Enver Hoxha i Fevziut botohet ne Londer

Enver Hoxha i Fevziut botohet ne Londer

“Enver Hoxha”, libri i gazetarit të njohur Blendi Fevziu, i cili ka thyer rekorde duke u bërë bestseller në Shqipëri me mbi pesëdhjetë mijë kopje të shitura, botuar nga Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”, do të botohet së shpejti edhe në Britaninë e Madhe nga Shtëpia Botuese “I.B.Tauris”.

Publiku ishullor do të njihet me historinë e një prej diktatorëve më të mëdhenj komunistë të të ashtuquajturit Bllok Lindor nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve arkivore të mbledhura nga gazetari shqiptar, i cili është shprehur se në këtë libër ka ndjekur dominimin e Partisë Komuniste dhe linjën e eliminimeve të brendshme brenda kësaj partie.

Për afro gjysmëshekulli Hoxha i imponoi historisë versionin e tij, duke i transformuar ngjarjet, fshirë ose zhdukur personazhet dhe duke ngritur në kulmin e historisë veten, si i vetmi protagonist. Madje, ndryshe nga shumë diktatorë të tjerë, ai jo vetëm e shoqëroi trukimin e historisë me eliminimin e dëshmitarëve dhe të njerëzve që kishte pasur afër, atyre që nuk do t’ia pranonin trillet, por e nisi këtë trukim shumë herët, jo kur u ngjit në piedestal, as kur u bë njeriu më i fortë i vendit. Ai i nisi trukimet dhe eliminimet që në vitet e para të karrierës së tij në Partinë Komuniste të Shqipërisë, që kur ishte ende ilegal, ende në kërkim dhe ende pa e pasur pushtetin që arriti ta ketë më pas…

Rober Austin, nga Universiteti i Torontos në Kanada e ka vlerësuar këtë libër për lexuesin anglishtfolës si një punë të jashtëzakonshme të gazetarit Fevziu.

“E shkruar si një novelë krimi, bazuar në akses të pakrahasuar në arshivat e shtetit Shqiptar, që më parë kanë qenë të mbyllura, libri është I detyrueshëm për të gjithë ata që duan të kuptojnë Europën komuniste dhe mënyrën se si lindnin dhe mbijetonin diktaturat. Fevziu ia del mbanë në mënyrë brilante për të kapur torturat e regjimit 41-vjeçar të Hoxhës, dhe u jep zë shumë zërave që diktatori kish mbytur. Jo vetëm kjo, por duke pasur parasysh dhe historikun e Hoxhës, Fevziu na ndihmon të kuptojmë pse rruga e Shqipërisë në demokraci është kaq e vështirë. Kjo biografi është një arritje e madhe”, – është shprehur Austin. Edhe profesori i historisë në Universitetin Western, të Illinois-it në ShBA, Nicolas Pano, e ka quajtur një kombinim mjeshtëror të biografisë me historinë. “Bazuar në burime arkivore, orale të publikuara ose jo, Enver Hoxha i Blendi Fevziut është një rrëfim tërheqës dhe realist i jetës dhe kohës të diktatorit stalinist të Shqipërisë si dhe vendit që ai udhëhoqi me dorë të hekurt për katër dekada”, – ka përfunduar Pano.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama