Atje ku së shpejti me një famë ndërkombëtare do të luajë rolin e Violetës tek “Traviata”. Por që arriti deri këtu i duhej të “kapërcente shtatë male e të shtrydhte shtatë këmisha” si në përralla. Dhe vajza nga Tirana me baba nga Skrapari dhe nënë nga Vlora triumfoi. Gjeti shpirtin e saj në opera dhe tani zëri i saj kumbon në skenat e Parisit, Nju Jorkut dhe Milanos. Në një intervistë për “Tirana Observer”, Ermonela rrëfen ato pjesë të jetës që publiku nuk ia di teksa luan rolet. Deri sa tani ajo quhet një yll shqiptar që shkëlqen në botë.
Regjisori i njohur italian, Masimo Ranieri, e ka lidhur pjesëmarrjen e tij në operën “Traviata” në Tiranë falë edhe pjesëmarrjes dhe vlerësimit që ka për ju. Përse sipas jush ky emër kaq i njohur i skenës operistike bën këtë vlerësim për ju?
Mu dha rasti të punoja me maestro Ranierin vitin që kaloi, në teatrin “Verdi” të Triestes. Që në fillim na tërhoqi tek njëri-tjetri pasioni për lojën skenike në opera. Kemi shpenzuar orë të tëra duke provuar çdo skenë me detajin më të vogël për të nxjerrë efektin më maksimal prej saj. Kjo është pak “anakronike”, pasi në shumë skena botërore këngëtarë me emër nuk ofrojnë më shumë pasion se një copë akulli. Preokupimi i vetëm është ai për tingullin që këndohet dhe asgjë më shumë. Kjo është për mua edhe një nga arsyet kryesore që opera ka humbur popullaritetin mes shumë gjeneratash. Besoj se është mungesa e këtij pasioni “anakronik” ndër këngëtarët, arsyeja që maestro ndihet si Van Gough kur i vëllai i dërgonte para për të blerë ngjyra, në momentin që i jepet rasti të punojë me këngëtare që ndajnë të njëjtin “anakronizëm”.
Sipas të dhënave, ju do të luani Violetën në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Ç’vlerë ka për ju të këndoni në këtë sallë, kur ju tashmë keni pushtuar skenat e botës mbarë?
Po të pyesësh çdo artist se kush është skena më e vështirë për të dhënë shfaqje, të siguroj që do të përgjigjen “Ajo e vendlindjes”.
Ky produksion është tepër sentimental për mua. Këndimi i Violetës në teatrin ku e kam dëgjuar për herë të parë përmbyll një cikël tepër të rëndësishëm të jetës time. Hera e parë që kam parë opera-live në jetën time ka qenë në moshën 13-vjeç. Më shtyu më shumë kurioziteti sesa dëshira për të, pasi nuk kisha asnjë lloj njohurie mbi këtë gjini muzikore. Deri në atë moment merresha me këngën, por të një rëndësie argëtimi, duke kënduar në festivale të muzikës së lehtë dhe operetat për fëmijë.
Atë mbrëmje në Teatrin e Operës në Tiranë luhej ”Traviata” e Verdit, ku për rolin e Violetës qe e ftuar një soprano turke. E shoqëruar nga vëllai im i madh, admirator i artit dramaturgjik, bëj hyrjen time për herë të parë në teatër. Mbaj mend si tani që kur nisi preludi ndjeva të rrahurat e zemrës që ndryshuan ritmin dhe pashë vëllanë në sy me ekspresionin e një personi të mrekulluar e të prekur shpirtërisht. Ky qe vetëm fillimi, i cili si një kreshendo gjigante ngriti dhe vulosi brenda meje diçka tepër të veçantë dhe vendimtare për të ardhmen time. Edhe pse nuk e njihja muzikën, edhe pse nuk njihja fjalët, ajo muzikë, ajo skenë po më përpinte të tërën. Ndihesha një gjë e vetme me të, sikur po shikoja botën time shpirtërore të reflektuar në pasqyrë. Ndoshta ju tingëllon pak e çuditshme një koment i tillë, por kam qenë një fëmijë tepër i ndrojtur, i tërhequr dhe me komplekse që të injektohen dashur pa dashur nga efekti që ka mbi ty realiteti në të cilin jetojmë, dhe në atë moment m’u duk sikur gjeta më në fund mjetin me të cilin mund të shprehja totalisht veten time përpara njerëzve, duke evituar ato filtra që më ishin bërë si një natyrë e dytë, një mur ndërmjetës midis meje dhe realitetit që më rrethonte. Flet zemra pa asnjë limit. Ndoshta tani shprehem në këtë mënyrë pas një lloj eksperience jete, por atëherë nuk do kisha kurajë të thosha qoftë edhe një fjalë.
Violetën në Traviatën e keni kënduar edhe në Francë, çfarë ndryshimi pritet të ketë interpretimi në Tiranë?
Megjithëse opera është shkruar në stilin “Gran Opera” francez, muzika është tepër italiane. Mendoj se kombinimi mes një regjie italiane, një ngjarjeje franceze dhe një interpretimi shqiptar do t’i ofrojë çdo artdashësi një këndvështrim të paparë ndonjëherë.
Cili është vlerësimi më i madh që ju keni marrë deri më sot në karrierën tuaj si soprano?
Mund t’ju duket pak e çuditshme, por është një fletë e madhe kartoni. Në të janë mbresat personale të të gjithë fëmijëve që kënduan në kor të “La Boheme” të Puçinit në Filadelfia, USA. Njëri nga fëmijët kishte shkruar: Mimi, shpresoj të jetosh me gjatë sesa në opera. Ishe yll në skenë dhe yll në qiell.
Inva Mula, ju, por edhe shumë këngëtarë të tjerë jeni bërë kaq të famshëm në botë dhe të suksesshëm gjithashtu. Kjo është falë shkollës shqiptare apo falë edukimit tuaj jashtë Shqipërisë dhe ambicies personale?
Unë mendoj se është një kombinim i të gjitha elementeve. Ne jemi një vend me njerëz shumë të talentuar, por shpesh harrojmë që talenti është vetëm një e dhënë e ekuacionit të suksesit. Puna e përditshme dhe aftësia për të mësuar nga kushdo janë dy elementet e tjerë, pa të cilat nuk mund të ndërtosh asgjë.
Kush ishte i pari që zbuloi talentin e zërit tënd? Ky ishte në Shqipëri apo jashtë?
Mendimin për të studiuar kanto më kujtohet që ia dha babait tim kompozitori Kujtim Laro. Në atë moment mua më pëlqente violina, por i ndjeri ndoshta e kishte kuptuar se instrumentet me tela nuk ishin thirrja ime.
Cila është pjesa tjetër e jetës tuaj?
Për fatin tim të mirë bëj në një zanat që e dashuroj totalisht dhe kanalizoj çdo emocion në të, dhe është kthyer në një terapi për mua. Studioj gjuhë të huaja, rolet në projekt që kam duke i zbërthyer e studiuar nga ana historike e psikologjike, duke lexuar literaturë mbi atë ç’mban një partiturë. Jam me fat pasi këtë gjë e shton edhe pasioni tepër autentik i tim shoqi, i cili kur flet për muzikën arrin të zbërthejë çdo tingull në fjalë konkrete, dhe për këtë e adhuroj, pasi edhe mua gjërat abstrakte pas shpjegimit të tij më duken tepër konkrete. Ajo kohë tjetër që më mbetet e shpenzoj me pasionin tim të dytë, psikologjinë dhe filozofinë.
Filozofia që më ka ndihmuar në kohë të mira dhe të këqija ka qenë: “Shijo çdo moment të jetës tënde artistike, ndoshta më vonë jeta do të sjellë diçka të veçante, atëherë kur ti nuk e pret”. Për të arritur deri këtu rruga nuk ka qenë gjithmonë fushë me lule… por më shumë vuajtje e sakrifica…. Po përmend vetëm një që është edhe për të qarë, por edhe për të qeshur. Rreth 10 vite përpara, kur nuk më njihte askush në skenën e teatrit, mbasi mbarova specializimin në Mantova desha të filloja studimet në akademinë e “Santa Cicilias” në Romë. Pjesë e kërkesave ishte një dokument nga ambasada shqiptare në Romë, që vërtetonte se isha qytetare shqiptare dhe që kisha mbaruar studimet në Shqipëri. Pa përmendur emra, sepse asgjë e mirë nuk do të dilte nga kjo, po them se nuk arrita dot ta merrja një dokument të tillë, pasi më vërdallosën shumë.
Vetëm mund ta imagjinoni sesi mund të ndihesh kur bashkatdhetarët e tu që kanë për detyrë të ndihmojnë njerëzit me dokumente të tilla, të lënë si peshku pa ujë në momentin tënd më vulnerabël. Një italian zemërmirë rrezikoi punën e vet dhe mbylli një sy për atë shkresurinë duke më thënë: ”E si mundem unë t’i them jo një vajze pa përkrahje si ti që po sakrifikon kaq shumë për të studiuar?”
Mësimet e para të muzikës i kam marrë në moshën 5-vjeç, për violinë, por shumë shpejt e kuptova që ishte më e kollajshme t’i këndoja tingujt sesa t’i prodhoja me duar. Kështu që në atë moment vendosa të ndiqja rrugën më të lehtë. Kam marrë pjesë në shumë festivale kombëtare për fëmijë, pasi frekuentova “Pallatin e Pionierëve”, ku duhet të jenë akoma në arkivat e Radio Televizionit filmimet që kam bërë, programet në TVSH, plus fituese e anketave për fëmijë në RTVSH etj...
Më pas në moshën 14-vjeç hyra në Liceun Artistik për Kanto. Dua të veçoj, krahas shumë pedagogëve me të cilët kam punuar, Sonja Sulon, nëpërmjet së cilës vura themelet e muzikës, solfezhit, dhe Vangjo Kostën, pedagogun e kantos. Mësues të tjerë kanë qenë Zina Zdrava (mësuesja ime e parë përpara se të hyja në Lice, Suzana Frashëri etj...) Kam studiuar në Akademinë e Arteve për Kanto në Tiranë dhe më pas fitova bursën e studimit për në Akademinë e Mantovës në Itali, nën drejtimin e Katia Riçiarellit. Mbarova studimet në Akademinë e Santa Cecilias për Kanto e pianoforte. Pasi mbarova Universitetin në Santa Cecilia, vendosa të kuptoja si funksiononte aparati i këndimit, megjithëse kisha 20 vjet që e përdorja, vendosa të marr dhe diplomën në degën e Foniatrisë. E ndoshta duhej kjo e fundit që më bëri të fitoja konkurset më vonë si fituese në konkursin “Zërat Puçinian”, konkursin “Spoontini”, “R.Zandonaj”,etj... deri në këtë moment këtu në Francë, ku po këndoj një heroinë franceze tepër dramatike dhe një sfidë e madhe vokale.....për precizion është opera ”MIREILLE” e C.Gounod...
Cilat janë raportet tuaja me Shqipërinë? Sa ditë në vit ju takon të jetoni këtu?
Familja ime më e afërt jeton në Shqipëri (përveç shokut tim të jetës). Kjo bën që Shqipëria të zërë një vend të pazëvendësueshëm në zemrën time. Për sa i përket kohës, çdo gjë varet nga produksionet për momentin. Unë përpiqem të vij sa herë më jepet mundësia, por ndiej kohën që kufizohet gjithmonë e më shumë. Është një privim shpirtëror konstant.
Cilat janë raportet e tua me familjen në Tiranë? A ju ndjekin rregullisht prindërit në aktivitetet tuaja?
Më mungojnë shumë që të gjithë. Privimi është i përhershëm dhe konstant. Nganjëherë mendoj ç’do të kishte ndodhur sikur të mos isha larguar kurrë..., ndoshta mungesa do të merrte formë tjetër... Prindërit përpiqem t’i mbaj të angazhuar në aktivitetet e mia përmes fotografive, DVD-ve e artikuj gazetash. Për sa i përket familjes, vij nga një familje intelektuale ushtarakësh.
Roli që kanë luajtur në fushën e muzikës është tepër natyral si efekt i origjinës dhe kontaktit që kam pasur me muzikën e mrekullueshme popullore. Babin e kam nga Skrapari dhe mamin nga Vlora, dhe mund ta imagjinoni genin e muzikës që është tek unë… tradita e këngës polifonike…. Trashëgim në familje kam pasur këndimin polifonik. Më kujtohet si tani, kur isha e vogël dhe mblidheshim të gjithë, dhe hapej një darkë apo një festë në familje me një këngë popullore. Mahnitesha akoma më tepër sot, ngelesha e mrekulluar nga mënyra sesi harmonizoheshin gjithë ato zëra (këndim açappella në muzikë do të thotë pa shoqërim vegle muzikore vetëm zëra), ato tinguj humanë kaq emocionues, dhe sidomos improvizimi i vazhdueshëm…
Kjo dhe shtytja e pandërprerë për të ndjekur dëshirën dhe pasionin tim nga familja ime kanë qenë mentorët e mi.
Kë vlerësoni ju personalisht nga artistët dhe këngëtarët shqiptarë?
Kujtimi më i hershëm që mbaj mend ka qenë ai i Vaçe Zelës. Më është ngulitur sepse familja ime gjithmonë qeshte me mua kur unë përpiqesha ta imitoja sesi këndonte. Tepër e vogël nuk arrija të thosha dot as fjalët ashtu siç duheshin. I shikoja me inat dhe ikja nga dhoma. Aq e gjerë ishte influenca e saj si artiste, saqë kishte prekur edhe një fëmijë të vogël. Inva Mula është një tjetër këngëtare që unë e vlerësoj shumë, sidomos duke punuar me të personalisht. Është nga të paktët artistë ku talenti, puna dhe dëshira për të mësuar kanë gjetur mishërim.
Roland Qafoku - Gazeta TiranaObserver











