruan Lubonja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama